E enjte, tetor 23, 2014 Kosova 12:06

Shëndetësi

Stafi mjekësor nën kërcënime

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Mjekët e Qendrës emergjente në Spitalin rajonal të Gjakovës, përveç mungesës së barnave nga lista esenciale, mungesës së aparaturës së duhur për trajtimin e rasteve emergjente, përballen edhe me sulme fizike.

Afrim Dervishi, kryeshef i Departamentit të emergjencës dhe anestezionit, tregoi se nga rastet që kanë ndodhur ndërmjet familjarëve të pacientëve dhe personelit mjekësor, këta të fundit nuk ndihen aspak të sigurt.

“Sa i përket sigurisë, nuk qëndrojmë fare mirë. Ka ndodhur që familjarët e pacientëve, të rrahin, të shajnë, të kërcënojnë. Ka pasur raste kur edhe  kanë therë nga personeli shëndetësor dhe t’i plagosin”, bëri të ditur Dervishi.

Mentor Bytyçi, teknik kryesor në Repartin e emergjencës, tha për Radion Evropa e Lirë se sigurimi në këtë vend është i domosdoshëm, për shkak të sulmeve të shumta që ka stafi prej njerëzve nga jashtë.

“Siguria është shumë e vogël. Te ne duhet të jetë e pranishme uniforma. Shpeshherë ka ndodhë, është rrahur mjeku, është rrahur personeli, unë vetë jam ballafaquar, për shkak se jam një nga më të vjetrit këtu. Me qindra herë ka ndodhur të sulmohemi fizikisht”.

“Pas luftës ka qenë problem i madh kjo punë, sepse është tentuar disa herë edhe të vritemi, por kemi arritur ta ruajmë gjakftohtësinë dhe e kemi ruajt, edhe veten, edhe pacientin. Te ne, në Emergjencë, duhet të jetë e pranishme policia, ashtu si është edhe në Prishtinë”, tha Bytyçi.

Drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, deklaroi se çështja e sigurisë së punëtorëve në punë, është çështje ekskluzivisht menaxheriale e stafit të spitalit të Gjakovës dhe jo e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ata mund të bëjnë zgjidhje siç ka bërë QKUK-ja, që krahas sigurimit të vet ka angazhuar edhe zyrtarë policorë për të parandaluar ndonjë konflikt të mundshëm ndërmjet palëve brenda spitalit. Por, çështja e sigurisë është  çështje që mund të zgjidhet në nivel më të ulët, pa u implikuar Ministria e Shëndetësisë”, tha Hoti.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, ajo cka duhet të punohet më shumë është ngritja e cilësisë së komunikimit të vetë personelit me qytetarë, në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë informata për shërbimet që ofrohen në spital, rregullat e punës aty.

Në anën tjetër, sipas zyrtarëve, edhe qytetarët duhet të shprehin më shumë respekt për stafin mjekësor. 

Qendra emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, çështjen e sigurimit me pjestarë të Policisë së Kosovës e ka rregulluar qysh në vitin 2007.

Sipas drejtuesit të kësaj qendre, Basri Lenjani, kjo qendër paguan 34 mijë euro në vit për këtë punë.

"Në gjitha shërbimet emergjente në botë shërbimet emergjente mbulohen nga siguria e brendshme, por edhe nga polica, e cila është e domosdoshme të mbikqyr të gjitha rastet që kanë nevojë për asistencë, në rast të pengimit të punës nga ana e mjekut për të dhënë ndihmën emergjente".

"Mjekët e emergjncës këtu nuk mund të punojnë pa asistencën e policisë, meqë në klinikën tonë paraqiten plagosjet, dhuna në familje, aksidentet, vrasjet rrahjet dhe janë faktorë që mund të ndërlidhen në krijimin e skenave të papara".

Sido që të jetë, zyrtarë shëndetësorë kanë deklaruar se të gjitha shërbimet  emergjente do të duhej të mbulohen me polici, duke e pasur parasysh natyrën e punës.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum