E enjte, korrik 10, 2014 Kosova 22:51

Ekonomi

Kosova anëtarësohet në BERZH

BERZH
BERZH
RFE /RL
Republika e Kosovës është anëtarësuar në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim.
 
Në komunikatën për media të lëshuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, thuhet se për Bordi i Guvernatorëve është pajtuar me rezolutën mbi anëtarësimin e Kosovës.

“Rezoluta theksoi se vendimi është pa paragjykim ndaj pozicioneve të anëtarëve individualë të BERZH-it në lidhje me statusin e Kosovës. Pas miratimit të rezolutës, Kosova do të bëhet anëtare e 66-të e Bankës, në qoftë se më ose para datës 17 dhjetor 2012 ajo kompleton procedurat e brendshme për anëtarësim, siç përcaktohet në rezolutë, duke përfshirë pranimin Marrëveshjes së Themelimit të Bankës dhe pagesës për aksionet e saj”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë theksohet se pasi që “Kosova të bëhet anëtare, Banka do të kërkojë që ta mbështesë ekonominë e Kosovës dhe të përmirësojë jetën e njerëzve atje, të lehtësojë tranzicionin dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal”.

Vendimi i Bordit, sipas të njëjtës komunikatë është mbështetur edhe nga presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, i cili tha se “BERZH-i do ta ketë kënaqësinë që të adresojë nevojat e Kosovës".

“Banka do të punojë për zhvillimin e sektorit privat, si dhe investime në përmirësimin e infrastrukturës dhe do të ndihmojë në forcimin e ekonomisë, në përgjithësi. Nga kjo do të përfitojnë të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, është cituar të ketë thënë Chakrabarti.


Jahjaga e Thaçi përshëndesin vendimin

Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, përmes deklaratave për media, kanë mbështetur vendimin e Bordit të Guvernatorëve të BERZH-it.

Atifete JahjagaAtifete Jahjaga
x
Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga
“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në BERZH është një hap i shumëpritur dhe i rëndësishëm, dhe krahas anëtarësimit të vendit në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, paraqet ndër momentet më të rëndësishme në konsolidimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për reformën tonë të brendshme drejt zhvillimit dhe forcimit të ekonomisë së tregut të lirë”, ka thënë Jahjaga, duke shtuar se anëtarësimi do ta ndihmojë ekonominë e vendit.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në BERZH do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik, zbatimin e reformave e standardeve evropiane dhe zhvillimin e infrastrukturës përmes mbështetjes së zhvillimit të sektorit privat, mobilizimit të kapitalit të jashtëm dhe përmirësimit të ambientit për investime”, thuhet në deklaratën e presidentes.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se pas anëtarësimit, ka biseduar me Sir Suma Chakrabarti, presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në BERZH është një lajm i shkëlqyer dhe shumë domethënës për Kosovën për disa arsye”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtjelluar “procesin dhe benefitet që Kosova do të ketë tash e tutje me këtë anëtarësim.”

“Së pari, duhet të dimë se kjo bankë e themeluar për t’i ndihmuar shtetet në tranzicion dhe që ka kapital vjetor investues prej gati 10 miliardë euro, është pronë e 63 shteteve dhe dy institucioneve. Pra, 63 shtete kanë vota, ndërsa një votë e kanë edhe BE-ja dhe Banka Investive e BE-së.  Por, gati 30 shtete anëtare të kësaj banke nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, prandaj lobimi ynë i gjatë ishte që të fitojmë dy të tretat e votave për Republikën e Kosovës, që edhe ne të jemi anëtare e kësaj organizate që investon në shumë fusha të rëndësishme për Kosovën”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se “tash e dy vjet së bashku me partnerët tanë kemi zhvilluar një betejë të jashtëzakonshme që Republika e Kosovës të jetë anëtare fuqiplotë dhe përfituese e investimeve të BERZH-it”.

Hashim ThaçiHashim Thaçi
x
Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
“Tani ia arritëm. Është hera e parë që për anëtarësi të një shteti është votuar dhe nuk është përdorur çelësi koncensual. Për Kosovën kanë votuar një shumicë e madhe e anëtarëve dhe me këtë rast i falënderoj qeveritë e shteteve që kanë votuar për Republikën e Kosovës për dhe besimin që kanë shfaqur ndaj popullit dhe Qeverisë së Kosovës. Anëtarësia në BERZH është edhe një projektim zyrtar i besimit të demokracinë kosovare”, ka thënë ndër të tjera kryeministri Thaçi.

BERZH është institucioni i tretë ndërkombëtar financiar, që po anëtarësohet Kosova, e cila po has në vështirësi në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë për shkak të mosnjohjes nga OKB-ja.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ka 65 anëtarë (Kosova është e 66-ta), kurse 29 prej tyre ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

Kosova që nga viti 2009 është anëtare e plotë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.(a.i.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum