E mërkurë, korrik 23, 2014 Kosova 18:09

Shëndetësi

Të arriturat dhe sfidat në shëndetësi

QKUK
QKUK
Ministria e Shëndetësisë e ka cilësuar vitin 2012 si një vit të mbarë për shëndetësinë kosovare.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani në një konferencë përmbyllëse për këtë vit, ka theksuar se përpos arritjeve, ka pasur edhe sfida me të cilat ministria që ai udhëheq është përballur.

Ai tha se ky vit po përmbyllet me miratimin e Ligjit të ri të Shëndetësisë, i cili hap procesin e reformave të thella në shëndetësi, për t’i dhënë fund një sistemi shëndetësor që ka funksionuar me shumë probleme, për të hapur rrugë për një sistem të ri, të riorganizuar dhe me një financim të qëndrueshëm.

Si rezultat i parë i kësaj reforme, sipas zotit Agani  është edhe rritja prej 21.5 për qind e buxhetit për shëndetësinë për vitin 2013, i cili prej 88 milionë sa ishte për 2012, në vitin 2013 do të jetë rreth 107 milionë euro.

Ferid AganiFerid Agani
x
Ferid Agani
Ferid Agani
Për vitin 2013, kemi siguruar punësimin e 320 punëtorëve të rinj me vlerë prej 1 milion e 824 mijë euro. E kemi siguruar buxhetin për funksionalizimin e shërbimeve të reja të  kardiokirurgjisë  dhe radioterapisë në vlerë prej 1.5 milion euro prej të cilave 1.2 milion euro kanë ardhur donacion nga qeveria italiane”.

Në vitin 2012 e kemi rritur buxhetin për barna nga 18.5 milionë në 21 milionë e 213 mijë euro. Pra kemi një rritje  prej 13. 2 për qind që shpresojmë që do ti mbulojmë nevojat e qytetarëve për barna dhe material harxhues”, bëri të ditur Agani.

Në anën tjetër, Time Kadriaj, anëtare e komisionit për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se në shëndetësinë kosovare nuk ka pasur përmirësim këtë vit.

“Unë nuk mendoj se ka pasur ndonjë përmirësim të dukshëm, dhe nuk e di çka konsideron të arritur ministri Agani, përderisa gjendja në shëndetësi është e njëjtë , furnizimi me barna i njëjtë, onkologjia dhe radiologjia nuk janë funksionalizuar, dhe pacientët detyrohen që radioterapi të kërkojnë trajtim në institucione private, apo jashtë Kosovës. Menaxhimi në QKUK nuk ka qenë në nivelin e duhur, vetë procesi i drejtorëve të klinikave ka qenë i dështuar”, u shpreh Kadriaj.
 
Ndërkaq  edhe përkundër buxhetit të ulët që është ndarë për këtë vit për Ministrinë e Shëndetësisë, sipas zonjës Kadriaj ka pasur keqpërdorim të parasë publike.

Buxheti që është ndarë për Ministrinë e Shëndetësisë  është i ulët krahas kërkesave që ka shëndetësia, por edhe ky buxhet nuk është shfrytëzuar si duhet, meqë ka shumë keqpërdorime si nga ministria, po ashtu edhe institucionet shëndetësore”.

Sidoqoftë, ministri Agani shprehu bindjen se viti 2013 do të jetë një vit i zhvillimit të reformave, ku objektiva mbesin: funksionalizimi i shërbimit spitalor dhe klinik Universitar i Kosovës, i themeluar me Ligjin e ri të Shëndetësisë, funksionalizimi i Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë, themelimi i Odave të Profesionistëve Shëndetësor, zbatimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe objektivat të tjera.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum