E shtunë, tetor 25, 2014 Kosova 16:32

Bota

Indi: Zotim për përgjigje ndaj sulmit të Pakistanit

Flamuri i Indisë dhe i Pakistanit
Flamuri i Indisë dhe i Pakistanit
RFE /RL
Ministri i mbrojtjes i Indisë, K. K. Anthony, e ka dënuar ashpër trajtimin e armatës së Pakistanit ndaj dy ushtarëve të Indisë, që ishin vrarë përgjatë Linjës së Kontrollit në rajonin Kashmir.

Ministri K. K. Anthony, vlerësoi se ky ishte një akt provokues.

Aksioni i armatës së Pakistanit është shumë provokativ. Mënyra se si ata i trajtuan trupat e pajetë të ushtarëve të Indisë është johuman. Ne protestojmë te qeveria e Pakistanit. Ne po e monitorojmë për së afërti situatën”, tha Anthony.

Mediat e Indisë kanë raportuar se njërit prej ushtarëve të vrarë të Indisë, i ishte prerë koka, ndërsa gazeta Hindustan Times ka informuar se ushtari i dytë ishte prerë në fyt.

Ministri i jashtëm i Indisë, Salman Khurshid, ka vlerësuar se vrasja e dy ushtarëve është absolutisht e papranueshme, e kobshme dhe vërtetë e tmerrshme” dhe ka shprehur zotimin për përgjigjje “përkatëse”.

Megjithatë, ai apeloi për mos përshkallëzim të situatës.

Është shumë me rëndësi që të jemi të sigurt se çka do që të ketë ndodhur, nuk duhet të ketë përshkallëzim. Ne nuk mundemi dhe nuk duhet të lejojmë përshkallëzim të ngjarjes shumë fatkeqe, që ka ndodhur”, tha ministri Khurshid.

Dy ushtarët e Indisë ishin vrarë gjatë shkëmbimit të të  shtënave me trupat e Pakistanit, derisa të dy patrullat kishin hasur në njëra-tjetrën në mot me mjegull.

Zyrtarët e Indisë thonë se incidenti ka ndodhur afro 500 metra brenda territorit të Indisë.

Nga ana tjetër, gazeta “Express India” ka raportuar se ushtria e Pakistanit i ka hedhur poshtë akuzat se trupat e saj e kanë kaluar Linjën e Kontrollit brenda në Indi.

Gazeta e ka cituar një zyrtar të paemëruar të ushtrisë së Pakistanit, që ka thënë se akuzat e Indisë “duken sikur propagandë e Indisë për ta shmangur vëmendjen e botës nga ndërhyrja më 6 janar në një bazë ushtarake pakistaneze nga trupat e Indisë, me ç’rast është vrarë një ushtar pakistanez”.

Ish drejtori i policisë për rajonet Jammu dhe Kashmir, M. M. Khajuria, tha se incidenti paraqet ripërtritje të aktiviteteve ushtarake të Pakistanit në rajonin kontestues.

Trupat e Pakistanit, së bashku me militantët, kanë hyrë fshehurazi në territorin tonë. Kjo reflekton se ata i kanë avancuar operacionet e tyre. Për mua kjo paraqet ndryshim madhor politik. Në ditët e ardhshme, ne duhet të kemi kujdes të madh në kufi dhe në nivelin diplomatik”, tha M. M. Khajuria.

Inspektori i përgjithshëm i policisë për Jammu dhe Kashmir, Dilbagh Singh, tha se duhet të shtohet siguria në rajonet kufitare.

Ne nuk mund t’i përjashtojmë aktivitetet e tilla në hapësira të caktuara. Kjo është histori e vjetër. Ndodh rregullisht. Ne duhet ta shtojmë sigurinë tonë në rajonin kufitar”, tha Singh.

Në Linjën e Kontrollit të gjatë 740 kilometra, që rajonin kontestues të Kashmirit e ndanë në dy pjesë, rregullisht ka incidente.

Por, të dy palët thonë se vrasjet e fundit paraqesin një përshkallëzim të tensioneve, që nuk janë parë prej marrëveshjes për armëpushim në vitin 2003. (f. b.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum