Ndërlidhjet

Obama kërkon shmangien e “tatëpjetës fiskale”


Barack Obama
Barack Obama
Presidenti i rizgjedhur i SHBA-së, Barack Obama, ka thënë të premten se amerikanët e kanë dërguar sërish në Uashington, sepse i kanë besuar planit të tij “të balancuar” për të zgjidhur problemet fiskale, ku përfshihet një përzierje e shkurtimeve të shpenzimeve publike dhe rritje taksash për të pasurit.

Në komentet e tij të para publike, që nga zgjedhjet e 6 nëntorit, Obama iu kërkoi liderëve të Partisë Demokratike dhe asaj Republikane, që të veprojnë më shpejt për të shmangur “tatëpjetën fiskale”, e cila mund ta çojë SHBA-në në recesion dhe të dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike globale.

Duke deklaruar se “nuk mund t’ia ndalim rrugën përparimit tonë”, Obama ka thënë se derisa është i “hapur për kompromise”, ai nuk do të pranojë ndonjë “qasje që nuk është e balancuar.”

Rritja e taksave për amerikanët e klasës së mesme do të hyjë automatikisht në fuqi, nëse Kongresi nuk arrin marrëveshje për reduktimin e deficiti para fundit të këtij viti.

Obama tërhoqi vërejtjen se mosveprimi ose vonesa do të përkeqësojë rimëkëmbjen e ekonomisë së brishtë dhe kërkoi veprime në ato çështje, për të cilat ligjvënësit pajtohen dhe kompromis për ato që nuk ka pajtim.

“Ajo, (tatëpjeta fiskale) do të jetë e keqe për ekonominë dhe do t’i godasë familjet, që tashmë e kanë vështirë t’ia dalin mbanë (deri në fund të muajit). Tash, fatmirësisht, nuk na duhen negociata të gjata ose dramë për të zgjidhur pjesë të problemit”, u shpreh Obama.

Ai i ftoi liderët e të dy palëve të Kongresit në Shtëpinë e Bardhë, në javën e ardhshme për të diskutuar ‘pazarin e madh’ që ligjvënësit dështuan ta arrijnë në vitin e kaluar, kur doli në pah një krizë e ngjashme fiskale.

Demokratët këmbëngulin se nuk do të pajtohen për asnjë marrëveshje, e cila mbështetet në rritjen ekonomike përmes rritjes së të hyrave (përmes rritjes së taksave).

Ata kërkojnë që taksat për amerikanët që marrin më shumë se 250 mijë dollarë, të rriten dhe të shmangin ngarkesën e mëtejme për klasën e mesme dhe të varfër duke ia shkurtuar programet e mirëqenies sociale.

Rizgjedhja e Obamës ka qenë një mandat i votuesve për këtë qasje, thonë ata.

Por, republikanët, që kanë bërë fushatë mbi platformën që përjashton rritjen e taksave për të pasurit, po ashtu besojnë se e kanë marrë një mandat nga populli amerikan, meqë republikanët fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kryesuesi i Kongresit, John Boehner, republikani nga Ohajo, i tha ABC News më 8 nëntor se ligjvënësit e partisë së tij do të vazhdojnë të kundërshtojnë rritjen e taksave.

“Rritja e taksave është e papranueshme”, tha Boehner.

Megjithatë, në një konferencë për gazetarë, të mbajtur disa orë para komenteve të Obamës, ai tha se beson në arritjen e një marrëveshjeje.

“Kjo është një mundësi për presidentin që të udhëheqë. Ky është një moment që Kongresi të angazhohet dhe të punojë drejt zgjidhjes që mund të kalojë në të dy dhomat”, u shpreh Boehner.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, ndërkohë tha se Obama do t’i vë veto çdo ligji që përmban shkurtime taksash për të pasurit.

Rreziqet nuk mund të jenë më të mëdha. Një raport i Zyrës për Buxhet të Kongresit, parashikoi se ekonomia do të hyjë në recesion po qe se do të ketë moszgjidhje të problemit dhe qeveria do të pësojë “tatëpjetën fiskale” përgjatë tërë vitit.

Analistët thonë se kombinimi i rritjes së taksave dhe shkurtimeve të shpenzimeve do të shkurtojë borxhin masiv prej 503 miliardë dollarësh të SHBA-së deri në shtatorin e ardhshëm, por masat e ashpra fiskale, do të shkaktojnë tkurrje të ekonomisë prej 0.5 për qind, si dhe humbje të miliona vendeve të punës.(a.i.)
XS
SM
MD
LG