Ndërlidhjet

Chavezi në gjendje të rëndë - inaugurimi i pasigurt


Hugo Chavez
Hugo Chavez
Qeveria e Venezuelës ka bërë të ditur se presidenti Hugo Chavez po vuan nga një infeksion i rëndë në frymëmarrje.

Presidenti 58 vjeç raportohet të jetë në gjendje delikate si pasojë e luftës me kancerin.

Ministri për Informim, Ernesto Villegas, ka lexuar deklaratën e qeverisë para mediave.

Pas operacionit delikat të 11 dhjetorit, komandanti Chavez është përballur me komplikime si rezultat i një infeksioni të rëndë në mushkëri. Ky infeksion i ka shkaktuar probleme në frymëmarrje, andaj komandanti Chavez duhet t’i përmbahet rreptësisht trajtimit mjekësor”, ka thënë Villegas.

Deklarata nuk ka dhënë detaje të tjera për gjendjen e Chavezit.

Operacioni i tij më 11 dhjetor ka qenë i katërti me radhë në vetëm 18 muaj.

Presidenti socialist është rizgjedhur në muajin tetor për një tjetër mandat gjashtëvjeçar, pavarësisht se ka qenë i dobët nga terapia me rrezatim. Dy muaj më vonë, ai ka njoftuar për rikthimin e kancerit.

Chavez nuk është shfaqur në publik që nga operacioni i fundit në Kubë.

Opozita ka kërkuar nga qeveria që të japë më shumë detaje për gjendjen e tij shëndetësore.

Nënpresidenti Nicolas Maduro ka folur para mediave, pasi ka vizituar Chavezin në spitalin e Havanas.

Presidenti Chavez është i vetëdijshëm për rrethanat në të cilat është duke jetuar e të cilat janë komplekse. Ai është i vetëdijshëm për betejën që po lufton dhe ka një shpirt luftues, të fortë, me energji dhe besim. Ai është duke luftuar në shoqërinë e të afërmve të tij dhe në shoqërinë tonë”, ka thënë Maduro.

Problemet shëndetësore të Chavezit kanë ngritur shqetësimet nëse ai mund të kthehet në Venezuelë më 10 janar, për t’u betuar në mandatin e ri presidencial.

Autoritetet, megjithatë, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e thashethemeve se Chavezi mund të jetë afër vdekjes.

Nëse ai vdes ose tërhiqet, zgjedhjet e reja do të mbaheshin brenda 30 ditësh. Nënpresidenti Nicolas Maduro do të konkurronte si kandidat i Partisë Socialiste.(v.t.)
XS
SM
MD
LG