Ndërlidhjet

Komuniteti LGBT, i stigmatizuar


LGBT
LGBT
Kushtetuta e Republikës së Kosovës i garanton liritë dhe të drejtat themelore të çdo qytetari të vendit dhe ata janë të barabartë në këtë Kushtetutë dhe para ligjit, vlerësojnë disa të rinj të Prishtinës.

Ata thonë se kjo kushtetutë është burim dhe obligim për tolerancën ndërnjerëzore në vend, i cili karakterizohet me shumëllojshmëri etnike, fetare dhe sociale.

Por, kur flitet për realizimin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të të ashtuquajturit komunitetit të Lesbikeve, Gay, Biseksualëve dhe Transeksualëve, i njohur si Komunitetit LGBT, ata kanë pikëpamje të ndryshme.



Në rubrikën tonë të përjavshme VOX, ata jo rrallë shprehen konfuz lidhur me këtë çështje, refuzues ndaj këtij komuniteti, edhe pse shumica prej tyre theksojnë se të drejtat e këtij komuniteti janë të garantuara dhe ato duhet të respektohen.

Vildane Morina, nxënëse e shkollës së mesme, thotë se për të është e pakuptimtë qasja që kanë pjesëtarët e komunitetit LGBT ndaj seksualitetit.

“Shkurt e shqip, nuk i kuptoj. Ndoshta edhe ata i kanë ndjenjat njëjtë sikur ne, por, nuk di... Shumë më pengon. Përderisa unë vetë nuk jam ashtu, më pengon shumë dhe nuk do të rrija me ta kurrë. Ndoshta, janë shumë të mirë, mbase edhe më të mirë se ne, por nuk e di... Mbase do t’i kuptoja nëse do të isha edhe unë si ta. Le t’ua respektojnë ligjet e të gjitha, por unë nuk do t’ua respektoja”, thotë Vildanja.

Qëndrim jotolerant ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT dhe orientimit të tyre, shfaq edhe Endrit Brajshori, nxënës i shkollës së mesme. Ai thotë se nuk i bën përshtypje prezenca e këtij komuniteti në mjedisin ku jeton, por megjithatë nuk do të dëshironte të gjendej afër tyre.

“Përshtypje nuk më bëjnë, por sa më shpejt të largohem prej tij, sepse nuk më duket diçka interesante të rri afër tij. Nuk di... Nuk është i njëjtë në disa gjëra. Nuk e di se a mund të jemi të barabartë me ta. Nuk e di se sa mund t’i respektojmë, sepse nuk na duken interesante të drejtat e tyre”, shprehet Endriti.

Enis Hajdarmataj, vlerëson se pavarësisht qëndrimeve personale lidhur me orientimet seksuale të njerëzve, duhet të respektohen zgjedhjet e tyre dhe të ekzistojë toleranca ndër-njerëzore:

“Mua, personalisht nuk më pëlqen kjo, por duhet të ketë tolerancë. Secili e ka pavarësinë e tij dhe jetën e tij. Jeta private e kujtdo nuk i intereson askujt”.

Megjithatë, jotoleranca ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT, është treguar edhe ditë më parë, gjatë organizimin që kishte bërë organizata “Libertas”, për publikimin dhe promovimin e numrit më të ri të revistës “Kosova 2.0”.

Edicioni i titulluar “Seks”, fliste për edukatën seksuale, artin dhe profilet seksuale, politikat seksuale të Evropës, dhe tema të tjera që lidhen me seksin, ndër të cilat edhe jeta e komunitetit LGBT (Lesbike, Gay, Biseksualë dhe Transeksualë).

Me këtë rast është shënuar sulm fizik ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve nga grupe ekstreme. Kjo ka nxitur reagimin e kryeministrit të Kosovës, Avokatit të Popullit, si dhe organizatave që merren me të drejtat dhe liritë e njeriut në vend, të cilët e kanë dënuar ashpër këtë sulm.

Lidhur me këtë rast, Zaim Sertolli, student, thotë se ligji duhet të zbatohet ndaj të gjithë atyre që cenojnë liritë e të tjerëve, pavarësisht qëndrimeve të tyre personale.

“Unë mendoj se nuk janë duke u zbatuar. Përderisa nuk i kanë lejuar ta bëjnë as atë mbledhjen apo çfarë kanë pasur, do të thotë se nuk zbatohen (të drejtat), sepse jemi shtet i ri. Ata e kanë jetën e tyre dhe mendoj që duhet t’i respektojmë, në kuptimin që thjesht, të mos u përzihemi se çfarë bëjnë. Secili e ka të drejtën për jetën e tij dhe këtë duhet ta respektojmë”, konsideron Zaimi.

Ndryshe, në nenin 24 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se askush nuk mund të diskriminohet në bazë të orientimit seksual.

Por, Dioklea Hoxha, nxënëse e shkollës së mesme, thotë se ligjet duhet të respektohen, pavarësisht nëse u pëlqen ose jo njerëzve të caktuar orientimi seksual i të tjerëve.

“Unë mendoj që ligji nuk po zbatohet dhe qytetarët nuk i respektojnë të drejtat e njerëzve për ta zgjedhur vetë partnerin e tyre. Mendoj që pengohen shumë nga shoqëria dhe nuk kanë aspak respekt qytetarët për ata persona. Sinqerisht më vjen pak e rëndë ta them kështu, se nuk më vjen shumë mirë që ta kam dikë të tillë afër. Por, nëse po, përsëri do të mundohem që t’i përkrah. Është e drejta e tyre ta zgjedhin kë të duan”, shprehet Dioklea.

Besart Marteta thotë se nuk pajtohet me mënyrën e sjelljes dhe orientimin seksual të pjesëtarëve të komunitetit LGBT, por, sipas tij, të drejtat e tyre duhet respektuar:

“Në qoftë se mendojmë të pranohemi në BE dhe ta respektojmë Kushtetutën, atëherë duhet t’i respektojmë të drejtat e tyre. Nëse i takojnë atij seksualiteti, atëherë duhet t’ua respektojmë të drejtat e tyre dhe duhet t’i shikojmë si çdo qytetarë tjetër të Kosovës dhe pse është pak e pakuptimshme për mua, si një i ri i Kosovës. As katragjyshat e as stër-stër gjyshat tonë nuk e kanë pasur në traditë të martohen mashkull me mashkull ose femër me femër”.

Mendim të ngjashëm ka edhe Ragip Ramzesi. Por, sipas tij, respekti dhe toleranca duhet të jenë të ndërsjella.

“Mendoj se duhet të respektohemi, por jo edhe të imponohemi. Thjesht, nuk duhet të keqtrajtohen. Në fakt, duhet të tolerohen, mirëpo jo edhe të tejkalohen kufijtë dhe të lejohen që të na imponojnë këtë gjë, sepse jemi qytetarë të vetëdijshëm dhe jemi popullatë duke u zhvilluar. Nuk duhet të na imponohet. Thjesht, nuk është veti e mirë”, thotë Ragipi.

Të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht orientimit të tyre seksual, duhet të respektohen dhe të trajtohen të barabartë, vlerëson edhe Redona Kuçi. Por, marrë parasysh rrethanat ekzistuese në Kosovë, sipas saj, edhe pjesëtarët e komunitetit LGBT, duhet të jenë të kujdesshëm:

“Në shtetin tonë, në vendin ku ne jetojmë, mendoj se nuk respektohen aspak këta njerëz, edhe pse Kushtetuta i mbron ata, por megjithatë, njerëzit jo. Nuk e di... ndoshta nuk na ka rastisur që të jetojmë me njerëz të tillë dhe një lajm i tillë është pak i vështirë të kuptohet nga popullata. Mendoj se duhet t’i shikojmë edhe ata si pjesë të shoqërisë, sikurse jemi edhe ne të tjerët”.
XS
SM
MD
LG