Ndërlidhjet

Vëshitrësitë e pacientëve në hemo-dializë


Reparti i hemo-dializës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
Reparti i hemo-dializës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
Reparti i hemo-dializës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjendet në katin e pestë, dhe kjo shkakton telashe të mëdha për pacientët.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se në bazë të të gjitha standardeve ndërkombëtare, ky repart duhet të jetë i vendosur në katin përdhese, nisur nga fakti se pacientët janë kryesisht të lidhur për karrocë ose shtrat.

Sipas tyre , shpeshherë ka ndodhur që familjarët t'i bartin pacientët në krahë, deri në katin e pestë për shkak të mungesës së rrymës apo edhe defekteve të ashensorit.

Doktor Ibrahim Rrudhani, ushtrues detyre i drejtorit të klinikës së nefrologjisë, jep hollësi të tjera rreth vështirësive me të cilat ballafaqohet kjo klinikë.

"Ka nëpër vende kur dializa gjendet edhe në 12 kat, por për Kosovë të jetë në katin e 5 është e pa imagjinusheme, duke llogaritur që në çdo kohë ka ndërprerje të rrymës, dhe ka ndodhur që shpesh i kanë bartë në shpinë pacientët familjarët deri në katin e 5-të", thotë Rrudhani për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, aktualisht aty trajtohen rreth 160 pacientë, derisa u mungon stafi profesional.

"Përafërsisht janë diku rreth 160 pacientë tash për tash që trajtohen, derisa 25 mijë e 423 dializa vjetore. Staf profesional kemi, por na duhen edhe disa mjekë, duke marrë parasysh se disa ndërhyrje kirurgjike nuk bëhen te ne. Andaj, kemi mungesë të kuadrit mjekësor".

Ndërkaq, familjarët e pacientëve të intervistuar, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se të kesh një anëtar të familjes në hemo-dializë është shumë e vështirë.

Babai i Burbuqes trajtohet në klinikën në fjalë tash e tri vjet flet.

"Unë e kam qe tri vjet prindin me hemodializë. Është vështirë. Të merret hemodializa në katin e pestë është shumë e vështirë. Shpesh nuk ka rrymë, e ky është i lidhur për karrocë. Shpresoj të lëshohet klinika e re sa më shpejtë, sepse do të na lehtësonte punën shumë, sepse barra po u bie familjarëve të pacientëve", thotë ajo.

Aktualisht në repartin e hemo-dializës është duke u punuar në katin përdhes, dhe pritet në muajt në vazhdim që ky repart të funksionalizohet.

Kështu thotë drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.

"Kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Shëndetësisë, janë duke u marrë me punime në repartin e hemodializës, i cili do të jetë ndryshe nga siç ka qenë deri tani, pra hemodializa si repart do të zbresë poshtë, dhe kjo do të eliminojë disa barriera fizike për pacientët që deri tani i kanë marrë shërbimet në katin e 5-të. Pritet që në muajt e pranverës projekti të finalizohet, aktualisht është duke u punuar në instalimin e infrastrukturës së brendshme", shprehet Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, ky projekt është financuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe i ka kushtuar rreth 600 mijë euro.

Por, sipas doktor Rrudhanit, edhe pse është paraparë që kati përdhes të funksionalizohet në fillim të këtij viti, sipas tij janë kërkuar disa punime shtesë, për shkak të ndjeshmërisë së aparaturës që gjendet aty.

"Kati përdhes është paraparë të fillojë më herët, por për shkak të ndryshimeve që janë bërë, është zgjatur puna. Ne vetë kemi kërkuar që të shtrohen disa pjesë shtesë për shkak të aparaturës së ndjeshme që është aty".

Sidoqoftë deri atëherë, pacientët duhet të ngjiten në katin e pestë për të marrë trajtimin. Duke përjashtuar këtë problem, reparti i hemo-dializës, sipas autoriteteve, ka të gjitha materialet dhe aparaturën e nevojshme.
XS
SM
MD
LG