Ndërlidhjet

Holanda revokon Ligjin për blasfemi


Protestë kundër Geert Wilders - foto nga arkivi
Protestë kundër Geert Wilders - foto nga arkivi
Fyerja e Zotit nuk do të përbëjë më krim në Holandë, pasi parlamenti holandez vendosi të shfuqizojë një ligj të vjetër disadekadësh mbi blasfeminë.

Ligji, i cili u hartua në vitin 1930, nuk është përdorur për gjysmëshekulli, duke shtyrë kësisoj ligjvënësit të vendosin se nuk kishin më nevojë për të.

Diskutimet mbi shfuqizimin formal të kufizimeve blasfemike në Holandë kanë nisur një dekadë më parë si pjesë e një debati mbi kufijtë e lirisë së shprehjes.

Por, Marc Veldt, një ligjërues i ligjit mbi mediat në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Utrecht, thotë se vendimi u bë i mundur nga zgjedhjet kombëtare në shtator, në të cilat dy partitë liberale dolën fitimtare.

Partitë e ekstremit të djathtë dhe konservatore, që kishin kundërshtuar heqjen e ndalesës së blasfemisë, humbën thellë në zgjedhje.

Veldt thotë se veprimi për heqjen e ndalesës së blasfemisë ishte gjithashtu një rezultat i tërthortë i një rasti ligjor, në të cilin u përfshi politikani anti-islamik holandez, Geert Wilders.

Në qershor të vitit 2011, një gjykatë holandeze vendosi se Wilders kishte të drejtë ta kritikojë Islamin, edhe pse mendimet e tij ofenduan shumë myslimanë.

Wilders, i cili drejton Partinë e Lirisë, e ka përshkruar islamin si “fashist” dhe e ka krahasuar librin e shenjtë të islamit, Kuranin, me autobiografinë dhe manifestin politik të Adolf Hitlerit “Mein Kampf”.

Gjyqtari i Amsterdamit, Marcel van Oosten tha se deklaratat e Wilders-it i drejtoheshin islamit dhe jo myslimanëve. Oosten tha se deklaratat ishin “bruto dhe denigruese”, megjithatë “të pranueshme brenda kontekstit të debatit publik”.

Wilders tha në atë kohë se vendimi jo që është “vetëm një shfajësim për mua, por një fitore për lirinë e shprehjes në Holandë”.

Vendimi për të shfuqizuar ligjin mbi blasfeminë në vend është përshëndetur ndërkombëtarisht nga aktivistët, të cilët ka kohë që e kanë quajtur atë të vjetëruar dhe kërcënim ndaj fjalës së lirë.

Një nga ta është Padraig Reidy, redaktor i lajmeve në “Indeksin mbi Censurën”, një revistë me seli në Londër, që është e përkushtuar për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Reidy thotë se shumë shtete evropiane ende kanë ligje që ndalojnë blasfeminë, edhe pse ato nuk janë përdorur me dekada. Vende të ndryshme evropiane kanë drejtuar së fundi trajektoret e tyre mbi këtë çështje, duke e bërë të vështirë dallimin e trendit ekzistues.

Britania, për shembull, ka braktisur një ligj mbi blasfeminë në vitin 2008, i cili kishte penalizuar fyerjen e krishterimit. Por, shteti britanik ka zëvendësuar ligjin me një sërë ligjesh më të përgjithshme kundër nxitjes së urrejtjes fetare.

Irlanda, nga ana e saj, paraqiti një ligj të ri mbi blasfeminë në vitin 2010.
Nën këtë ligj, vepra që përbën blasfemi dënohet me gjobë deri në 25 mijë euro.

Ligji irlandez përcakton blasfeminë me “publikimin e çështjeve, që janë tmerrësisht abuzive apo fyese në lidhje me çështjet e shenjta të ndonjë feje, duke shkaktuar qëllimisht zemërim në mesin e konsiderueshëm të pasuesve të kësaj feje”.

Reidy thotë se ligjet mbi blasfeminë nuk janë relevante në shekullin e 21-të. Ai thotë se nuk ka më vend për një ligj që mbron fenë, të cilën ai e quan “ideal”.
Ai thotë se njerëzit janë ata, që duhet të kenë të drejta, e jo idealet.

Nuk ka dyshim se ligjet blasfemike paraqesin kufizim të rëndë të fjalës së lirë. Çdo shtytje kundër ligjeve blasfemike duhet të mbrohet sepse është një gjë e mire. Është shumë e rëndësishme që ligjet blasfemike të shfuqizohen”, tha Reidy.

Edhe me shfuqizimin e ligjit të blasfemisë, në Holandë ende konsiderohet vepër penale fyerja e policëve ose mbretëreshës holandeze, Beatrix. Ligjet gjithashtu mbrojnë individët dhe grupet nga nxitja e urrejtjes.(a.i.)
XS
SM
MD
LG