E enjte, dhjetor 18, 2014 Kosova 21:09

Aktuale

BE kërkon zgjidhje urgjente

Ilustrim
Ilustrim
Vizita e paparalajmëruar e një dite më parë në Shkup e komisionerit për zgjerim të BE-së, Stefan Fule, nuk është komentuar nga drejtuesit e institucioneve me të cila ai të mërkurën është takuar gjatë vizitës disa orëshe në Maqedoni.

Jozyrtarisht bëhet e ditur se Fule ka kërkuar nga liderët vendorë që energjinë e tyre ta orientojnë drejt agjendës evropiane, me qëllim të marrjes së vlerësimeve pozitive për fqinjësi të mirë në raportin e pranverës së Komisionit Evropian, që do t'i hapte rrugën edhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Por, një nga çështjet tjera që është diskutuar ka qenë edhe kriza politike që ka ndërlikuar edhe më shumë procesin e integrimit euroatlantik, thonë partitë opozitare.

Stevo Pendarovski, profesor universitar dhe kryesues i këshillit për politikë të jashtme të LSDM-së thekson.

Është logjike sipas meje që Komisioni Evropian të interesohet për krizën politike e cila gjithnjë e më shumë po bëhet një nga kushtet më të rëndësishme në periudhën që ka mbetur deri në raportin e ri të qershorit. Pra, kriza politike është parakushti për kushtin kryesor që ka të bëjë me çështjen e emrit".

"Fule dëshiron të shtyjë para nismën e tij për rol më të madh të Brukselit në zgjidhjen e çështjes së emrit, por kjo vështirë se do të arrihet deri sa kemi krizën politike në vend pasi çdo propozim i mundshëm për zgjidhje duhet të kaloj në Kuvend ku mungon opozita. Këtu qëndron problemi kryesor për Fulen i cili tenton ta zhbllokojë këtë situatë që më pas ti qaset problemit kryesor për emrin”, thotë Pendarovski.

Edhe Ismet Ramadani nga këshilli euroatlantik, thotë se shqetësim kryesor për Komisionin Evropian është kriza politike sado që ajo tentohet të minimizohet nga pushteti aktual.

Ramadani vlerëson se interesi i Brukselit është arritja e një konsensusi më të gjerë politik në Maqedoni dhe kjo sipas tij, do të arrihej me formimin e një qeverie teknike me bazë të gjerë dhe me mbajtjen paralelisht të zgjedhjeve lokale dhe atyre të parakohshme parlamentare.

Mendoj se në këtë paketë do të përfshihej edhe çështja e emrit sepse Brukseli e dinë se një parti politike qoftë ajo edhe VMRO-DPMNE-ja nuk mund të sjellë një vendim të rëndësishëm për Maqedoninë dhe sigurisht do të bëjë përpjekje që në këtë pako të një konsensusi edhe për çështjen e emrit por edhe për përgaditjen e zgjedhjeve të shkohet me një qeveri më të gjerë që do të jetë më konsensuale në mënyrë që të sillet vendime të cilat janë më të rënda, më të vështira, por që sillet më lehtë me konsensus mes partive kryesore”, thotë Ramadani.

Por, sa i përket krizës politike dhe ndikimit të saj në procesin e integrimit të vendit, Dimitar Mirçev, profesor univeristar dhe ish këshilltar i presidentit Ivanov, nuk beson se ajo do të ketë rol vendimtar në këtë proces. Ai thotë se pas vizitës së papritur të Fules mund të ketë edhe propozime për çështjen e emrit, por zgjidhja e këtij problemi nuk do të jetë e shpejt.

Mirçev, thotë se vizita e Fules është normale dhe është në funksion të përgatitjes së raportit të pranverës dhe mbledhjes së informatave për zhvillimet e këtushme.

Mendoj se mund të ketë zgjidhje për krizën politike por edhe sikur të mos ketë sistemi po funksionon si kuvendi, qeveria, presidenca e kështu me radhë. Zgjedhje lokale do të ketë pavarësisht nëse do të marrë pjesë ose jo opozita. Pra, mendoj se kriza politike nuk do të reflektohet në raportin e ardhshëm të KE për Maqedoninë”, thotë Mirçev.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum