E mërkurë, prill 16, 2014 Kosova 06:24

Rajoni

Shkup: Nismë e re ndërkombëtare

Madhësia e shkronjave - +
Në përpjekje për të zhbllokuar krizën politike në Maqedoni pas paralajmërimit të opozitës maqedonase të kryesuar nga LSDM, se do të bojkotojë zgjedhjet vendore, delegacioni evropian, është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.

Por eurodeputetët kryesisht kanë drejtuat kritika në adresë të opozitës duke theksuar se bojkoti nuk është në përputhje me standardet demokratike si dhe dukshëm e gjithë situata do të reflektohet negativisht në raportin e progresit të KE-së.

"Njëri nga parimet kryesore gjatë integrimit në BE, është niveli i lartë i demokracisë. Dhe, demokracia nënkupton dialog konstant mes qeverisë dhe opozitës. Këso lloj dialogu, duhet të ekzistojë në parlament si një institucion demokratik".

"Nga pikëvështrimi i standardeve demokratike, mungesa e opozitës është e palejueshme. Këtej, vetëm mundem ta inkurajojë opozitën që të kthehet në Kuvend dhe të fillojë dialogun në këtë institucion demokratik", ka theksuar ish kryetari i Parlamentit Evropian, Jerzhi Buzek,

Në vijë të njëjtë është shprehur edhe eurodeputeti sllovak, Miloslav Mikolashik, duke nënvizuar se mos participimi i opozitës në institucionin ligjdhënës nuk paraqet sinjal pozitiv që i hap rrugë Maqedonisë drejt BE-së.

"Maqedonia ka mundësi që të fillojë bisedimet dhe të hap një kapitull të ri. Mirëpo, kur sinjalet nga një shteti janë të tilla ku opozita nuk participon në kuvend, kjo paraqet një sinjal të gabuar”, u shpreh Mikolashik.

Ndërkaq menjëherë pas takimit me eurodeputetët, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski ka deklaruar se me rëndësi për Maqedoninë mbetet realizimi i dialogut në nivel të lartë mes Maqedonisë dhe Brukselit.

"Biseduam për të gjitha sfidat që janë para Maqedonisë gjatë periudhës së ardhshme si dhe shqyrtuam mundësitë se si mundet Parlamenti Evropian të ndihmojë në procesin e integrimit të Maqedonisë”, ka theksuar Popovski, pa u përqendruar në krizën politike.

Ndërkohë, porosi të qartë se duhet zhbllokuar ngërçi politik ka drejtuar edhe ambasadori i SHBA-ve, Paul Wolers.

"Të gjitha palët e involvuara, si partitë ashtu edhe individët duhet të sjellin vlerësim që është në interes më të mirë për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë dhe të marrin hapa që t'i ndihmojnë vendit, në vend të ndonjë partie të vetme ose personi. Mendoj se në atë mënyrë do të zgjidhet kriza", ka deklaruar ambasadori Wolers.

Ndryshe, brenda javës në Maqedoni është paralajmëruar se do të qëndrojnë një numër i madh përfaqësuesish nga institucionet më të larta evropiane.

Ndër ta, edhe komisionari për zgjerim, Stefan Fule.

Analistët vlerësojnë se vizitat e intensifikuara nga zyrtarët evropianë paraqesin mundësi për të bindur opozitën që të kthehet në parlament dhe ndryshojë vendimin për të mos i bojkotuar zgjedhjet vendore të cilat duhet të mbahen në mars të këtij viti.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum