E enjte, tetor 23, 2014 Kosova 04:21

Bota

SHBA: Rice lufton për mbështetje të senatit

Susan Rice
Susan Rice
Heather Maher
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, duket se është kandidatja kryesore për ta zëvendësuar sekretaren amerikane të shtetit, Hillari Klinton, në postin e sekretares së shtetit.

Por, ambasadorja Rice këtë javë, ka kaluar shumë kohë në përpjekjet për t’i qetësuar senatorët republikanë, që kanë shprehur përkushtim për ta bllokuar nominimin e saj.

Ambasadorja Susan Rice deri tash ka dështuar t’i bindë skeptikët se shpjegimi i gabueshëm, që ajo e ka dhënë për sulmin e 11 shtatorit të këtij viti në Bengazi të Libisë, kundër Konsullatës së Shteteve të Bashkuara, nuk ishte pjesë e sekretit të motivuar politikisht, për ta ndihmuar Shtëpinë e Bardhë para zgjedhjeve presidenciale, që u mbajtën më 6 nëntor të këtij viti.

Susan Rice me Hillary ClintonSusan Rice me Hillary Clinton
x
Susan Rice me Hillary Clinton
Susan Rice me Hillary Clinton
Gjatë sulmit në Bengazi, që ishte kryer nga një grup i ndërlidhur me al-Kaidën, ishte vrarë ambasadori amerikan, Christopher Stevens, dhe tre amerikanë të tjerë.

Zonja Rice, në paraqitjet e saj në disa emisione televizive të lajmeve, disa ditë më vonë, kishte thënë se sulmi ishte akt spontan i dhunës nga turma e zemëruar nga një video anti-islamike.

Më vonë ajo e ka pranuar se shpjegimi i saj nuk ishte korrekt, por tha se ai version ishte i bazuar në informacionet që ishin dhënë nga CIA në atë kohë, dhe në asnjë mënyrë nuk ishte i kalkuluar që ta minimizojë ripërtëritjen e al-Qaidës.

Senatori republikan nga Karolina Jugore, Lindsey Graham, pas takimit me ambasadoren Rice, të mbajtur më 27 nëntor, tha se ai mbetet i pabindur.

Unë jam më i trazuar tash se sa më parë, lidhur me shpjegimin e 16 shtatorit se si janë vrarë katër amerikanët në Bengazi të Libisë, sipas ambasadores Rice, mendoj se nuk është i drejtë për realitetin në atë kohë dhe nga këndvështrimi i sotëm qartazi ishte krejtësisht i gabueshëm”, tha Graham.

John McCainJohn McCain
x
John McCain
John McCain
Në takimin e së martës me ambasadoren Rice, ishin edhe senatorja republikane nga Nju Hempshiri, Kelly Ayotte dhe senatori republikan nga Arizona, John McCain, i cili tha se të tre senatorët ishin në masë “domethënëse të trazuar nga shumë përgjigje”, që i kishin dëgjuar nga Susan Rice.

Është e qartë se informacioni që ajo i dha popullit amerikan ishte jokorrekt, kur tha se ishte demonstratë spontane e nxitur nga videoja e urryer. Nuk ishte dhe ekziston dëshmi e qartë në atë kohë se ky sigurisht nuk ishte rast i tillë, përfshirë edhe deklaratat nga libianët dhe amerikanët e tjerë, të cilët ishin plotësisht të vetëdijshëm se populli nuk sjellë mortaja dhe raketa të granatave në demonstratat spontane”, tha John McCain.

Senatorët e tjerë republikanë, që u takuan me ambasadoren Rice, ishin po ashtu qortues. Susan Collins tha se “ishte e trazuar me faktin se ambasadorja në Kombet e Bashkuara vendosi të luajë atë që esencialisht ishte rol politik në kulm të fushatës së ashpër zgjedhore për president”.

Senatori republikan nga Tenesi, Robert Corker, ka sugjeruar se Susan Rice është shumë partiake për të qenë sekretare e shtetit.

Synimi i zonjës Rice për të fituar mbështetje në mesin e senatorëve, të cilët votojnë për të gjitha nominimet në kabinet, konsiderohet i pazakonshëm, meqë presidenti Barack Obama, ende nuk e ka shpallur nominim e tij për sekretar të shtetit.

Raportohet se ai e ka parasysh edhe senatorin demokrat nga Masaçusetsi, John Kerry, dhe këshilltarin për siguri kombëtare, Tom Danilon.

Megjithatë, Susan Rice gjerësisht është konsideruar kandidate udhëheqëse për këtë post, kështu që disa republikanë kanë lëvizur paraprakisht për ta bllokuar nominimin e saj.

Një kundërshtim i tillë i hershëm dhe i ashpër i ka shtyrë vëzhguesit të mendojnë se sa mund të jetë i vështirë për presidentin Obama ky nominim.

Eksperti Stephen Hess, nga Isntituti Brookings, në këtë aspekt, thotë:

Ky është vendim i madh për presidentin. Me siguri, ai e do shumë atë, ai e konsideron atë njërën nga kandidatet udhëheqëse, me gjasë kandidate udhëheqëse, dhe tash ai duhet të vlerësojë se sa e dëmshme ishte ajo dhe sa vështirë do të jetë për të ta bëjë këtë nominim, nëse ajo konfirmohet, dhe bëhet sekretare e ardhshme e shtetit”, thotë eksperti Stephen Hess. (f. b.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum