E mërkurë, prill 23, 2014 Kosova 18:56

Bota

OKB voton për statusin e Autoritetit Palestinez

Palestinë...
Palestinë...
Madhësia e shkronjave - +
RFE /RL
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton sot rezolutën e Autoritetit Palestinez, që do të përmirësojë ose jo statusin e tij.

Ndryshimi i statusit të misionit palestinez nga një “entitet” në “shtet joanëtar” do të nënkuptonte njohje jodirekte të shtetit palestinez, përfshirë Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin lindor.

Rezoluta ka të ngjarë të kalojë me mbështetje të fortë nga vendet në zhvillim, si dhe nga shumica e vendeve evropiane, përfshirë Francën.

Për miratimin e saj, është e nevojshme shumica e thjeshtë e Asamblesë 193-anëtarëshe.

Rusia dhe Kina po ashtu pritet të votojnë me “po”.

Disa vende, ndërkaq, pritet të votojnë me “jo”, përfshirë këtu Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat thonë se shtetësia palestineze duhet të arrihet përmes bisedimeve direkte.

Dy diplomatë të lartë të Shteteve të Bashkuara, Victoria Nuland dhe William Burns, kanë takuar të mërkurën presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, në Nju Jork, në përpjekjen e fundit për ta bindur që të tërheqë kërkesën e tij.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Nuland, ka përsëritur qëndrimin e SHBA-së se shtetësia palestineze nuk mund të arrihet përmes Kombeve të Bashkuara.

Ne kemi qenë të qartë, duke thënë se kundërshtojmë statusin e shtetit joanëtar në Kombet e Bashkuara. Askush nuk duhet të ketë iluzione se kjo rezolutë do të prodhojë rezultatet që palestinezët pretendojnë t’i arrijnë – pra, të kenë shtetin e tyre pranë Izraelit”, ka deklaruar Nuland.

Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar, kanë bllokuar përpjekjet palestineze në Këshillin e Sigurimit për shtetësi të plotë.

SHBA-ja ka ndërprerë po ashtu fondet për mekanizmin kulturor të Kombeve të Bashkuara, UNESCO-n, pasi ai ka votuar për t’iu dhënë anëtarësim të plotë palestinezëve tetorin e kaluar.

Hanan Ashrawi, zyrtar i lartë në Organizatën Çlirimtare të Palestinës, ka porositur vendet që do të votojnë kundër në Asamblenë e OKB-së:

Ne jemi duke ecur përpara. Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë tjetër e shteteve do të gjejnë veten në anën e gabuar të moralit, në anën e gabuar të drejtësisë dhe në anën e gabuar të ligjit”, ka thënë Ashrawi.

Të qenët “shtet jo anëtar” do t’iu mundësojë palestinezëve që t’iu bashkohen trupave ndërkombëtarë, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare për Krime, ku ata mund të kërkojnë veprime kundër Izraelit mbi akuzat për krime lufte.

Ashrawi nuk ka thënë se palestinezët do të ndërmarrin hapa në këtë gjykatë, por ka sugjeruar se ajo mund të jetë një alternativë.

Votimi i sotëm vjen vetëm pak ditë pas luftimeve të fundit ndërmjet Izraelit dhe militantëve në Rripin e Gazës, në të cilat kanë humbur jetën mbi 150 palestinezë dhe gjashtë izraelitë.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum