E hënë, shtator 22, 2014 Kosova 12:12

Kronika

Jacobson: Platforma e Beogradit, shpërqëndrim për dialogun Kosovë-Serbi

Tracey Ann Jacobson
Tracey Ann Jacobson
RFE /RL
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Jacobson, ka thënë se platforma e Serbisë për Kosovën është shpërqëndrim për dialogun në mes të Prishtinës e Beogradit.

“Qeveria ime është plotësisht e fokusuar në dialogun, i cili po zhvillohet në Bruksel nën ombrellën e BE-së. Edhe qeveria kosovare është përqendruar në të. Jemi dëshmitarë të disa rezultateve të mira, të cilat kanë dalë nga ky dialog gjatë këtij viti, ndërsa shpresojmë që ato t’i kemi edhe gjatë vitit të ardhshëm në disa çështje të rëndësishme. Çfarëdo iniciative tjetër, sikur që është platforma, është pengesë”, ka thënë Jacobson në një intervistë për Zërin e Amerikës, shërbimi në gjuhën serbe.

Ambasadorja amerikane po ashtu ka shfaqur shpresën se dialogu në fjalë do të sjellë deri te normalizimi i marrëdhënieve midis dy shteteve.

“Konsideroj se dialogu po zhvillohet drejt zgjidhjes që do të sjellë deri te stabiliteti i vendit, deri te investimet e huaja për një zhvillim ekonomik, deri te ndryshimet pozitive në jetën e njerëzve të thjeshtë, të cilët, në njëfarë mënyre, janë peng të kësaj situate që kemi”, ka thënë Jacobson.

Prishtina dhe Beogradi janë duke zhvilluar bisedime të nivelit të lartë, me takimet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Dy zyrtarët, deri më tash, janë takuar tre herë në Bruksel, nën praninë edhe të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Por, ditë më parë, Beogradi ka dalë me një platformë për Kosovën, e cila, pos tjerash, parasheh autonomi për komunat me shumicë serbe në veri. Dokumenti është kundërshtuar fuqishëm nga autoritetet në Prishtinë. 

Duke folur për Zërin e Amerikës, Jacobson, në vijim, ka theksuar se në Kosovë sundimi i ligjit ka shënuar përparim dhe se Shtetet e Bashkuara janë krenare për rolin që kanë pasur në këtë drejtim.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të disa rezultateve në aspektin ligjeve të reja që do të hyjnë në fuqi më 1 janar: Ligji penal, Kodi i procedurës penale, Ligji për gjykatat dhe të tjerë që duhet të kalojnë. Shpresojmë se këto ligje do të krijojnë një bazë të fuqishme për përparimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, ka deklaruar Jacobson.

Megjithatë, ajo ka thënë se pavarësisht këtyre arritjeve, mbetet ende për t’u bërë dhe se SHBA-ja është e gatshme për bashkëpunim me të gjitha institucionet “në mënyrë që Kosova të ecë përpara”.

E pyetur nëse Uashingtoni do të vazhdojë mbështetjen financiare për Kosovën, marrë parasysh krizën ekonomike globale, Jacobson është përgjigjur pozitivisht.

“Jemi shumë krenarë me partneritetin tonë afatgjatë me Kosovën, me marrëdhëniet tona të mira dhe me bashkëpunimin me pakicat në Kosovë. Planifikojmë të vazhdojmë me këtë bashkëpunim. Edhe pse ende nuk kemi buxhet për vitin 2013, nuk pres ndonjë rënie serioze të mjeteve, sepse përkushtimi ynë për Kosovën është rezultat i konsensusit dypartiak, që ndan edhe Kongresi, edhe Administrata. I gëzohem paraprakisht vazhdimit të një bashkëpunimi të tillë”, ka thënë ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Jacobson.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Lorik Prej : Gjermani
29.12.2012 21:18
tani beheni joserioze zonj ambasadore. para nje jave zyrtar te qeveris amerikane deklaruan se ne platformen serbe ka disa elemente qe jan shum pozitive dhe ja vlen te diskutohet per to.
zonjush ju vet deklaroni se keto biseda jan politike, qeveria serbe e ka platoformen, kosova e ka pakon e ahtisarit.
ne fund te cdo dialogo politik demokracia amerikane ne bibel na meson se duhet ber kompromis dhe dihet se cfar kompromisi e pret kosoven zonja ambasadore. ket e din edhe sorrat e malit