Ndërlidhjet

Maqedoni: Kriza politike lë nën hije problemet sociale


Ilustrim
Ilustrim
Kriza në Maqedoni ka lënë nën hije problemet esenciale, më të cilat përballen qytetarët.

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se zhvendosja e vëmendjes nga problemet reale, me të cilat përballet shteti, rëndom ndodh në vendet ku nuk ka demokraci ose më saktësisht mungon sendërtimi i institucioneve mbi vlerat demokratike.

Sociologu nga Tetova, Hasan Jashari, konsideron se në Maqedoni, jo rrallëherë, krijohen situata të krizës për të “fshehur” problemet reale të qytetarëve, për të cilat udhëheqësit politikë nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje tanimë një kohë të gjatë. Sipas tij, bëhet fjalë për standardin e ulët jetësor dhe papunësinë.

“Jam i mendimit se elitat politike dhe partitë politike, këtë strategji e përdorin me qëllim që të vijnë deri te vota dhe nuk merren me çështjet ekzistenciale. Gjatë kohës së zgjedhjeve, ato në vazhdimësi i manipulojnë zgjedhësit, gjoja se ka krizë politike. Për këtë qëllim, politikë-bërësit janë ata që tensionojnë marrëdhëniet ndërnacionale. Dhe, kur nuk ka sukses në tensionimin e marrëdhënieve ndërnacionale, tensionohen marrëdhëniet ndërpartiake”, konsideron Jashari.

Nga ana tjetër, Vasko Llazarevski, nga organizata qytetare “AMAN”, thotë se në pamundësi që në këto zgjedhje vendore të flasin për kërkesat e qytetarëve, partitë politike më lehtë e kanë të ofrojnë zgjidhje, të cilat nuk duken askund.

“Në Maqedoni tanimë është krijuar një praktikë, veçanërisht gjatë dhjetë vjetëve të fundit, kur pushteti dështon në zgjidhjen e problemeve reale me të cilat përballen qytetarët dhe detyrohet të shpikë probleme ‘madhore’. Më parë kishim problem me nacionalizmin dhe së fundmi është problemi i dëbimit të opozitës nga parlamenti, vetëm e vetëm të shpërqendrohet vëmendja nga problemet reale”, thekson Llazarevski.

Për një kohë, sipas tij, elitat politike mund të kenë sukses në këtë manipulim, por dokurdo “ata që kanë marrë besimin e popullit do të përballen me pasojat e politikave të gabuara, që kanë instaluar gjatë qeverisjes”.

“Mbase në shikim të parë, për një kohë edhe mund të kenë sukses politikë-bërësit me këtë formë të manipulimit të masës, por gjithsesi, një ditë, do të përballen me pasojat, sepse nacionalizmi edhe mund të dalë nga kontrolli”, thotë Llazarevski.

Sociologu Hasan Jashari është i mendimit se shoqëria maqedonase nuk arrin të reflektojë ndaj manipulimeve të tilla nga ana e elitave politike, përderisa ushtron kontroll absolut ndaj mediave, sistemit gjyqësor dhe institucioneve të shtetit.

“Padyshim se qytetarët e Maqedonisë janë të ekspozuar ndaj shtrëngesave të ndryshme: në një mënyrë, mediat kontrollohen nga shteti, pastaj administrata publike gjithashtu është nën trysni të qeverisë, gjegjësisht nën trysni të partive politike, të cilat janë në pushtet. Më duhet të theksoj se e gjithë kjo situatë e palakmueshme është edhe si rrjedhojë e mekanizmave mbrojtës; do të thotë, mungon veprimi i një sindikate të fuqishme”, nënvizon Jashari.

Ekspertët thonë se në kushtet kur papunësia në Maqedoni arrin mbi 30% , trysnia ndaj administratës është më se evidente dhe, nga ana tjetër, mediat në masë të konsiderueshme kontrollohen nga pushteti, është më se reale mungesa e masës kritike.
XS
SM
MD
LG