Ndërlidhjet

Maqedoni: Mungesë aktivitetesh para samitit


Ilustrim
Ilustrim
Pavarësisht deklarimeve të institucioneve se mbeten të përkushtuara në procesin e integrimit, përkatësisht për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare thonë se mungesa e aktiviteteve lobuese dëshmon të kundërtën.

Lidija Dimova, nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian, thotë se dhjetë ditë para Samitit të BE-së, nuk vërehet asnjë lëvizje diplomatike që do të konfirmonte këtë pretendim të qeverisë.

Nëse qeveria jonë nuk e di se tani duhet të flejë në Bruksel dhe të kontaktojë pandërprerë me ambasadat e huaja, me mediumet dhe me gjithë faktorët tjetrë relevantë, nëse këtë nuk e bën, atëherë mendoj se ajo nuk është gjendje të udhëheqë asnjë ndërmarrja publike apo organizatë joqeveritare”, thotë Dimova.

Edhe Bekim Kadriu, profesor i së drejtës ndërkombëtare sheh zbehje të aktiteviteve të qeverisë. Ai thotë se kjo mund të jetë si rezultat i asaj se qeveria tashmë e ka të qartë se edhe ky samit i BE-së, nuk do të sjellë asnjë ndryshim nga samitet e kaluara pasi pa zgjidhjen e çështjen së emrit nuk mund të pritet zhbllokimi i procesit integrues.

Qeveria ka të dhëna për epilogun e samitit të BE-së, dhe mendoj se kjo është arsyeja se pse vërehet pasivitet në drejtim të marrjes së veprimeve për ngritjen e vetëdijes te shtetet anëtare të BE-së rreth fillimit të negociatave apo mosndikimit të problemit bilateral që e kemi me Greqinë dhe kështu me radhë, andaj personat e kyçur në gjithë këtë proces nuk janë shumë të motivuar të bëjnë diçka më tepër”, thotë Kadriu.

Por, ndryshe vlerëson profesori Zvonimir Jankullovski. Sipas tij, integrimi i vendit në strukturat euro-atlantike është prioriteti kryesor i institucioneve të vendit, andaj edhe beson se ato nuk kanë devijuar nga ky përkushtim, përkundrazi, sipas Jankullovskit, institucionet po bëjnë gjithçka të mundur për arritjen e këtij synimi që mbështetet nga pjesa dërmuese e qytetarëve të Maqedonisë.

Përkushtimi i atyre që janë të inkuadruar në procesin e politikës së jashtme është i dukshëm, pavarësisht nëse dikush tenton që këtë ta minimizojë apo zbehë përkushtimin e vërtetë të faktorëve relevantë në procesin integrues. Në gjithë këtë çështje, nuk duhet harruar fakti se ekzistojnë kritere objektive që pengojnë këtë proces dhe që nuk varen nga angazhimi i qeverisë”.

Sidoqoftë konsideroj se qeveria që përbëhet nga subjekte të ndryshme politike, është e angazhuar në këtë proces, si për zgjidhjen e çështjes së emrit, ashtu edhe në përmbushjen e kritereve dhe nuk besoj se dikush tjetër do të mund të bënte më shumë”, konsideron Jankullovski.

Ndryshe, edhe shefi i diplomacisë, Nikolla Poposki, ditë më parë tha se Maqedonia ka bërë gjithçka sa i përket procesit integrues dhe se për këtë i ka njoftuar edhe zyrtarët evropianë gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel.

Burime të qeverisë kanë thënë se Maqedonia në Samitin e BE-së, pret që të vendoset për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, por ky vendim do të kushtëzohet me zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, në fazën më të hershme të negociatave.
XS
SM
MD
LG