E hënë, dhjetor 22, 2014 Kosova 10:51

Shtypi botëror

WSJ: Senatorja synon ta bllokojë secilin pasardhës të Clintonit

Susan Rice
Susan Rice
Përpjekja e ambasadores Susan Rice për ta ripërtërirë raportin e saj me republikanët e Senatit ka dështuar, derisa të martën tre senatorë të Partisë Republikane të Shteteve të Bashkuara, dolën nga takimi me ambasadoren edhe më tepër kritikë për komentet e saj, që i ka bërë pas sulmit në Konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja Wall Street Journal.

Gazeta shkruan se ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, që është kandidate për ta zëvendësuar sekretaren e shtetit Hillary Clinton, ishte takuar të martën me senatorët në Kapitoll Hill.

Njëra nga senatoret, Kelly Ayotte, nga Nju Hempshiri, tha se ajo do të përpiqet ta bllokojë konfirmimin e zonjës Rice, ose të ndonjë të nominuari tjetër, për ta zëvendësuar sekretaren e shtetit, Hillary Clinton.

“Pikëpamja ime është se ne duhet të qëndrojmë në këtë derisa ne të kemi informacione të mjaftueshme”, tha ajo.

Senatorja Ayotte dhe senatorët John McCain nga Arizona dhe Lindsey Graham nga Karolina Jugore, thanë se takimi në Kapitoll Hill, i ka lënë ata më të shqetësuar se kurrë lidhur me deklaratat publike që zonja Rice i bëri lidhur me sulmet e 11 shtatorit në Bengazi të Libisë, ku ambasadori Christopher Stevens dhe tre amerikanë të tjerë, ishin vrarë.

“E tëra që mund të them është se se shqetësimet që i kam janë më të mëdha sot se më parë”, tha zoti Graham, pas takimit dhe shtoi se “ne as që jemi më afër që të marrim përgjigje bazike”.

E përditshmja Wall Street Journal shkruan se në kumtesën e saj pas takimit, zonja Rice, që shihet se favorite për ta zëvendësuar Hillary Clintonin, e ka pranuar se një pjesë e komenteve të saja lidhur me sulmin në disa intervista televizive, disa ditë më vonë, ishin jokorrekte, por tha se ato ishin të bazuara në evoluimin e informacioneve nga inteligjenca.

Në këto intervista, zonja Rice tha se sulmi u rrit nga protesta lidhur me një video anti-islamike; zyrtarët më vonë kanë thënë se nuk ka pasur protesta në Bengazi atë ditë, shkruan Wall Street Journal.

“Pikat kryesore të paraqitura nga komuniteti i inteligjencës dhe vlerësimi fillestar në të cilat ato mbështeteshin, ishin jokorrekte sa i përket çështjes kryesore: nuk ka pasur protestë ose demonstratë në Bengazi”, tha ajo në deklaratën e saj dhe ka shtuar se ajo nuk ka pasur për qëllim të keqinformojë dhe theksoi se “administrata e ka njoftuar rregullisht Kongresin dhe popullin amerikan ashtu siç evoluonin vlerësimet”.

Senatori John McCain tha se ishte i “trazuar” nga ajo që ka dëgjuar, ndërsa senatorja Ayotte tha se herët ka pasur dëshmi të qartë se njerëzit e lidhur me al-Kaidën e kanë kryer sulmin në Libi.

Më herët, kritikat e senatorëve republikanë ndaj zonjës Rice duket se ishin minimizuar, por takimi i së martës i ripërtëriu armiqësitë, vlerëson gazeta në një artikull të gjatë, duke shpjeguar se kjo mund t’i kompikoj gjasët e saj për postin e sekretares amerikane të shtetit.

Kandidat tjetër për sekretar amerikan të shtetit është senatori demokrat nga Masaçusetsi, John Kerry.

Mund të ndodhë që presidenti Barack Obama deri në fund të kësaj jave ta shpallë zgjedhjen e tij për këtë post, shkruan Wall Street Journal.

Përgatiti: Fatmir Bujupi