E hënë, nëntor 24, 2014 Kosova 09:05

Kronika

Takim i vonuar, me synimin për stabilitet

Artikujt e ndërlidhur

Nuk tërhiqet nga bisedimet

Përfaqësuesit politikë në Prishtinë thonë se autoritetet e Serbisë e kanë dëmtuar procesin e bisedimeve me Kosovën, pas heqjes së lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së nga sheshi në qendër të Preshevës.
Organizimi i një takimi ndërmjet presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq nuk mund t’i sjellw asgjë të re dialogut të filluar i cili është sfiduar seriozisht me zhvillimet e fundit në Luginë të Preshevës, thonë analistët politik në Prishtinë.

Sipas agjendës së përcaktuar nga Bashkimi Evropian, ky dialog do të duhej përmbyllur me një marrëveshje për normalizimin e raporteve Kosovë - Serbi.

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin, madje e sheh si të vonuar takimin Jahjaga – Nikolliq.

Duket se do t’i kemi pesë takime në nivel kryeministrash para se të mbahet takimi në nivel presidentësh. Kjo është një anomali dhe sipas mendimit tim, këtu nuk ka logjikë”, thotë Kacin.

Ai shpreh keqardhje për faktin që presidenti serb Nikolliq, vitin e kaluar, kishte refuzuar ofertën e presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq për të ndërmjetësuar në takimin me presidenten Jahjaga.

Ai rast është lëshuar, por presim që takimi të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Kacin.

Ndërkohë, politologu nga Prishtina, Belul Beqaj thotë se zhvillimet që pasuan heqjen e lapidarit të dëshmorëve të luftës së UÇPMB-së në Preshevë, mund të ndryshojnë  gjithë rrjedhën e dialogut.

Ai nuk sheh ndonjë mundësi që Jahjaga e Nikolliq t’i japin shtytje përpara këtij dialogu drejt nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim.

Ndonëse nuk vëren se ka indikacione të qarta, megjithatë nuk e përjashton as mundësinë që dialogu të hap tema krejt të reja krahasuar me ato që i ka përcaktuar deri më tash Bashkimi Evropian si ndërmjetës në bisedime.

Realisht nuk ka indikator të qartë se mos është në pyetje një prapavijë më e stërholluar e cila në njërën anë mund ta pamundësoj vazhdimin e dialogut dhe normalizimin e situatës, por në anën tjetër ndoshta mund të përgatiste terrenin për rishikimin e tërë procesit të dialogut duke mundësuar një dialog krejtësisht tjetër ku do të hapeshin temat të cilat deri tash nuk janë marrë seriozisht, siç është ajo e shkëmbimit të territoreve apo ajo e bashkimit kombëtar”, thekson Beqaj.

Takimi ndërmjet presidentes Jahjaga dhe presidentit Nikolliq shihet më shumë nga karakteri simbolik edhe nga ana e analistit të Institutit KIPRED, Ardian Arifaj.

Ai thotë se posti i presidentit si në Serbi ashtu edhe në Kosovë është formal dhe se një takim ndërmjet dy të parëve të dyja shteteve do të kishte më shumë karakterin simbolik.

Sidoqoftë, Arifaj beson se agjenda e dialogut Kosovë – Serbi do të vazhdon të përcaktohet nga faktori ndërkombëtar.

Agjenda e bisedimeve dhe temave që hapen apo nuk mund të hapen në bisedime varen nga bashkësia ndërkombëtare e jo nga palët pjesëmarrëse, Kosova apo Serbia. Bashkësia ndërkombëtare motiv kryesor e ka stabilitetin në rajon, edhe atë që ta arrijë sa më shpejt, prandaj edhe hap vetëm tema të cilat duket se janë thelbësore për arritjen apo fillimin së paku të procesit të instalimit të paqes, stabilitetit e prosperitetit në rajon”, thotë Arifaj 

Pas një viti të bisedimeve në nivelin e cilësuar si teknik, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar tashmë katër takime në nivel të lartë politik ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.

Synimet e Brukselit, si ndërmjetësues, janë që takimet të shtrihen edhe në nivelin e presidentëve. Si nga kabineti i Jahjagës ashtu edhe nga ai i Nikolliqit, tashmë është konfirmuar se ky takim mund të mbahet gjatë muajit shkurt apo atij mars në Bruksel nën ndërmjetësimin e baroneshës, Catherine Ashton.

Megjithatë, zhvillimet e fundit në Preshevë dhe tensionet në veri të Kosovës shihen në vazhdimësi si kërcënim për epilogun e këtij dialogu.

Zijadin Gashi

zijadin.gashi+gmail.com

Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.

Twitter
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Hasani Prej : kosova.e mjrume
22.01.2013 20:06
po me te vertet je vonu se moti je ba marak me perkdhel kriminelin hajr mus paft thmija i yt qa po na bani .