Ndërlidhjet

FT: Iluzionet e humbura për Evropën


Ilustrim
Ilustrim
Një kohë të gjatë Mbretëria e Bashkuar ishte vend evropian hezitues. Prej momentit të pranimit. Atëherë në Komunitetin Ekonomik Evropian, para katër dekadash, anëtarësia e saj është shënuar me supozime të gabuara dhe mundësi të pashfrytëzuara, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze, Financial Times.

Raportet problematike të Mbretërisë së Bashkuar, janë çështje e kulturës, e gjeografisë dhe e historisë. Britania është fuqi pasperandorake me prirje ndaj vendeve të tjera anglishtfolëse, e veçanërisht me Shtetet e Bashkuara.

Moskuptimi reciprok ndërmjet Britanisë dhe Evropës, në esencë, ka të bëjë me dallimin në pikëpamje: derisa Mbretëria e Bashkuara e sheh anëtarësinë në klub në kuptime ekonomike, Franca dhe Gjermania, bashkëthemelues, e shohin Bashkimin Evropian si projekt politik i farkuar nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, shkruan Financial Times.

Këto ndarje janë forcuar në periudhën e krizës së eurozonës. Përgjigjja e Evropës, megjithëqë fillimisht ngurruese, e ka shmangur iluzionin se ideja kontinentale e një “unioni edhe më të afërt” është pjellë e etheve të imagjinatave në Bruksel. Të ballafaquar me shkatërrimin e euros, rasti për më tepër qeverisje të integruar ekonomike, tash është urtësi e pranuar në të gjitha kryeqytetet evropiane, përfshirë Londrën.

Zhvillimi i dytë i pas krizës, i qëllimshëm apo jo, është ripërtëritja e Gjermanisë si aktor dominant në Evropë. Ngritja gjermane e ka arritur pikën ku anëtarët e tjerë nuk mund t’i bllokojnë recetat politike të saj fiskale dhe ekonomike. Për shkak të frikës se “Berliner Republik” nuk do të qëndroj prapa shpëtimit të eurozonës, shkruan Financial Times.

Prandaj, për një të ardhme të parashikueshme, Bashkimi Evropian do të jetë i ndarë jo vetëm ndërmjet atyre brenda dhe jashtë “bërthamës” së eurozonës, por po ashtu, në fushën e kreditorëve të fuqishëm veriorë evropianë, të udhëhequr nga Gjermania, dhe atyre të borxhlinjve të dobët të Evropës jugore, përfshirë Qipron, Greqinë, Italinë, Portugalinë dhe Spanjën.

Ky është sfondi gjeopolitik i fjalimit të përpiluar mirë të David Cameron-it për Evropën.

Gazeta Financial Times gjithnjë ka argumentuar në favor të anëtarësimit të Britanisë në Bashkimin Evropian dhe vazhdon të besoj se kjo është qendrore për interesat kombëtare. Shkaqet tona shkojnë përtej kalkulimit të thjeshtë ekonomik të çmimit dhe përfitimit. Ato kanë të bëjnë me vendin e Britanisë në botë. Anëtarësimi i jep Mbretërisë së Bashkuar ndikim ndaj tregut më të madh global. Ai ndihmon që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të mbeten speciale. Ai amplifikon ndikimin e Britanisë në botë, ku forca ekonomike po lëvizë në lindje, shkruan Financial Times.

Përfitimet zgjaten nëpër kufijtë kombëtarë. Në saje të tregut të përbashkët, britaniku mund të jetojë, punojë, udhëtojë dhe studiojë lirisht në gjithë Evropën.

Sipas gazetës, zgjerimi i Bashkimit Evropian në lindje dhe jug, e ka konsoliduar demokracinë në Spanjë, Portugali dhe Greqi, dhe ka krijuar një zonë të paqes dhe prosperitetit në ish vendet komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Megjithatë, Bashkimi Evropian i sotëm është në masë të madhe i ndryshëm nga ai në të cilin Mbretëria e Bashkuar u anëtarësua në vitin 1973, ose vërtetë ai për të cilin britanikët votuan për të qëndruar në të, kur atyre u ishte dhënë mundësia, që t’i shprehin pikëpamjet e tyre në referendumin e vitit 1975.

Pra, çka duhet të bëjë tash kryeministri britanik David Cameron dhe, që është më e rëndësishme, çka nuk duhet të bëjë?

Ai së pari duhet ta miratoj një qasje të udhëhequr fuqishëm, të ndërtuar në interesin kombëtar. Kuptohet, ai duhet ta ketë parasysh disponimin euroskeptik të deputetëve të Partisë Konservatore, por ai nuk duhet të përfshihet nga rrëmuja, shkruan Financial Times.

Në Bashkimin Evropian, Britania duhet të bëjë presion për reforma dinamike probiznesore, ashtu siç ka bërë që nga lindja e tregut të vetëm. Kriza financiare e ka dobësuar kampin probiznes, por ai do të ripërtërihet, veçanërisht nëse BE-ja është serioze për çështjen e rritjes ekonomike.

Këtu është edhe aleanca natyrore me Gjermaninë, e cila mbetet në mënyrë solide kundër çfarëdo hapi, që në emër të forcimit të eurozonës, do ta dëmtonte tregun e vetëm.

Por, ka edhe gjëra që zoti Cameron absolutisht nuk duhet t’i bëjë. Ai ka insistuar që çmimi i integrimit më të thellë duhet të jetë dobësim i lidhjeve ndërmjet Britanisë dhe partnerëve të saj evropianë. Ai nuk duhet të ngrisë shpresa të rrejshme se anëtarët e tjerë do të lejojnë që Britania të marrë pjesë në tregun e vetëm pa i pranuar rregullat dhe parimet e tij fundamentale.

Njëjtë, kërcënimi me veto i marrëveshjes për ndryshime esenciale për ruajtjen e euros, do të shihet si shantazh.

Përfundimisht, zoti Cameron, nuk duhet të lejojë që shtetasit e vendit të tij të notojnë në fantazi. Nuk ka kuptim për Britaninë që të synojë status të ngjashëm me atë të Norvegjisë dhe Zvicrës. Të dy vendet duhet t’i pranojnë rregullat e BE-së, derisa nuk ushtrojnë ndikim në përpilimin e tyre.

Për Britaninë, ky pozicion do të ishte i patolerueshëm, shkruan pos tjerash, e përditshmja Financial Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG