E premte, prill 18, 2014 Kosova 15:07

Rajoni

Kriza politike në Maqedoni, përkeqëson ekonominë

Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Madhësia e shkronjave - +
Kriza politike në Maqedoni, pas braktisjes së opozitës të institucionit ligjdhënës, ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet ekonomike, vlerësojnë ekspertët e këtij lëmi. Ata thonë se investitorët e huaj, po edhe ata vendorë, në një situatë të këtillë nuk kanë besim të investojnë kapitalin e tyre për të zgjeruar bizneset.

“Gjendja aktuale e krijuar me veprimet e pushtetit gjatë miratimit të buxhetit, në njërën anë, dhe sjellja e opozitës, e cila nga pozita vlerësohet si fuqi e pamjaftueshme për të ndryshuar diçka, bën që atyre të mos ua var veshin, gjegjësisht bën që kjo klimë e pavolitshme për ekonominë të vazhdojë edhe më tej, gjë që është shumë e dëmshme për ne si afaristë”, thotë Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike nga Maqedonia Veriperëndimore .

Ndërkaq, afaristët vendorë shpëtimin nga thellimi gjithnjë e më i madh i krizës ekonomike në vend, e shohin në realizimin e premtimit të Qeverisë që deri në fund të muajit të ardhshëm shteti t’ua kthejë të gjitha borxhet kompanive private.

“Para disa muajve arritëm ujdi me Qeverinë që të gjitha faturat e parealizuara që ka shteti ndaj kompanive private, t`i mbyllë deri në fund të muajit shkurt të këtij viti. Njëherësh, gjatë kësaj kohe të kthehen dhe mjetet e parapara me ligj nga Tatimi i Vlerës së Shtuar, dhe kjo, në një formë, do të jetë një impuls i rëndësishëm për ekonominë e vendit në kushtet kur mungojnë investimet e huaja dhe kur kemi mungesë të qarkullimit të mjeteve financiare”, shprehet Mirçe Cekrexhi nga Lidhja e Odave Ekonomike në Shkup.

Nga ana tjetër, Menders Kuçi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore konsideron se kriza ekonomike hyn në një fazë kritike në formë plotësuese, si pasojë e agonisë, e cila zgjat tashmë disa vjet nga pozita status-quo, rreth procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike që njëherësh paraqesin dhe garanci për stabilitet të qëndrueshëm të vendit.

“Faktor tjetër shumë i rëndësishëm që ndikon në përkeqësimin e ekonomisë së Maqedonisë, është agonia, e cila zgjat me mospranimin e Maqedonisë në strukturat Veri-atlantike dhe në BE".

"Kjo, në mënyrë plotësuese e vështirëson edhe më shumë gjendjen ekonomike në Maqedoni, sepse më duhet të theksoj se nuk është i mjaftueshëm angazhimi i qeverisë të proklamojë përmes reklamave të ndryshme në shtëpitë prestigjioze informative botërore favoret që ofron Maqedonia në aspektin e taksave të ulëta, lehtësimet e ndryshme për investitorët e huaj sa i përket tatimit etj".

"Duhet pasur parasysh se për çdo afarist, në rend të parë, është siguria e kapitalit të investuar dhe pastaj vjen profiti. Këtë siguri, si pasojë e shumë zhvillimeve, investitorët e huaj dhe ata vendorë nuk e ndjejnë mjaftueshëm për t`u bindur të investojnë në Maqedoni”,
vlerëson Kuçi.

Ekspertët ekonomikë konsiderojnë se për të dalë nga kriza ekonomike, Maqedonisë i nevojitet një një strategji e përgjithshme shtetërore nga të gjithë faktorët relevantë për çështjet parësore që prekin zhvillimin ekonomik të vendit duke u fokusuar kryesisht në investimet kapitale, me theks të veçantë në infrastrukturë.

Sipas ekspertëve, kthimi i borxhit që ka shteti ndaj kompanive private, pavarësisht se është imponuar nga zgjedhjet vendore, do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit, por nuk do të ketë efekt afatgjatë në mungesë të investimeve të huaja.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum