Ndërlidhjet

Zbrazja e arkës shtetërore


Ilustrim
Ilustrim
Maqedonia bën pjesë në grupin e vendeve që më së paku janë transparente sa i përket informimit të opinionit për atë se si dhe ku i harxhon paratë e buxhetit shtetëror, ka bërë të ditur kështu Qendra për Analiza Ekonomike në Maqedoni.

Transparenca gjatë shpenzimit të arkës së shtetit është më rëndësi kruciale për zhvillimin e një vendi, thekson për Radion Evropën e Lirë, Hristian Ristevski nga Qendra për Analiza Ekonomike, duke shtuar se në bazë të raportit në fjalë, Maqedonia fatkeqësisht gjendet në grupin e shteteve të cilat japin informata minimale për procesin dhe dokumentet e buxhetit dhe zë vendin e 68 nga gjithsejtë 100 vendet e analizuara duke shënuar kështu trend negativ krahasuar me vitet e kaluara.

E para, gjer më tani nuk është bërë publik asnjë prezantim jo-teknik përpara qytetarëve për ti informuar ata për planet e qeverisë se si do t`i harxhojë këto mjete”, thekson Hristian Ristevski.

Kjo do të thotë se duke qenë transparent, drejtuesit e institucioneve përkatëse nuk do të mund të marrin guximin që t'i harxhojnë paratë ashtu si u teket, por do të detyrohen t`i respektojnë prioritetet e shumicës, gjegjësisht paratë e taksapaguesve - paratë e popullit”, thekson Ristevski.

Ndërkohë që praktika e deritanishme ka dëshmuar se një e katërta e parave nga arta shtetërore shpenzohen përmes të furnizimeve publike, nënvizon Sabina Fakiq nga qendra për komunikim me qytetarët duke shtuar se shumë institucione, edhe pse janë të obliguara me ligj, ata nuk i nxjerrin në ueb faqet e tyre të gjitha të dhënat duke filluar nga hapja e tenderit deri në realizimin e konstruktit financiar për realizimin e shërbimeve të caktuara.

Transparenca e të hyrave publike është e rregulluar me ligj, megjithëse një pjesë e institucioneve nuk e respektojnë ligjin për furnizime publike. Jo të gjitha institucionet në afatet e parapara me ligj i bëjnë publike këto të dhëna. Dhe problemi tjetër është ajo se edhe në rastet kur publikohen raportet ata janë aq të përgjithësuara pa të dhëna konkrete”, nënvizon Fakiq.

Sipas saj për një buxhet transparent nevojiten më shumë informacione.

Gjithsesi, nëse mund të flasim për transparencë të mirëfilltë se ku dhe si shpenzohen paratë e popullit duhet të bëhen publike më shumë informacione nga ana e institucioneve publike”, nënvizon Fakiq.

Gjersa eksperti i ekonomisë Visar Ademi konsideron se Maqedonia rangohet aq ulët sa i përket transparencës së shpenzimit të mjeteve publike, si pasojë partizimit të skajshëm të të gjitha institucioneve në shtet.

Partizimi të skajshëm nuk kemi parë gjatë 20 viteve të fundit. Për herë të parë partitë politike të cilat janë në pushtet nuk e shohin të arsyeshme të japin llogari për shpenzimet publike dhe buxhetin publik që normalisht harxhohet nga paratë e mbledhura nga taksapaguesit në këtë shtet".

"Më e keqja është se ata nuk e shohin të arsyeshme as të japin llogari jo vetëm qytetarëve, por shpenzimi i mjeteve të buxhetit nuk diskutohet as me shtresat tjera të shoqërisë në Maqedoni, qofshin intelektualë ose ekspert që buxheti të tejkalojë ca forume ku normalisht do të jepeshin mendime se ku duhet dhe ku harxhohen paratë e qytetarëve", shprehet Ademi.

Ai shton se Maqedonia në masë të konsiderueshme ka harmonizuar ligjet që paraqesin garanci për parandalimin e keqpërdorimit të mjeteve publike por problemi qëndron në atë se pothuajse në praktikë ato ligje nuk zbatohen fare.
XS
SM
MD
LG