E shtunë, nëntor 01, 2014 Kosova 10:41

Kronika

Synimet e Prishtinës nga dialogu i ardhshëm me Beogradin

Hashim Thaçi, Catherine Ashton dhe Ivica Daçiq.
Hashim Thaçi, Catherine Ashton dhe Ivica Daçiq.
RFE /RL
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me disa nga liderët e partive politike në Kosovë.

Ky takim është zhvilluar vetëm pak ditë para 17 janarit, kur kyeministri kosovar pritet të udhëtojë për në Bruksel, në takimin e radhës me kryeministrin serb, Ivica Daciq.

Në një njoftim bëhet e ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me “Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me lehtësimin e baroneshës Catherine Ashton, përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e fuqishme të Qeverise së SHBA-ve, që prej 19 tetorit (2012) në Bruksel, po zhvillon bisedimet me Qeverinë e Republikës së Serbisë”.

Në komunikatë, Qeveria bën të ditur se në takimin e radhës nuk do të bisedojë, mes tjerash, për statusin e Kosovës apo pavarësinë e saj, tërësinë territoriale dhe organizimin e brendshëm.

Synimet nga ky dialog, sipas komunikatës, janë mes tjerash fuqizimi i  strukturave qeverisëse në veri të Kosovës, zhbërja e strukturave të sigurisë së Serbisë prej andej, mbajtja e zgjedhjeve të lira, krijimi i komunës së Mitrovicës veriore dhe arritja e marrëveshjes ndërkombëtarisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e cila do të garantohej prej BE-së, SHBA-së dhe shteteve të Quintit.

Takimi i radhës ndërmjet dy kryeministrave, Thaçi dhe Daçiq, mbahet pas një mori zhvillimesh politike nga pala serbe.

Njëra ndër to është edhe miratimi i një Rezolute për Kosovën nga Parlamenti i Serbisë, që paraqet një plan se si do të jetë qasja serbe ndaj Kosovës.

Ndërkohë, përfaqësues institucionalë në Kosovë, këtë rezolutë e kanë cilësuar si të parealizueshme dhe si një veprim politik, i cili do të përdoret vetëm për konsum brenda shtetit serb.(sh.o.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum