E shtunë, gusht 23, 2014 Kosova 15:22

Aktuale

Të rinjtë shqiptarë e serbë: Presin ndryshime, por shpresojnë pak

Kosovë, foto nga arkivi
Kosovë, foto nga arkivi
Qytetarët e Kosovës presin që gjatë vitit 2013 të ketë ndryshime pozitive në jetën e përgjithshme në Kosovë. Ata thonë se viteve të fundit, ashtu sikurse edhe në vitin 2012, gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovë është rënduar dhe presin që kjo gjendje të ndryshojë.

Por, megjithatë, shumica e tyre janë skeptikë lidhur me ndryshimet e mundshme pozitive.

Mehmet Qelaj, thotë se pritjet e të gjithë qytetarëve janë që ndryshimet të ndodhin në çdo fushë të jetës.



Presim ngritje të pagave në nivelet e shërbyesve civil, të shëndetësisë dhe arsimit. Të shpresojmë që viti 2013 do të jetë me disa ndryshime tjera . Së pari, të ketë ngritje të zhvillimit ekonomik, e pastaj, perspektivë më të mirë për të rinjtë, për universitetin, për fëmijët, në nivel të Kosovës, në përgjithësi”.

Kreshnik Elezi, shpreson që në Kosovë të vijnë investimet e huaja në mënyrë që të përmirësohet situata në rrafshin ekonomik dhe social.

Në aspektin shoqëror, por edhe ekonomik, besoj që do të ketë ndonjë iniciativë ndërkombëtare për investime më të mëdha në vendin tonë. Por, natyrisht që edhe në aspektin politik, besoj që do të kemi mbështetjen e Bashkimit Evropian në procesin e liberalizimit të vizave”.

Yllnora Elshani, shpreson që gjatë vitit 2013 të hapen mundësi më të mëdha për të rinjtë.

Unë mendoj që në aspektin e të rinjve të ketë më shumë punë dhe të ketë më shumë studentë që e meritojnë të studiojnë edhe më tepër se tash. Më shumë vende të lira të punës dhe të tjera. Perspektivë më të mirë të kemi e jo me kaq ngecje sikurse viteve të mëhershme”.

Mehmet Dërguti thotë se pret që të paktën njerëzit ta kenë shëndetin e mirë.

Së pari pres shëndet dhe lumturi, e më pas vinë me radhë, të ketë punë për të papunët që janë etj. Por, kryesorja është shëndeti. Ndërkaq, në politikë... shumë e kanë pështjelluar”.

Zyhra Llalloshi pret që Kosova të ketë më shumë suksese në aspektin politik, por edhe në të tjerat fusha.

Pres që sukseset të mos mungojnë në aspektin politik, por edhe kjo krizë ekonomike dhashtë Zoti të zbutet pak. Shihet se çfarë papunësie ka në Kosovë...Tmerr”.

Ndërkaq, Xhafer Bicaj është mjaft skeptik se viti 2013 do të sjellë ndryshime pozitive në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Fatkeqësi unë jam goxha skeptik. Këta udhëheqësit tanë e ish-studentët e mi – unë i kam pasë shumicën e tyre studentë sepse kam qenë profesor- ma shumë po shikojnë për vete, për klane, se sa për mbarë popullatën. Prandaj nuk pres ndryshime të mëdha. Shpresoj që bëhet më mirë, por nuk jam shumë optimist”.

Në anën tjetër, qytetarët serbë të veriut të Kosovës, kryesisht pritjet dhe shpresat e tyre i lidhin me situatën në vendin ku jetojnë. Milena Gjuriq, tha se dëshiron që gjatë vitit 2013 të ketë qetësi dhe paqe në veri të vendit.

Ajo që unë pres është që të ketë paqe në rajonin e Mitrovicës, por edhe përgjithësisht në Kosovë. Gjithashtu, dëshiroj të gjej punë”, tha Gjuriq.

Slavisha Jovanoviq thotë se pret që edhe gjatë vitit 2013 serbët në veri, siç thotë ai, të mbijetojnë dhe të vazhdojnë të jetojnë në atë pjesë të vendit.

Konkretisht, për mua dhe për këtë popull që jeton këtu, shpresoj që të mbesim këtu. Të ketë më shumë studentë, sepse edhe vitin e fundit ka pasur mjaft të regjistruar në të gjitha fakultetet dhe për neve është shumë domethënëse . Natyrisht, shpresojmë që të ketë paqe”, tha Jovanoviq.

Ndërkaq, Jelena Stankoviq thotë se nuk është aspak optimiste se mund të ndodhin gjëra pozitive gjatë vitit 2013 për serbët në veri të Kosovës.

Nuk pres ndryshime. Të gjithë këta njerëz që janë këtu dhe që janë në pushtet tash e 13 vjet, asgjë s’kanë bërë lidhur me jetën, mbijetesën ose ndonjë përparim në këto hapësira. Kemi pasur mjaft raste për këto, por të gjitha i kemi humbur. Ajo që unë shpresoj që do të ndodhë këtë vit, është zgjidhja e çështjes së veriut të Kosovës, me një formë të autonomisë, qoftë edhe në kuadër të Kosovës së pavarur”, theksoi Stankoviq.

Bekim Bislimi

beka.bislimi+gmail.com

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum