E mërkurë, tetor 22, 2014 Kosova 17:24

Aktuale

Dialog për transformimin e strukturave ilegale në veri

Mitrovicë...
Mitrovicë...
Integrimi i strukturave paralele serbe ne veri të Kosovës, pritet të jetë tema qendrore e bisedimeve Kosovë - Serbi, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ky integrim do të realizohej përmes një marrëveshjeje në këtë dialog, e cila do të zbatohej me organizimin e zgjedhjeve lokale në komunat veriore.

I ndodhur para trysnisë ndërkombëtare për shuarjen e strukturave paralele që Serbia ka ngritur në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq ka paralajmëruar se këto struktura mund të kosovarizohen, duke nënvizuar se ato edhe në të ardhmen, megjithatë, do të udhëhiqeshin nga serbët.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i kishte thënë paraprakisht Radios Evropa e Lirë se integrimi i veriut do të bëhet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka përsëritur se zgjedhjet në veri do të duhej të organizoheshin nga misioni i OSBE-së. I tërë procesi do të përmbyllej me integrimin e strukturave të tashme, të cilat, për Prishtinën zyrtare, konsiderohen si ilegale.

“Ne do të adaptojmë struktura të edukimit, të shëndetësisë, të shërbyesve publikë, por në të njëjtën kohë ne nuk pretendojmë të imponojmë lidershipin në veri. Qytetarët atje duhet të kenë të drejtën që t'i zgjedhin vetë liderët përmes vullnetit të tyre. Do të ftojmë edhe OSBE-në që të organizojë dhe të menaxhojë këtë proces që të jetë sa më i besueshëm”, është shprehur Thaçi.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq ka thënë se ekziston mundësia që strukturat paralele serbe në Kosovë, të zëvendësohen me institucione të Kosovës të një formati të ri, të cilat  do të udhëhiqeshin nga serbët.

“Kjo do të thotë krijimin e institucioneve të reja të Kosovës, por segmente me të cilat do të qeverisnin serbët. Dhe, me këtë përfundojnë institucionet paralele”, ka thënë Nikolliq.

Por, kjo deklaratë e Nikolliqit nuk është mirëpritur nga përfaqësuesit e serbëve të veriut. Njëri nga liderët serb të kësaj pjese, Marko Jakshiq, ka thënë për programin tonë se kjo deklaratë e Nikolliqit tregon gatishmërinë e tij për të ndryshuar gjendjen në veri dhe se, sipas tij, me një zgjidhje të tillë, serbët e veriut nuk do të ishin më shtetas të Serbisë, por një bashkësi etnike në Kosovë.

Marko JakshiqMarko Jakshiq
x
Marko Jakshiq
Marko Jakshiq
“Ne nuk do të pranojmë një zgjidhje të tillë, me të cilën institucionet e Serbisë do të shuheshin. Nëse presidenti Nikolliq dëshiron që t’i shuajë këto struktura, ai së pari duhet të ndryshojë Kushtetutën e shtetit të Serbisë. Deri atëherë këto institucione për ne janë valide dhe reale”, ka thënë Jakshiq. 

Sidoqoftë, dy muajt e ardhshëm janë cilësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, si shumë të rëndësishëm në kuadër të procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, gjetja e një zgjidhjeje për veriun, duke i integruar serbët e atjeshëm në sistemin juridik kushtetues të Kosovës, pritet të jetë sfida kryesore që do të dëshmonte suksesin apo mossuksesin e këtij dialogu.

Zijadin Gashi

zijadin.gashi+gmail.com

Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.

Twitter
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum