E mërkurë, korrik 30, 2014 Kosova 13:07

Bota

Do të luftosh terrorizmin? Arsimo gratë!

Mali...
Mali...
Vrasja me gurë e grave në Mali dhe marrja e pengjeve në Algjeri janë lajmëtarë për gjëra më të këqija që mund të ndodhin. Osama bin Laden mund të jetë i vdekur, por Al Kaida në Afrikë kërcënon një zonë që ka dy herë madhësinë e Gjermanisë, shkruan gazeta “Los Angeles Times”.

Sipas saj, Mali nuk është thjesht një vend në Sahel. Rajoni ka qenë gjithmonë subjekt i urisë dhe konflikteve brutale fisnore, ndërsa gjërat tashmë janë përkeqësuar edhe më tej.

Shumë nga këto probleme, burimin e kanë te mungesa e planifikimit në familje, shkruan gazeta.

Organizata të ndryshme kanë proklamuar angazhimin e tyre për të drejtat e grave, por nuk ka ndodhur asgjë konkrete për të ndryshuar trajtimin mizor të tyre në vendet si Saheli.

Vajzat 10 vjeçe martohen me burra 40 vjeç. Paturpësia e gjymtimit të organeve gjenitale të femrave është mjaft e përhapur. Gratë bëjnë shumë punë, shpesh duke ecur 10 milje në ditë për të mbushur ujë. Shumica nga to janë analfabete. Në Niger, për shembull, vetëm një vajzë në 1,000 përfundon shkollën e mesme.

Gazeta kujton se 20 vjet më parë, në Mali kanë jetuar 6 milionë njerëz. Sot, atje ndodhen 16 milionë dhe kjo shifër pritet të rritet në më shumë se 35 milionë në vitin 2050. A mund të jetë kjo një arsye përse Al Kaida tani kontrollon gjysmën e vendit?

Komisioni që heton sulmet e 12 vjetëve më parë në Shtetet e Bashkuara ka vlerësuar se rritja e shpejtë e popullsisë, pa shpresë të arsyeshme për punësim, është “recetë” për turbullira sociale.

Sipas gazetës, popullsia e Sahelit si tërësi do të rritet më shumë se dhjetë herë në një shekull të vetëm – nga 31 milionë njerëz në vitin 1950 në 340 milionë më 2050. Edhe me një qeverisje të mirë, çfarë Sahelit i mungon, është e pamundur të ofrohen mundësi arsimimi dhe punësimi. 

Në krye të këtij katalogu tashmë të frikshëm të problemeve, klimatologët parashohin rritje të temperaturave për 7 deri në 10 gradë të Fahrenheitit deri në vitin 2050.

Të lashtat do të thahen, popullsia do të vazhdojë rritjen dhe kriza mund të shndërrohet në një kataklizëm që do të prekë mbi 200 milionë banorë.

Pa politika të reja radikale, është e sigurt se do të ketë më shumë konflikte, më shumë shtete të dështuara dhe vjelje më të lehta të fundamentalistëve islamikë. Rruga e vetme për paqe në Sahel është investimi në gra, shkruan gazeta.

Do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë, por jo i pamundur nëse nis sot dhe në shkallë reale.

Luftërat e Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan, përkundër kostos miliarda dollarëshe, kanë dështuar të krijojnë vende të qëndrueshme. Të dyja vendet janë shoqëri patriarkale dhe ndërhyrja e huaj nuk ka bërë pothuajse asgjë për të ndihmuar gratë, shkruan “Los Angeles Times”.

Përgatiti: Valona Tela
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Liraku
31.01.2013 12:50
Eshte interesante dhe tragjike njekohesisht se si ne vecanti vendet islame nuk e lejojne ose e kufizojne arsimimin e gjinise femerore.