E shtunë, nëntor 29, 2014 Kosova 08:20

Bota

Kreditorët do t’i ofrojnë Greqisë këstin e radhës

Greqi...
Greqi...
RFE /RL
Kreditorët e Greqisë kanë arritur marrëveshje që t’i ofrojnë vendit të goditur nga borxhet qasje në këstin e radhës të paketës së ndihmës.

Gjatë bisedimeve në Bruksel, ministrat e Financave të Eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar janë pajtuar që të reduktojnë borxhin e Greqisë për 40 miliardë euro, duke e shkurtuar atë për 124 për qind të bruto prodhimit të brendshëm deri më 2020.

Një gjë e tillë do t’i hapë rrugën Greqisë që të marrë këstin prej 44 miliardë eurosh në dhjetor, për të paguar pagat, pensionet dhe furnizimet e tjera.

Miratimi përfundimtar, megjithatë, do të varet nga parlamentet kombëtare.

Kreu i ministrave të Financave të Eurozonës, Jean-Claude Juncker, ka bërë publike marrëveshjen pas 12 orë negociatash.

Jam i lumtur të njoftoj se sot kemi arritur marrëveshje politike për këstin e ardhshëm të Greqisë. Më lejoni të them se kjo nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Ky është premtim për një të ardhme më të mirë për popullin grek dhe për zonën e euros në tërësi”, ka thënë Juncker.

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, ka përshëndetur po ashtu marrëveshjen.

Ne kemi dashur të sigurohemi se Greqia është në rrugë të mbarë dhe se po bën hapat e nevojshëm për këtë qëllim. Kjo është dëshmuar. Fondi Monetar Ndërkombëtar po ashtu ka dashur të sigurohet për partnerët që kanë ndërmarrë veprime për të sjellë borxhin e Greqisë në rrugë të qëndrueshme. Unë mund të them se kjo është arritur”, ka thënë Lagarde.

Kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë kanë premtuar një total prej 240 miliardë eurosh për të ndihmuar vendin nga falimentimi.

Deri më tani, Athina ka marrë rreth 150 miliardë euro. Si kusht për ndihmat, ajo ka zbatuar masa të ashpra kursimi.

Greqia, së shpejti, pritet të hyjë në vitin e gjashtë të recesionit, me një të katërtën e fuqisë punëtore pa punë.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum