E shtunë, nëntor 01, 2014 Kosova 14:16

Shëndetësi

Kardoikirurgjia, (s') funksionalizohet më 17 shkurt

Ilustrim
Ilustrim
Kardiokirurgjia në Qendrën Klinike Universitare ende nuk është hapur. Edhe pse zyrtarë të lartë qeveritarë kanë deklaruar se operacionet e zemrës qysh vitin e kaluar  do të kryheshin në këtë klinikë, kjo nuk ka ndodhur.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, kishte deklaruar se qëllimi i institucionit që ai udhëheq, ka qenë funksionalizimi i kësaj klinike më 28 nëntor të vitit të kaluar. Por, ky repart nuk është funksionalizuar me këtë datë.

Ndërkohë, vetë Ministri është prononcuar se më 17 shkurt të këtij viti, përkatësisht  në 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, do të funksionalizohet ky repart dhe pacientët kosovarë, do t'i kryejnë shërbimet aty.

"Jemi duke punuar maksimalisht në atë drejtim. Problemet teknike janë duke vazhduar si zakonisht, me prokurimet, me procedurat që janë plotësisht joadekuate me nevojat e sektorit të shëndetësisë, pra nuk i marrin parasysh specifikat e sektorit të shëndetësisë. Por, megjithatë, jemi duke punuar intensivisht dhe unë kam shumë shpresë që për nder të 5-vjetorit të pavarësisë së shtetit, do të fillojmë me shërbimet kardiokirurgjike", deklaron Agani.
 
Ndërkaq, kardiokirurgët në vend thonë se numri i pacientëve që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi, është shumë i madh. Kurse, sa i përket hapjes së Kardiokirurgjisë brenda Qendrës Klinike Universitare, Bekim Dula, kardiokirurg, thotë se atë e sheh si të domosdoshme.

"Kërkesat për kardiokirurgji janë të mëdha. Ka me qindra pacientë që presin, disa shkojnë jashtë, disa në ordinanca private, por me funksionalizimin e Kardiokirurgjisë, pacientët do të mund t'i kryejnë shërbimet pa pagesë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës", shprehet Dula.

Por, sipas Dulës, me gjithë përpjekjet që janë duke i bërë, punët nuk duket të jenë kryer aq sa duhet.
Është puna e procedurave të tenderimit dhe Ligji i prokurimit publik ka shumë procedura. Në momentin kur kryhen këto, ne jemi gati të fillojmë.

"Është puna e procedurave të tenderimit dhe Ligji i prokurimit publik ka shumë procedura. Në momentin kur kryhen këto, ne jemi gati të fillojmë. Ne po bëjmë çmos që ta angazhojmë stafin. Aktualisht është duke u përzgjedhur stafi i mesëm, edhe aty ka procedura. Ne do të mundohemi që ta hapim më 17 shkurt, por edhe nëse nuk hapet me këtë datë, nuk është me rëndësi, sepse në javët në vijim qytetarët do ta kenë kardiokirurgjinë", thekson Dula.

Sa i përket stafit për kardiokirurgji , kardiokirurgu Bekim Dula thotë se Kosova ka një ekip për këtë lëmi, që do të mund të punonte që me hapjen e Kardiokirurgjisë, derisa stafi shtesë tashmë është duke u përzgjedhur në bazë të konkursit.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum