E enjte, tetor 02, 2014 Kosova 10:25

Bota

SHBA: Programi i aeroplanëve pa ekuipazh - nën llupë të ashpër

I nominuari për drejtor të agjencisë amerikane CIA,John Brennan.
I nominuari për drejtor të agjencisë amerikane CIA,John Brennan.
RFE /RL
I nominuari për drejtor të agjencisë amerikane CIA, John Brennan, i ka mbrojtur politikat kundërthënëse anti-terror gjatë seancës së konfirmimit në Senatin e Shteteve të Bashkuara në Uashington, që, po ashtu, disa herë ishte ndërprerë nga protestuesit.

Kryesuesja e Komitetit të Inteligjencës së Senatit, Diane Feinstein, demokrate nga Kalifornia, ishte e detyruar ta ndalë përkohësisht dëgjimin dhe ta pastroj sallën, pasi një protestuese iu drejtua Brennanit me këto fjalë: “...në Pakistan, dhe zoti Brennan, nëse ju nuk e dini se kush janë ata, unë e kam listën me të gjithë emrat dhe moshën”.

Feinstein reagoi duke thënë: “Në rregull. Unë do ta ndali dëgjimin. Do të kërkoj që salla të pastrohet dhe që përfaqësuesit e grupit Code Pink të mos lejohen të kthehen”.

John Brennan konsiderohet arkitekti kryesor i programit me aeroplanë pa ekuipazh, që përdoret në Pakistan, Jemen, dhe kudo tjetër në botë, për t’i gjurmuar dhe vrarë terroristët.

Programi është kritikuar ashpër për shkak se ka shkaktuar vrasje të civilëve.

Në seancën e dëgjimit, senatorët i kanë shtruar pyetje Brennanit lidhur me fshehtësinë që e rrethon këtë program dhe kanë kërkuar ta dinë se si Shtëpia e Bardhë vendos se kush të sulmohet dhe kur të ndërmerret aksioni.

John Brennan tha se presidenti Barack Obama kërkon që secili aksion kundër terrorizmit të ketë “bazë juridike dhe nëpërmjet inteligjencës së sigurt”.

“Ne ndërmarrim vetëm aksione të tilla si masë e fundit për të shpëtuar jetë, kur nuk ka alternativë tjetër për marrje të aksionit, që do ta zvogëlonte kërcënimin. Ne duhet të jemi të sigurt se kemi të bëjmë me keqkuptim dhe mendoj se protestuesit këtu me të vërtetë e keqkuptojnë se çka ne po bëjmë si qeveri dhe kujdesin që ne e bëjmë dhe agoninë nëpër të cilën kalojmë, për të qenë të sigurt se nuk kemi asnjë lëndim dhe vdekje kolaterale”, tha John Brennan.

Ligjvënësit, po ashtu, e kanë pyetur Brennan për një arsyetim juridik të Shtëpisë së Bardhë, deri tash sekret, për vrasjen e amerikanëve jashtë Shteteve të Bashkuara, që janë të dyshuar si pjesëtarë të rrjetit al-Kaida, që paraqesin kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Ekzistimi i këtij programi ka rrjedhur në media më herët këtë javë.

Senatori Ron Wyden, demokrat nga Ohajo, e ka pyetur Brennanin se çka meriton ta dijë publiku për “kompetencën e presidentit për t’i vrarë amerikanët”.

Brennan nuk u përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë, por tha se qeveria duhet ta “shtojë sa të jetë e mundur transparencën dhe njëherësh ta shtojë sa të jetë e mundur fshehtësinë dhe mbrojtjen e sigurisë sonë kombëtare”.

Ai theksoi se ekziston nevoja për t’i “shpjeguar popullit amerikan se cilat janë pragjet për aksione, cilat janë procedurat, praktikat, proceset, miratimet, rishqyrtimet”.

Afro 25 vjet, Brennan i ka kaluar si analist i agjencisë CIA, para se të bëhej shef i qendrës së agjencisë për kundër-terrorizëm, nën ish-presidentin George Bush i riu.

Ka thashetheme se interesimi i presidentit Barack Obama, që në vitin 2008 ta bënte atë shef të CIA-s, është përcjellë me kundërthënie të fuqishme për shkak të mbështetjes së tij, në të kaluarën, për të ashtuquajturat teknika të përforcuara të hetimeve.

Kësaj here duket se ai me gjasë do të konfirmohet, por prania e protestuesve në seancën e dëgjimit e ka bërë të qartë se kundërthënia ende nuk ka kaluar.

I pyetur direkt se a ka provuar t’i ndalë hetimet e përforcuara, derisa ishte në CIA në vitin 2000 dhe në vitet pasuese, Brennan tha:

“I pata shprehur vërejtjet personale dhe pikëpamjet e mia te disa kolegë të agjencisë, për disa teknika të përforcuara të hetimeve, siç është mundimi me ujë, lakuriqësia, e të tjera, ku unë i paraqita vërejtjet e mia personale, por nuk kisha provuar t’i ndal ato, pasi kjo ishte diçka që kishte ndodhur në pjesë të tjera të agjencisë nën autoritetin e të tjerëve, dhe ishte diçka që ishte direktivë nga administrata e asaj kohe".

Ai refuzoi ta përdor shprehjen “torturë” për mundimin me ujë, por tha se nëse ai e drejton agjencinë CIA, “kjo kurrë nuk do të kthehej prapa”. (f. b.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum