"Zëri i Amerikës"
Një studim i ri arrin në përfundimin se fotografitë e vëna në paketat e cigareve në shumë vende, janë më të efektshme sesa paralajmërimet me shkrim për ndalimin e duhanit.
Por efekti i tyre duket se venitet me kalimin e kohës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Seul,
Steve Herman ka përgatitur materialin.
Sa më grafike aq më mire. Është ky përfundimi i një studimi të ri për paralajmërimet në pako të cigareve. Një ekip në Universitetin e Karolinës së Jugut në Shtetet e Bashkuara ka analizuar se cilat etiketa paralajmëruese ndikojnë që të rriturit të lënë duhanin.
Studiuesi kryesor ishte
James Thrasher.
"
Duhanpirësit vlerësuan se etiketat paralajmëruese me foto dhe tekst ishin më të fuqishme në aspektin e besueshmërisë, rëndësisë që u kushtojnë vetë duhanpirësit dhe në drejtim të efektivitetit të tyre në krahasim me paralajmërimet që përmbajnë vetëm tekstin."
Analiza e ekipit do të shfaqet në revistën amerikane për Mjekësinë Parandaluese në muajin dhjetor. Më shumë se 40 vende kanë vendosur etiketa paralajmëruese shëndetësore të shoqëruara me foto në paketat e cigareve.
Zoti Thrasher thotë se duhanpirësit me arsimin të ulët vlerësuan se etiketat me fotografi ishin më të besueshme se sa paralajmërimet vetëm me tekst, një zbulim i rëndësishëm për vendet në zhvillim me norma të larta të pirjes së duhanit dhe me shkallë të lartë të analfabetizmit.
"
Paralajmërimet që ishin më grafike, që tregojnë dëme fizike që ndodhin në trup nga pirja e duhanit, janë më të efektshme se sa llojet e tjera të imazheve, si ato që tregojnë njerëzit që vuajnë nga efektet e pirjes së duhanit apo imazhe më simbolike apo abstrakte si, për shembull, ato që tregojnë varre që përfaqësojnë vdekjen që mund të shkaktohet nga pirja e duhanit."
Por zoti Thrasher shton se duhanpirësit bëhen më të pandjeshëm ndaj imazheve grafike në paketa siç janë ato me fotografitë e organeve të sëmura.
“
Këto paralajmërime veniten me kalimin e kohës, me çfarëdo lloj teksti që shohërohen. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që paralajmërimet të rifreskohen rregullisht gati çdo dy vjet. Kemi filluar një studim për të zbuluar se cila është periudha më e mirë për të bërë rifreskime.”
Australia e ka shtruar çështjen edhe më tej. Ajo u bë kohët e fundit vendi i parë që kërkon paketim të thjeshtë të cigareve. Kjo lëvizje po vlerësohet nga drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë,
Margaret Chan.
"
Ajo heq shkëlqimin e një pakete të mbushur me imazhe të dëmeve që sjell duhani dhe e zëvendëson atë me të vërtetën. Kjo do të ketë përfitime të mëdha për shëndetin."
Zonja Chan foli në Konferencën e Palëve në kuadër të Konventës të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit që filloi këtë javë në Seul.
Përkrahësit e luftës kundër duhanit thonë se më e rëndësishme se etiketimi për parandalimin e pirjes së cigares, është rritja e çmimit të produkteve të duhanit. Francis Thompson është drejtor i politikave dhe mbështetjes në grupin Framework Convention Alliance.
"
Çmimi i produkteve të duhanit në shumicën e vendeve të botës është ende tepër i ulët. Dhe kjo është gjëja e vetme e madhe që vendet mund të bëjnë për të ulur konsumin e duhanit dhe rrjedhimisht edhe numrin e vdekjeve të shkaktuara prej tij në mbarë botën. "
Në takimin e Seulit u diskutuan udhëzime mbi çmimet dhe masat tatimore për të reduktuar kërkesën për duhan. Delegatët nga 170 vende miratuan një traktat për të luftuar prodhimin dhe shpërndarjen e cigareve të paligjshme. Konventa për Kontrollin e Duhanit është ratifikuar nga 176 vende që kur hyri në fuqi në vitin 2005.
Shtetet e Bashkuara, prodhuesi kryesor i duhanit, dhe shtatë vende të tjera e kanë nënshkruar, por nuk e ka ratifikuar traktatin. Dhjetë vende nuk e kanë nënshkruar atë, duke përfshirë Indonezinë, një konsumator i madh i duhanit me 57-milionë duhanpirës.
* Ky material u transmetua fillimisht në VOA.