E premte, tetor 31, 2014 Kosova 08:42

Monitor

Indeksi i Korrupsionit: Kosova shënon përmirësim të lehtë

“Transparency International"
“Transparency International"
RFE /RL
Organizata “Transparency International” ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012, duke renditur 176 vende në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik.

Gjetjet tregojnë se korrupsioni vazhdon të sfidojë shoqëritë në mbarë botën.

Sipas këtij indeksi, Kosova sivjet ka shënuar përmirësim të lehtë. Ndryshe nga viti 2011 kur ka zënë vendin e 112-të, këtë vit ajo renditet e 105-ta.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova mban pozitë më të avancuar vetëm ndaj Shqipërisë, e cila renditet në vendin e 113-të. Shqipëria ka pësuar rënie të madhe nga viti i kaluar, kur është renditur në pozitën numër 95. Me një vlerësim më të dobët sivjet përballet edhe Mali i Zi, duke rënë nga vendi i 66-të, ku ka qenë vitin e kaluar, në vendin e 75-të.

Nga vendet e rajonit, përmirësime ndërkaq kanë shënuar edhe Kroacia, nga pozita numër 66 në pozitën numër 62, Bosnja nga 91 në 72 dhe Serbia nga 86 në 80. Maqedonia ka mbetur në vendin e njëjtë, numër 69, ashtu si edhe vitin e kaluar.

Dy të tretat e 176 vendeve kanë më pak se 50 pikë, në tabelën prej 0 deri në 100, çfarë tregon se institucionet publike duhet të jenë më transparente dhe zyrtarët më përgjegjës.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012, Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re zënë vendin e parë me 90 pikë, duke u ndihmuar nga qasja në sistemet e informacionit dhe rregullat që caktojnë sjelljen e atyre që mbajnë poste publike.

Afganistani, Koreja e Jugut dhe Somalia, ashtu si edhe në vitet paraprake, ndodhen në fund të listës. Në këto vende, mungesa e një udhëheqjeje të përgjegjshme dhe e institucioneve efektive publike nënvizon nevojën për të marrë një qëndrim shumë më të fortë kudër korrupsionit.

Pozicionet e shumë vendeve të tjera të botës, ku qytetarët kanë sfiduar liderët e tyre për të ndaluar korrupsionin – nisur nga Lindja e Mesme deri në Azi dhe Evropë – kanë ngecur po ashtu ose janë përkeqësuar.

“Qeveritë duhet të integrojnë veprimet anti-korrupsion në të gjitha vendimmarrjet publike. Përparësitë përfshijnë rregulla më të mira në financat politike dhe më shumë transparencë në shpenzimet publike”, ka thënë kryetarja e organizatës “Transparency International”, Huguette Labelle.

Performancat jo të mira në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012 përfshijnë edhe vendet e Eurozonës, të prekura nga kriza financiare dhe ekonomike.

“Transparency International” ka paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme Evropën që të adresojë rreziqet e korrupsionit në sektorin publik, për të trajtuar krizën financiare.

“Korrupsioni është problemi më i përfolur i botës”, ka deklauar Cobus de Swardt, drejtor menaxhues në “Transparency International”.

“Ekonomitë kryesore në botë duhet të jenë shembull, të sigurojnë se institucionet e tyre janë plotësisht transparente dhe se udhëheqësit e tyre mbahen përgjegjës. Kjo është vendimtare, pasi institucionet e tyre luajnë rol të rëndësishëm në parandalimin e korrupsionit nga lulëzimi global”, ka thënë de Swardt.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit është indikatori kryesor i korrupsionit në sektorin publik, i cili ofron një pamje vjetore të problemit të korrupsionit në gjithë botën.(v.t.)


Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Londonasi Prej : London
06.12.2012 01:08
Koksova qenka permirsu pak a e dini pse,se Fatmir Limaj nuk esht tuj punu.