Ndërlidhjet

Bota kritikon fjalimin e Bashar al-Assadit


Bashar al-Assad
Bashar al-Assad
Fjalimi i presidentit sirian Bashar al Assad, në të cilin ai paraqiti një nismë të re të paqes, por kundërshtarët e tij i quajti kukulla, ka hasur në kritika në shumë kryeqytetet botërore.

Në Ankara, ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu, tha se Assadi thjesht i ka përsëritur premtimet boshe në fjalimin e tij të së dielës:

Nuk është e mundur të ketë përparim me angazhime boshe, dhe nuk është e mundur të ketë përparim duke mohuar ekzistencën e opozitës siriane, e cila njihet nga gjithë bota. Ne nuk kemi pritur që Assad, të dalë me diçka të re, por ende kishim shpresë. Por, fatkeqësisht komentet e tij tregojnë se ai nuk mund të kuptojë plotësisht se çfarë është duke ndodhur dhe nuk ka ndonjë plan për të ardhmen”, tha Davotuglu.

Në Bruksel, një zëdhënës i shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, tha se blloku nuk do të ndryshojë kërkesën, që Assad të tërhiqet dhe t’ia hapë rrugën një tranzicioni politik.

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, e përshkroi fjalimin e Assadit “më tepër se hipokrit”.

Në një mesazh në Twitter, Hague tha se “vdekjet, dhuna dhe shtypja që kanë gllabëruar Sirinë, po shkaktohen nga Assadi”.

Në fjalimin e tij në Damask, Assad zbuloi një nismë për paqe, që përfshin një konferencë për ripajtimin kombëtar dhe hartimin e një kushtetute të re.

Por, retorika e Assadit ishte e pa kompromis. Çfarëdo bisedimesh për ripajtim, tha ai, do të përjashtojnë “ata që e kanë tradhtuar Sirinë” –një referencë për opozitën e armatosur, që ai i quajti si “kukulla të Perëndimit”.

Duke folur në një fjalim, që u transmetua në televizion nga Shtëpia e Operas në Damask, e cila ishte e mbushur me mbështetës, Assad pranoi shkatërrimin që i është bërë vendit nga konflikti 21 mujor, duke thënë se “vuajtjet janë të mëdha në tokën siriane”.

Sot, unë i shikoj fytyrat tuaja dhe i shikoj fytyrat e bijve të vendit tim. Ato janë plot me trishtim dhe dhimbje. Unë shikoj në sytë e fëmijëve të Sirisë; nuk shoh buzëqeshje të pafajshme dhe unë nuk dëgjoj të qeshura të pafajshme. Gjithashtu nuk i shoh të luajnë lojë që kthejnë buzëqeshjen në fytyrat e tyre. Nuk i shoh të luajnë me lodra. Kam mbajtur duart e të moshuarve, që luten për bijtë e tyre apo për vajzat e tyre, për nipërit e mbesat e tyre”, u shpreh Assad.

Por, ai e mohoi se luftimet e opozitës, kanë të bëjnë me një kryengritje politike kundër sundimit me dekada të familjes së tij, dhe fajësoi për dhunën “kriminelët vrasës” dhe xhihadistët.

Forcat opozitare menjëherë hodhën poshtë nismën presidenciale.

Anëtari i Koalicionit Kombëtar Sirian Khalid Hoxha tha për Reuters në Stamboll se Assadi nuk solli asgjë të re.

Asgjë të re nuk pat në fjalimin e diktatorit. Ai e përshkroi kryengritjen në Siri sikur ajo udhëhiqet nga vendet e huaja. Në këtë fjalim, ai e mohoi realitetin e revolucionit sirian”, u shpreh Hoxha.

Opozita siriane kërkon që Assad të japë dorëheqjen para çfarëdo negociate mbi paqen.

Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 60 mijë njerëz janë vrarë në luftimet mes forcave qeveritare dhe grupeve të armatosura opozitare, që nga marsi i vitit 2011. (a.i.)
XS
SM
MD
LG