E shtunë, nëntor 01, 2014 Kosova 11:21

Kronika

Ekzekutivi prin në shkeljen e të drejtave të njeriut

Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Rastet e shkeljeve mbi të  drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë, të cilat janë paraqitur tek Institucioni i Avokatit të Popullit, kanë shënuar rritje për rreth 12 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Kështu deklaroi të enjten Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, duke prezantuar sfidat, me të cilat është ballafaquar institucioni që ai drejton.

Sipas tij, ky bilanc në fushën e të drejtave të njeriut, përfshin të gjitha ankesat, të cilat këtij institucioni i kanë arritur deri një ditë më parë.

“Këtë vit kemi mbi 1650 ankesa, deri tani. Do të thotë, diku rreth 200 më shumë se një vit më parë. Ne i kemi hapur nga këto ankesa 533 raste - do të thotë nga ankesat e pranuara, sepse jo të gjitha mund të hapen dhe janë të pranueshme. Prej tyre, kemi hapur po ashtu 33 raste sipas detyrës zyrtare. Ndërkaq, prej këtyre rasteve i kemi mbyllur 342 dhe pozitivisht janë mbyllur 207 raste , që do të thotë, janë 61 për qind të rasteve të mbyllura pozitivisht”, tha Kurteshi.

Sipas Kurteshit, mbi 40 për qind e ankesave janë të drejtuara kundër ekzekutivit në përgjithësi, pastaj rreth 36 për qind janë kundër gjykatave, si dhe të tjerat janë kundër ndërmarrjeve publike.

Ai theksoi se ende nuk ka ndonjë hulumtim për të gjetur shkaqet e rritjes së nivelit të ankesave në Institucionin e Avokatit të Popullit, por shprehu mendimin se kjo reflekton ndërgjegjësimin e publikut, informimin më të mirë të tij, si dhe rritjen e besimit ndaj këtij institucioni.

Por, shqetësimi kryesor për këtë institucion, sipas Kurteshit, është mospërfillja dhe moszbatimi i ligjit që rezulton me humbjen e besimit të njerëzve në institucionet shtetërore.

Sami KurteshiSami Kurteshi
x
Sami Kurteshi
Sami Kurteshi
“Ne mendojmë se kur shohim shkelje në nivelet më të larta, kur shohim njëfarë kaosi, kjo bën që njerëzit ta humbin besimin në zgjidhjen ligjore të problemeve të tyre, kur shohim se ka edhe probleme më të mëdha. Ky është shqetësimi ynë më i madh. A shkelet ligji vetëm 1 herë apo 1 mijë herë, është krejt e njëjtë, ne kemi të bëjmë me shkelje të ligjit”.

“Në qoftë se këtë e bëjnë institucionet shtetërore, kjo është pjesa tragjike, sepse në fund të fundit, shteti krijohet për ta mbrojtur të dobëtin nga i forti. Në qoftë se konstatohet dhe e shohin të gjithë njerëzit se në të vërtetë shteti nuk po e luan rolin e vet, kjo është ajo që neve na mundon. Kjo është ajo që ne e quajmë tragjike”, thekson Kurteshi.

Në anën tjetër, Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, tha se të drejtat e njeriut në një shtet reflektohen për aq sa respektohet ligji në atë shtet.

“Në qoftë se e kemi parasysh kontekstin ekonomik-social, në të cilin jetojnë shumica e qytetarëve të Kosovës, me një papunësi afër 60 për qind, me një varfëri afër 75 për qind, është bukur e vështirë që të flitet për kualitetin e respektimit të drejtave të njeriut, në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

“Kosova është me tri pushtete. Me pushtetin e ndërkombëtarëve në disa fusha ekzekutive, siç është EULEX-i, me pushtetin e institucioneve të Kosovës dhe me pushtetin e Serbisë në veri dhe në enklavat ku jetojnë serbët, është shumë vështirë që të krijohet një mekanizëm, i cili do t’i respektonte të drejtat e njeriut”,  vlerësoi Shala.

Shala shtoi se të drejtat e njeriut në Kosovë fillojnë të shkelen që nga fëmijët, të cilët detyrohen të bëjnë punë që janë të ndaluara me të drejtat ndërkombëtare, e deri te pensionistët, të cilët, sipas tij, nuk mund ta realizojnë një jetë të dinjitetshme, për shkak se u mohohet e drejta e realizimit të pensioneve pas punës rreth 50 vjeçare.

Mosrealizimi i të drejtave të ish të burgosurve politikë, dhuna në familje e sidomos ndaj gruas, kërcënimet ndaj gazetarëve me tendencë të kufizimit të lirisë së shprehjes dhe e mendimit, moszbardhja e fatit të personave të pagjetur , si dhe dhuna ndaj personave me orientim të ndryshëm seksual, janë një varg fushash ku shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut, vlerësoi Shala.

“Ne, si KMDLNJ, e konsiderojmë se është shkelje e të drejtave të njeriut. Po them, këto janë ato kategoritë kryesore, të cilat janë të sulmuara në fushën e të drejtave të njeriut. Mirëpo, me një mozaik ekonomik-social që e ka tash, nuk mund të themi se Kosova është një model për shtetet tjera se si respektohen të drejtat e njeriut”, theksoi Shala.

Ndryshe, Institucioni i Avokatit të Popullit i Kosovës javë më parë është pranuar në Institutin Ndërkombëtar të Ombudspersonave, organizatë kjo e vetme dhe më e madhja botërore e këtij lloji, ku bashkohen të gjitha institucionet kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në gjithë botën.

Kurteshi apeloi që të kufizohet sipas ligjit përdorimi i mjeteve piroteknike gjatë festave, për shkak të rrezikut që shkaktojnë ato ndaj fëmijëve. Gjithashtu, ai ka ngritur shqetësimin për përdorimin e forcës dhe armëve në zgjidhjen e konflikteve private ndër-njerëzore, që ditëve të fundit është shpeshtuar.

Bekim Bislimi

beka.bislimi+gmail.com

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum