Ndërlidhjet

Shqipëri: Taksat në "fushë-betejë"


Shqipëri
Shqipëri
Dy partitë e mëdha në Shqipëri ofrojnë qasje të ndryshme mbi mënyrën se si duhet të taksohen të ardhurat personale.

Partia Socialiste mbështet taksën progresive, duke e cilësuar modelin e taksës së sheshtë që zbatohet prej vitit 2007 si dështim. Deputeti socialist Arben Ahmetaj thotë se taksa e sheshtë thelloi krizën.

"Shifrat janë kokëforte, Shqipëria është në krizë. Pas 2007 kriza ka ardhur duke u agravuar, në momentin që u vu taksa e sheshtë. Shiko çfarë ka ndodhur me investimet e huaja, kanë rënë, shiko çfarë ka ndodhur me rritjen ekonomike, ka rënë, shiko çfarë ka ndodhur me borxhin, është rritur, shiko çfarë ka ndodhur me papunësinë është rritur".

"Atëherë cili është efekti i taksës së sheshtë?! Është vetëm një, i është hequr ngarkesa fiskale në mënyrë të padrejtë vetëm 5% të popullsisë dhe i është ngarkuar po në mënyrë të padrejtë, pjesës tjetër, 95% të tatim paguesve individë", thotë Ahmetaj.

Filozofia e socialistëve, thotë Ahmetaj, mbështet taksimin e drejtë në proporcion me të ardhurat, bazuar në një progresivitet të pranueshëm.

Po të marrësh fashën e pagave 500 -600 mijë lekë (të vjetra) dhe ta krahasosh me sa do të tatohet me sistemin progresiv që do të ofrojmë ne pas 23 qershorit, taksa e sheshtë e ka ngarkuar trefishin. Pra, do të paguajë dy herë më pak taksa një mësues me seç paguan sot apo ka raste brenda fashave edhe tre herë më pak taksa. Nëpërmjet kësaj që bëjmë ne i kthehen konsumit, xhepave të qytetarëve të zakonshëm, 65 milionë dollarë", shprehet ai.

Kur demokratët erdhën në pushtet në vitin 2005, ata gjetën një sistem progresiv taksimi të cilin e zëvendësuan në 2007 me taksimin e sheshtë. Këshilltari i kryeministrit për ekonomi, Petraq Milo thotë se kjo ndodhi për shkak të dështimit të taksimit progresiv.

"Një sistem tërësisht i dështuar në kushtet e Shqipërisë për shumë faktorë. Në radhë të parë vështirësia për ta administruar këtë lloj takse progresive, e dyta sepse taksimi kishte në vetvete një fasho shumë të lartë që shkonte deri në 25 % të taksimit mbi të ardhurat personale, gjë që për kushtet e Shqipërisë apo për vende të tjera me ekonomi në kushte emergjente, nuk përbënte ndonjë avantazh", bën të ditur Milo.

Milo thotë se taksimi i sheshtë u ndërthur që në fillim me elementin social. Referuar fashës së të ardhurave për të cilën taksimi do të ishte zero.

Prej disa ditësh qeveria ka lajmëruar rritjen e kësaj fashe me rreth 3-fish, për të cilën do të hiqet tatimi mbi të ardhurat personale prej 10 %.

"Në të gjitha vendet ku është adaptuar qoftë dhe në Shqipëri taksimi i sheshtë u shoqërua me dy elemente kryesorë. Elementi i parë, një normë taksimi e barabartë ndërmjet të gjithëve dhe e dyta të një fasho apo të një kategorie page në të cilën taksimi ishte zero".

"Fillimisht u vendos deri në 10 mije lekë (të reja) taksimi zero, me propozimin e fundit kjo shkon në 30 mijë (të reja) si element i politikës sociale por duke pasur parasysh që paga minimale ka evoluar gjatë këtyre viteve", shprehet ai.

Vendimin e qeverisë për të hequr tatimin prej 10% për të ardhurat personale nën 30 mije lekë, opozita e shesh si një kopje të keqe të politikës së saj për taksim progresiv. Vendim që megjithatë, siç thotë deputetit Ahmetaj, nuk do të japë asnjë efekt.

"Ka kundërshtuar veten, ka kaluar ylberin, ka tentuar të bëjë një progresivitet të fshehur dhe shumë të ulët, pa efekte. Është qesharake, është elektorale dhe është pa efekt".

Këshilltari i kryeministrit thotë se vendimi vjen në kuadër të politikës sociale të ndjekur që në krye të herës. Ai nënvizon gjithashtu se opozita e deformon në mënyrë të qëllimshme efektin që prodhon taksimi i sheshtë, kryesisht tek ato që kanë të ardhura më të ulëta.

Milo thotë se norma e taksimit është e njëjtë për të gjithë por jo vlera që ndryshon mbi bazën e të ardhurave.

"Politika e taksës së sheshtë nuk është se e shmang logjikën apo lidhjen mes atij që paguan më shumë dhe atij që paguan më pak ndaj them që këtu është një manipulim i madh, 10% që paguan një person që fiton më shumë, është më shumë ndërsa 10% që paguan një person që fiton më pak, është më pak".

"Jo të gjithë paguajnë njësoj! Norma e taksimit është njësoj! Taksa progresive ka një sërë pabarazish. Jo vetëm ai që fiton më shumë paguan më shumë por ai që fiton më shumë paguan shumë herë më shumë", thotë Milo.

Por, deputeti socialist Ahmetaj thotë se progresiviteti racional është garancia që taksa progresive që propozojnë socialistët, nuk ndëshkon të pasurit, siç pretendohet.

"Mashtrim i qëllimshëm i mazhorancës sepse taksa progresive nuk ndëshkon askënd dhe aq më tepër ajo që propozojmë ne është një progresivitet jashtëzakonisht racional. Ka historik pozitiv taksa progresive ka lindur që me Linkolnin dhe vazhdon sot në 95% të vende evropiane të ketë progresivitet".

Vetëm pak muaj prej përballjes elektorale të 23 qershorit, debati për taksat është një nga temat më nxehta të përplasjes politike, që e ka origjinën dhe në tronditjen e modeleve të taksimit që zbatonin shumë vende evropiane që ranë në recesion.
XS
SM
MD
LG