Ndërlidhjet

Serbia dhe Kosova: Një afrim mes dy ish-armiqve


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq.
"Ekonomist"

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ishte në humor. Duke hequr dorë nga fjalimi i përgatitur për konferencën ballkanike në Bruksel, “Miqtë e Evropës”, më 5 dhjetor, ai foli për një varg çështjesh, dhe e tregoi një anekdotë nga darka e tij, një natë më parë, me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, shkruan “Ekonomist”.

Më tutje gazeta e përshkruan anekdotën e Daçiqit, sipas së cilës ai ka pyetur se “përse ne nuk ndërtojmë një autostradë për në Nish”?, Thaçi ka thënë se “përse ne nuk kërkojmë para nga BE-ja për këtë”? Baronesha Ashton konstatoi se, “Tash ju të dy jeni kundër meje”, ndërsa Daçiqi tha: “Ju keni kërkuar nga ne normalizimin e raporteve, prandaj mirë, na jepni para”!

Gazeta “Economist” vlerëson se kjo anekdotë ishte domethënëse. Kohëve të fundit, Daçiq pati thënë se nëse do ta kishte takuar Thaçin gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-‘99, ai do ta kishte vrarë atë. Tash ai thotë se është domosdoshmëri për të dy personat për ta gjetur një zgjidhje për çështjen e gjatë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që të dy vendet po i parandalon që të lëvizin përpara.

Në Serbi, Thaçi është sulmuar si njeriu i dyshuar për involvim në vrasjen e serbëve për organet e tyre, ndërsa në Kosovë, Daçiq mbahet në mend si dora e djathtë e Sllobodan Millosheviqit, lideri serb që e shtypi Kosovën dhe përfundimisht luftoi kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Hashim Thaçit dhe pastaj luftoi edhe kundër NATO-s, shkruan “Economist”.

Pas tri takimeve, është e qartë se kimia personale ndërmjet dy politikanëve është befasisht e mirë.

Më 4 dhjetor, të dy liderët shënuan progres për një numër të çështjeve, e veçanërisht se si të rregullohen vendkalimet kufitare.

Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, megjithëqë Serbia nuk e pranon vendin e ri, por gjithnjë e më tepër ajo po harmonizohet me faktin.

Njëra nga çështjet, për të cilën u arrit marrëveshje gjatë darkës, ishte se Serbia dhe Kosova tash do të vendosin “oficerë të ndërlidhjes” përkatësisht në Beograd dhe Prishtinë.

Kur të shkruhet historia e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve, mund të ndodhë që tregimi për oficerët e ndërlidhjes të jetë kapitulli i parë, shkruan “Economist”.

Daçiq tha se ai është i ”gatshëm dhe i përgatitur për zgjidhje të përhershme finale” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Vetëm duhet të respektohen interesat legjitimë të serbëve dhe shqiptarëve. Ne na duhet arritja e zgjidhjes së pranueshme për të dy palët”, theksoi ai.

Por, kur është fjala se për çfarë zgjidhjesh flet Daçiq, ai nuk do ose nuk mundet ta thotë.

“Ne nuk e kontestojmë të drejtën e shqiptarëve se ata nuk dëshirojnë të jetojnë së bashku me serbët”, thotë Daçiq dhe shton se, “për ne, ajo që është madhore është çështja e statusit të serbëve, që nuk dëshirojnë të jetojnë në Kosovën e pavarur”.

Gazeta shkruan se afro 130 mijë serbë jetojnë në Kosovë.

Me gjasë 40 mijë jetojnë në pjesën veriore, që kufizohet me Serbinë, dhe nuk është nën kontrollin e Qeverisë së Kosovës. Ata tash po protestojnë kundër marrëveshjes për kufijtë.

Të dy palët dëshirojnë diçka nga të qenët bashkëpunues në bisedat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kosova dëshiron të bëjë progres për të fituar regjim të udhëtimit pa viza në zonën evropiane të Shengenit. Serbia do të dëshironte ta ketë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Stefan Fyle, komisionar për zgjerim i BE-së, tha në konferencën “Miqtë e Evropës” se Qeveria e Serbisë ishte e guximshme dhe kjo duhet të merret parasysh.

Më 29 nëntor Tribunali për Krime të Luftës i Kombeve të Bashkuara në Hagë e liroi Ramush Haradinajn, ish-komandant i UÇK-së, nga akuzat për krime të luftës.

Haradinaj, ish-kryeministër, do të dëshironte ta kthente postin e tij, thotë Daçiq.

Thaçi i ka thënë atij se nuk do të ndodhë kjo, shkruan “Economist”.

“Serbët mendojnë se është më mirë të zhvillohen negociata me Thaçin se sa me Haradinajn”, i tha Daçiq Thaçit.

Bisedimet në Bruksel u zhvilluan, me gjithë ngjarjen tragjike, por shumë të çuditshme ballkanike.

Pak para darkës ndërmjet dy liderëve, ambasadori shumë i respektuar i Serbisë në NATO, Branisllav Milinkoviq, e kishte mbledhur një grup të zyrtarëve serbë nga aeroporti i Brukselit.

Kur ata arritën në vendim e parkimit, Milinkoviq, për të cilin një mik tha se kohëve të fundit e kishte një depresion, eci deri në parapet, u ngjit në të dhe kërceu në vdekjen e tij, shkruan në fund të artikullit javorja londineze, “Economist”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG