E hënë, shtator 01, 2014 Kosova 15:39

Bota

BE ripërtërin sanksionet ndaj regjimit të Sirisë

Damask, Siri
Damask, Siri
RFE /RL
Bashkimi Evropian ka ripërtërirë sanksionet kundër Sirisë dhe i ka amendamentuar masat për mbrojtjen e civilëve.

Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë bërë publik vendimin përmes një deklarate të përbashkët, të lëshuar në fund të takimit të tyre në Bruksel.

Ky veprim shihet si kompromis, pas disa javëve të mospajtimeve.

Britania, e mbështetur nga Italia, ka bërë thirrje për lehtësimin e embargos së armëve, për të ndihmuar rebelët që luftojnë regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, ndërsa vendet e tjera të BE-së kanë qenë kundër lejimit të më shumë armëve në vend.

Ndonëse embargoja për armë është ruajtur, BE-ja ka arritur marrëveshje për të thelluar mbështetjen “jovdekjeprurëse” dhe “asistencën teknike”, çfarë nënkupton më shumë mbështetje për opozitën siriane.

Në një tjetër zhvillim, hetuesja e Kombeve të Bashkuara, Carla del Ponte, ka thënë se “është koha” për Gjykatën Ndërkombëtare për Krime që të hetojë krimet e luftës në Siri.

Del Ponte, anëtare e një komisioni të OKB-së për hetimin e konfliktit në Siri, u ka thënë gazetarëve në Gjenevë se komisioni apelon te komuniteti ndërkombëtar që të referojë dhunën e Sirisë para prokurorisë së organit ndërkombëtar të drejtësisë.

Carla del Ponte - hetuese e Kombeve të Bashkuara për konfliktin në Siri.Carla del Ponte - hetuese e Kombeve të Bashkuara për konfliktin në Siri.
x
Carla del Ponte - hetuese e Kombeve të Bashkuara për konfliktin në Siri.
Carla del Ponte - hetuese e Kombeve të Bashkuara për konfliktin në Siri.
“Është koha që një gjykatë dhe në veçanti gjykata ndërkombëtare – ne kemi një gjykatë të përhershme, Gjykatën Ndërkombëtare për Krime – që të marrë përsipër këtë rast”, ka thënë del Ponte.

Ajo i ka bërë këto komente vetëm disa orë pasi komisioni hetues i OKB-së ka lëshuar një raport për situatën në Siri, pas gati dy vjetësh konflikt.

Raporti 131-faqesh vë në pah se edhe forcat qeveritare, edhe rebelët e armatosur janë duke kryer krime lufte, përfshirë vrasje dhe tortura.

Sipas ekipit të pavarur, të udhëhequr nga braziliani Paulo Pinheiro, forcat qeveritare kanë sulmuar radhët e njerëzve para furrave të bukës dhe në funerale, duke “përhapur terror në mesin e popullatës civile”.

Raporti thekson se sirianët në “pozita udhëheqëse”, të cilët mund të jenë përgjegjës për krime lufte, janë identifikuar, së bashku me njësitet e dyshuara për kryerjen e mizorive.

Hetuesit po ashtu kanë akuzuar forcat rebele se kanë shkaktuar “numër të konsiderueshëm të viktimave civile” dhe se kanë përdorur fëmijët nën moshën 15-vjeçare në luftime.

Muajin e ardhshëm, komisioni planifikon të paraqesë para Zyrës për të Drejta të Njeriut të OKB-së një listë konfidenciale të të dyshuarave.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, luftimet në Siri kanë marrë tashmë rreth 70,000 jetë njerëzish.

Protestat e para antiqeveritare në këtë vend kanë nisur në mars të vitit 2011. Regjimi i presidentit Bashar al-Assad ka shtypur dhunshëm protestuesit që kërkojnë reforma demokratike në vend.

Rusia dhe Kina, aleate të afërta të Damaskut, kanë penguar disa herë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të ndërmarrë hapa për ndëshkimin e Assadit.

Rebelimi në Siri ka nisur në vazhdën e revoltave popullore në Tunizi, Egjipt, Libi dhe vende të tjera arabe. (v.tela)
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Liraku
20.02.2013 13:56
Eshte e tmerrshme ajo qe eshte duke ndodhur ne boten tone.