Ndërlidhjet

Berisha: Teatri Kombëtar, teatër i sfidave


Burbuqe Berisha
Burbuqe Berisha

Teatri Kombëtar i Kosovës ka arritur që edhe gjatë këtij viti ta realizojë rolin dhe funksion e tij, pavarësisht një varg sfidash, me të cilat përballet ky teatër, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Burbuqe Berisha, drejtore e këtij teatri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonjusha Berisha, a po arrin teatri të realizojë rolin dhe funksionin e tij, fillimisht për publikun, por edhe për vetveten?


BURBUQE BERISHA
Unë mendoj që po, sepse është një sfidë e madhe të jesh pjesë e prodhimtarisë së teatrit në Kosovë për shumë arsye, sepse puna artistike kudo në botë është shumë e shtrenjtë dhe ne kemi kushtet tona solide që mundohemi t’i harmonizojmë me standardet tona jetësore në Kosovë.

Unë mendoj që teatri që unë udhëheq, ka arritur të arsyetojë vetveten, jo vetëm në formën e vet artistike, por edhe në formën e vet të prodhimtarisë sa më të mirë teatrore. Prapë po e theksoj, në qoftë se e shikojmë, ne jemi teatri, i cili ka buxhetin më të vogël në rajon dhe ka mundësitë më të vogla, kurse kemi produksionin më të lartë. Domethënë ne, po flas për vitet e fundit, asnjëherë nuk kemi qenë nën 6 premiera gjatë sa i përket teatrit.



Kurse, në rajon, vetëm në Shqipëri po të shkoni, janë dy premiera në vit. Po ashtu, kemi respektuar shumë pjesën e lansimit të shfaqjeve në arenën ndërkombëtare, edhe kombëtare edhe ndërkombëtare.


RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, cilat janë shqetësimet që e përcjellin Teatrin Kombëtar?


BURBUQE BERISHA
Ka mjaft shqetësime. Shqetësime janë ato, të cilat tashmë jemi mësuar. Thashë edhe më herët, sepse ne jetojmë në këto kushte, dhe kemi një standard goxha të ulët ekonomik.

Shqetësim tjetër është që ende nuk e kemi ripërtërirë ansamblin me aktorë të rinj, dhe kryesisht kemi moshën e vjetër pjesë të ansamblit dhe gjithmonë mundohemi që përmes kontratave të kemi sa më shumë emra të rinj dhe kjo i kushton buxhetit të teatrit.

Ka mjaft sfida tjera ndoshta edhe infrastrukturore, është i vetmi objekt që është pak më reprezentativ dhe të gjitha aktivitetet kulturore vërsulen që të jenë të pranishme në Teatrin Kombëtar pa qenë të vetëdijshëm që në një formë na pengojnë në mbarëvajtjen tonë.

Sfidë tjetër kemi faktin që ne jemi dy institucione, Teatri Kombëtar dhe Trupa e Baletit që funksionon brenda në hapësirat e Teatrit Kombëtar. Kemi mjaft sfida, po gjithçka është e tejkalueshme në kuadër të asaj, sepse ne kemi qenë si menaxhment shumë të hapur t’u krijojmë hapësirë edhe njerëzve që prodhojnë kulturë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si është situata me premierat e këtij viti? Kanë vazhduar ato shfaqje edhe përgjatë sezonit?


BURBUQE BERISHA
Po kanë vazhduar. Secila prej tyre e ka jetën e saj artistike. Unë jam mjaft e kënaqur me këto shfaqje, të cilat janë prezantuar në Teatrin Kombëtar. Ne kemi pasur 6 premiera gjatë këtij viti, dhe dy koproduksione, që komplet janë 8 premiera.

Kemi pasur një interesim mjaft të madh sa i përket shikueshmërisë, kryesisht janë vizituar shfaqjet, të cilat janë komedi, po gjithsesi kemi pasur një numër të madh të premierave dhe një numër të madh të audiencës dhe konsumatorëve të teatrit në teatër.


RADIO EVROPA E LIRË
Jo rrallë ata që merren me teatrin kanë theksuar se në Teatrin Kombëtar mungojnë komeditë origjinale kombëtare. A qëndron kështu problemi?


BURBUQE BERISHA
Unë mendoj se nuk qëndron kështu problemi, sepse ata që mund të japin dhe të lansojnë diçka të tillë, atëherë nuk e vizitojnë teatrin fare dhe kanë mungesë të informacionit.

Në kuadër të Tetarit Kombëtar kemi edhe një konkurs të dramës që quhet “Katarina Josipi”, ku jemi munduar të avancojmë sa më shumë dramaturgjinë kombëtare. Në çdo konkurs tonin, ne kemi pasur një dramë- komedi, dhe atë e kemi pasur pjesë të repertorit që është quajtur në tekstin, titullin origjinal “Zoti maskohet”, kurse në shfaqje regjisori ia ka ndërruar titullin në “Cubi i kukurecit”, një shfaqje me tekst të Rushit Ramabajës, të cilën e ka punuar regjisorja Ilirjana Arifi .

Po ashtu kemi stand-up komedinë e autorit Adem Mikullovci dhe jemi munduar që çkado që është diçka me nivel të mirë artistik, të jetë e pranishme në Teatrin Kombëtar.

Normalisht, kemi pasur edhe komedi të huaja. Sa i përket dramaturgjisë kombëtare unë e di që ata janë shumë më shumë të orientuar kah drama, sidomos për këtë vit jubilar për pavarësinë e Shqipërisë kemi pasur kryesisht dramaturgji kombëtare, kemi filluar me “Dosjen H” të Kadaresë, ku flitet për opusin e muzikës dhe etnologjinë shqiptare.

Kemi vazhduar me “Shtëpi në ankand” një dramë familjare, që në fakt është një Kosovë në miniaturë dhe kemi vazhduar me “Majorin e mbretit”, një komedi tjetër e autorit Xhevdet Bajra ka qenë “Vdekja e mushkonjës” që është monodramë, në fakt është shkruar në formën satirike dhe unë mendoj që ato vlera artistike që e përçojnë komedinë, ne jemi munduar t’i krijojmë hapësirë në Teatrin Kombëtar.


RADIO EVROPA E LIRË
Viteve të kaluara kryesisht ka pasur ankesa për mbështetje jo të mjaftueshme të kërkesave të teatrit. Si qëndron situata tani lidhur me këtë çështje?


BURBUQE BERISHA
Jemi shumë më mirë, jemi më stabil sa i përket kërkesave tona, po gjithsesi ende nuk është e mjaftueshme realizimi i atyre që ne kërkojmë, gjithmonë kërkojmë buxhetin dhe gjithmonë e kemi të përgjysmuar.

Nuk mund të fajësojmë askënd, për arsye se mendoj që buxheti i Ministrisë së Kulturës është mjaft i vogël dhe nuk mund t’u dalë karshi kërkesave të mëdha që ka teatri dhe çdo institucion tjetër kulturor. Por, në atë mundësi që ka ne kemi një bashkëpunim të mirë dhe reciprok.


RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund të presim vitin e ardhshëm në Teatrin Kombëtar të Prishtinës?


BURBUQE BERISHA
Ka mjaft risi, do të fillojmë me premierën e parë, që do ta kemi më 11 janar, të regjisorit Ekrem Kryeziu, është tekst nga ky vit, teksti me tre aktorë dhe quhet “Përplasje”, dhe do të vazhdojmë me regjisorin e ri Kushtrim Koliqi, që do të ketë një tekst të një autori anglez, Patrih Marber, që quhet “Pas mis Xhulit” që është një frymëzim i autorit Marber nga autori tjetër Strinberg që e ka Mis Xhulin, vetëm ky është një tekst më modern sesa “Mis xhuli” i Strinbergut.

Do të kemi 39 shkallët e tekstit, të cilin do ta punojë Agon Miftari. Domethënë do të fillojmë me regjisorë të rinj, në njëfarë forme po i jap komplimente edhe profesorit Ekrem edhe pse i ka kaluar 71 vjet, mendoj që ende është i ri, po këta dy janë mjaft të rinj.

Dhe, do të vazhdojmë me një tekst të dramaturgjisë kombëtare, nga zoti Musa Ramadani, regjinë e të cilit do ta bëjë Liridon Cahani dhe do të kemi një dy-autorësi së Selami Tarakut, dhe do të kemi një shfaqje tjetër “Vorbull” nga Besim Rexha dhe nga regjisori Agim Selimi.

Kemi një plan që të bashkëprodhojmë një mjuzikël nga Trupa e Teatrit Kombëtar, ajo e Baletit dhe Filarmonisë, dhe jemi në kërkim të përbashkët të fondeve dhe kemi mjaft plane tjera që mendoj se do të jenë mjaft të mira dhe solide sa i përket kësaj pune.

Do të kemi edhe vlera artistike dhe tërheqje të publikut. Mendoj se diçka që do ta tërheqë publikun, do të jenë të gjitha këto shfaqje, sepse do të kenë emrat e aktorëve që janë shumë të dashur sa i përket publikut, meqë ai është një marketing i mirë.

Do të kemi bashkëpunime edhe me Tiranën dhe me Finlandën - një bashkëprodhim ku në fakt është menduar të punohet një koproduksion që do të jetë kryesisht për të rinj, për adoleshentët. Do të mendojmë që të jemi sa më atraktivë me publikun, sepse ne ekzistojmë pse publiku dëshiron. Kështu që gjithçka që ne ofrojmë, duhet të korrespondojë mjaft mirë pikërisht me publikun.

XS
SM
MD
LG