E dielë, tetor 26, 2014 Kosova 03:54

Bota

Dy veteranë të luftës në administratën Obama?!

 John Kerry  dhe Chuck Hagel
John Kerry dhe Chuck Hagel
Heather Maher
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, duket i gatshëm të emërojë dy veteranë të luftës në Vietnam në kabinetin e tij – senatorin demokrat, John Kerry, në postin e sekretarit të shtetit, dhe ish-senatorin republikan, Chuck Hagel, si sekretar të Mbrojtjes.

Nëse emërohen në të vërtetë edhe nëse konfirmohen, përvoja e tyre në luftë pritet të ketë ndikim në politikat që do të ndjekë Amerika në katër vjetët e ardhshëm.

Kerry, veteran gati 30-vjeçar në Senat dhe kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, ka avancuar në krye të listës së Shtëpisë së Bardhë, pasi zgjedhja e preferuar e Obamas, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Susan Rice, ka larguar veten nga gara.

Rice është ngufatur në një debat politik, pasi ka dhënë deklarata të pasakta për sulmin e 11 shtatorit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë.

Hagel ka lënë Senatin në vitin 2008, pasi ka shërbyer 12 vjet. Si anëtar me mendje të pavarur i Partisë Republikane, ai është armiqësuar me disa kolegë për shkak të kritikave që u ka bërë politikave të presidentit George W. Bush në Afganistan dhe Irak.

Kerry, i cili ka qenë kandidat presidencial i Partisë Demokratike më 2004, ka dashur pozitë të lartë në shtet pas zgjedhjes së Obamas më 2008, por është kaluar nga Hillary Clinton.

Që atëherë, ai ka shërbyer si i dërguar i Obamas në misione të rëndësishme diplomatike, përfshirë Afganistanin dhe Pakistanin. Kerry, po ashtu, ka qenë personi i zgjedhur i Obamas për marrëveshjen e reduktimit të armëve me Rusinë – START.

Kerry është i njohur edhe për aftësitë e tij për të qetësuar tensionet diplomatike, ashtu siç ka bërë në Pakistan pas vrasjes së Osama bin Ladenit, si dhe për të krijuar marrëdhënie të forta, siç ka bërë me presidentin afgan, Hamid Karzai.

Ai, gjithashtu, ka mbështetjen e të dyja partive në Kongres. Senatori republikan, Bob Corker, ka thënë se Kerry do të ishte ai me të cilin do të donte të punonte Kongresi në një rrugë pozitive.

Senatori tjetër republikan, John McCain, i është bashkuar thirrjes së Kerryt për zonën e ndalim-fluturimit mbi Libi.

Kerry ka qenë kundër Luftës së Gjirit më 1991 dhe ka shkaktuar një skandal të vogël kur i është referuar luftës në Irak si “një rrëmujë”. Gjatë fushatës presidenciale të këtij viti, ai ka sulmuar kandidatin republikan, Mitt Romney, i cili ka folur për luftë të mundshme me Iranin.

“Bisedat kanë pasoja, sidomos kur ato flasin për luftë”, ka thënë Kerry.

Kur është kthyer nga Vietnami, ai është bërë aktivist kundër luftës dhe më 1971 ka kritikuar ashpër strategjinë ushtarake të Amerikës, duke folur në një seancë të Komitetit të Senatit.

Në fjalimin që do të ndihmonte fillimin e karrierës së tij politike, Kerry ka thënë se ai dhe shokët e tij ushtarë “kanë pasur shansin të vdesin për asgjënë më të madhe në histori”.

John KerryJohn Kerry
x
John Kerry
John Kerry
“Ne me siguri jemi të hidhëruar për të gjitha që janë thënë për Vietnamin, për luftën mistike kundër komunizmit. Kemi parë që shumica e njerëzve as që e kanë ditur dallimin midis komunizmit dhe demokracisë. Ata vetëm donin të punon në fushat e orizit, pa helikopterët dhe bombat që digjnin fshatrat e tyre. Ata donin të bënin gjithçka me luftën, sidomos me prezencën e huaj të Shteteve të Bashkuara, vetëm për të qenë në paqe”, ka thënë Kerry.

Hagel është, po ashtu, kritik i luftës. Pikëpamjet e tij mbi rolin ushtarak të Amerikës në botë janë të lidhura ngushtë me ato të Obamas, i cili më 2002 ka fituar vëmendjen kombëtare kur ka thënë se “nuk i kundërshton të gjitha luftërat”, porse “ajo çfarë kundërshton, është lufta e pamend”.

Në një intervistë të këtij viti, Hagel ka thënë se Pranvera Arabe ka treguar se njerëzit duhet të jenë të lirë të zgjedhin qeveritë e tyre. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë bërë disa zgjedhje të gabuara në rajon.

“Gjatë viteve, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë nganjëherë kanë thënë: ‘Le të shkojmë me ekuacion të sigurt këtu, më mirë se me demokraci apo liri’. Megjithatë, ato duhet të vijnë nga brenda. Shtetet e Bashkuara nuk mund të imponojnë demokracinë, ne nuk mund të imponojmë vullnetin tonë”.

Chuck HagelChuck Hagel
x
Chuck Hagel
Chuck Hagel
“Ne kemi qenë të përfshirë në dy luftëra shumë të kushtueshme, nga të cilat kemi mësuar sërish mësimin. Kemi provuar në Vietnam, por nuk ka funksionuar. Në fakt, nuk do të funksionojë kurrë. Përfundimisht, njerëzit do të marrin vendime që duhet t’i marrin. Andaj, ne këtu duhet të jemi gjithmonë në anën e djathtë”, ka theksuar Hagel.

Ashtu si edhe Obama, Hagel favorizon bisedimet diplomatike me Iranin. Ashtu si presidenti dhe Kerry, ai ka kritikuar bisedimet për luftë me Iranin. Në vitin 2008, Hagel ka thënë se është “zemëruar” me deklaratat e kolegut të tij, John McCain, për sulme ushtarake në Republikën Islamike.

Si senator, Hagel gjithashtu ka kundërshtuar rritjen e sanksioneve amerikane kundër Iranit dhe ka qenë kundër sanksioneve ndaj regjimeve të Koresë së Veriut, Libisë dhe Kubës.

Ai ka kundërshtuar edhe vendimin e Obamas për të dërguar trupa shtesë në Afganistan.

“Është lehtë të futesh në luftë, por jo edhe aq e lehtë të dalësh. Ne nuk mund ta vëzhgojmë përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan përmes thjerrëzave që shohin vetëm fitore ose humbje. Iraku dhe Afganistani nuk janë të Amerikës, për të fituar ose humbur”, ka shkruar Hagel në “Washington Post”, në vitin 2009.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum