E mërkurë, shtator 03, 2014 Kosova 01:40

Bota

SHBA: Republikanët, demokratët – betejë për imigracionin

Green Card
Green Card
Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara e ka miratuar një dokument me të cilin mund të zhvlerësohet lotaria vjetore (Green Card Lottery), nëpërmjet së cilës mijëra personave të jashtëm u jepen vizat për qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.

Me propozimin e ri, vizat nga kjo lotari do të rezervoheshin për të jashtmit, që në Shtetet e Bashkuara kanë diplomuar në fushë të shkencës ose teknologjisë.

Megjithëqë, kjo masë me gjasë nuk do të shndërrohet në ligj, ajo tregon luftën e ashpër politike për reformën e imigrimit në Shtetet e Bashkuara, që pritet të vazhdojw edhe në vitin 2013.

Më 30 nëntor, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan, me shumicë republikane, me 245 vota për dhe 139 kundër, votoi për ta mbështetur planin për rezervimin e 55 mijë vizave për qëndrim të përhershëm ose lotarisë “Green Card”, për personat e jashtëm, që kanë diplomuar në Universitetet amerikane me titullin master dhe doktor në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Kjo praktikisht nënkupton eliminim të lotarisë “Green Card”, me të cilën shpërblehen 55 mijë persona të jashtëm nga vendet me shkallë të ulët të imigrimit, përfshirë ish vendet sovjetike dhe Afrikën.

Si republikanët, ashtu edhe demokratët, thonë se e favorizojnë ndihmën për të jashtmit me aftësi për teknologji të lartë, që të mbeten në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar në nxitjen e inovacioneve.

Lamar Smith, republikan nga Teksasi, që e ka paraqitur dokumentin STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë), thotë se ky legjislacion do ta bënte nxitjen e inovacioneve.

Në ekonominë globale, ne nuk mund t’i lejojmë vetes që t’i arsimojmë këta të diplomuar të jashtëm në Shtetet e Bashkuara dhe pastaj t’i dërgojmë prapa në shtëpi për të punuar për konkurrentët tanë”, tha ai në fjalimin e tij para votimit në Dhomën Përfaqësuese.

Lobi i teknologjisë në Shtetet e Bashkuara, po ashtu, e ka mbështetur këtë legjislacion.

Por, ligjvënësit demokratë e kanë kundërshtuar këtë, duke argumentuar se legjislacioni nuk i merr parasysh përpjekjet për reformë gjithëpërfshirëse imigruese dhe i diskriminon imigrantët me aftësi më të ulëta, që luajnë rol të rëndësishëm në ekonominë amerikane.

Luis Gutierrez, anëtar i Dhomës nga Illinoisi, nenet e këtij legjislacioni i vlerësoi si “goditje ndaj vlerave themelore dhe ndaj traditës së pasur të imigrantëve në Shtetet e Bashkuara”.

Nuk kishte linjë speciale për të diplomuarit me titull doktor ose master në Ellis Island. Nuk ka pasur fusnotë në Shtatoren e Lirisë, që thotë se koeficienti i inteligjencës suaj duhet të jetë i lartë”, tha Gutierrez.

Para votimit, Shtëpia e Bardhë tha se nuk i mbështet propozimet e legjislacionit.

Por, konsiderohet se ky legjislacion nuk do të ketë kurrfarë gjasash që të kalojë në Senat, ku shumicën e kanë demokratët.

Audrey Singer, eksperte për politikën imigruese amerikane në Institutin Brookings, thotë se nëse ky legjislacion paraqet ndonjë paralajmërim, mospajtimet në Kongres për reformat e imigracionit do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2013.

Legjislacioni nuk ishte legjislacion dypartiak, ai ishte i sponzorizuar nga republikanët. Prandaj, mendoj se për të lëvizur përpara, dokumenti sikur ky ose çfarëdo reforme e imigracionit, që ne do t’i shohim gjatë vitit të ardhshëm apo edhe më gjatë, realisht duhet që të dy palët të ulen në tavoilinë para se të paraqitet diçka që është e pranueshme për të dy palët. Në të kundërtën, kjo vetëm do të kthehet prapa, atje ku ishte në fillim”, tha Audrey Singer.

Reforma imigruese ishte çështje e nxehtë në fushatën për zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit, në të cilën hispanikët dhe minoritetet e tjera fuqishëm e mbështetën presidentin Barack Obama.

Presidenti ka shprehur përkushtim për tu marrë me këtë çështje dhe për ta trajtuar atë si një nga prioritetet e tij në mandatin e dytë presidencial, ndërsa demokratët e kanë mbështetur legjislacionin që sa më shumë prej 11 milionë imigrantëve ilegalë në Shtetet e Bashkuara, të vendosen në rrugën për marrjen e shtetësisë.

Në anën tjetër, republikanët ballafaqohen me presion për t’u treguar votuesve minoritarë dhe të tjerëve, se ata, po ashtu, janë serioz për reformën e imigrimit.

Aktualisht, ata kanë argumentuar se duke u fokusuar në zvogëlimin e dallimeve të pjesëve të legjislacionit, me gjasë, do të arrihen më tepër rezultate se sa duke pritur marrëveshje të mëdha dypartiake. (f. b.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum