Ndërlidhjet

10 për qind më shumë të hyra doganore


Përfaqësues të Doganave të Kosovës, bëjnë të ditur se rreth 10 për qind ka më shumë të hyra që nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhim e Integruar të Kufirit.

Sipas tyre, kjo rritje e të hyrave doganore tregon se kjo marrëveshje e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ulur në nivel të dukeshim kontrabandën në vendkalimet kufitare në veri të vendit.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilevci thotë për Radion Evropa e Lirë se pas fillimit të zbatimit të IBM-së kanë vërejtur zvogëlim të kontrabandës.

Nëse bëjmë një krahasim kësaj periudhe të vitit 2013 me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi vërejtur rritje të hyrave. Vitin 2012 e kemi përmbyllur me një rritje të të hyrave prej 2 për qind në krahasim me vitin paraprak. Ndërsa fillimet i vitit 2013 janë shumë premtuese pasi që të hyrat në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë rritur për 10 për qind”, bën të ditur Stavilevci.

Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve ka nisur të zbatohet në dhjetor të vitit të kaluar.

Fillimisht, kjo marrëveshje po zbatohet në katër vendkalime kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, prej tyre Merdare, Dheu i Bardhë, Jarinje e Bërnjak.

Ndërkaq, në kuadër të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar që marrëveshja të nisë së zbatuari nga 28 shkurti, edhe në dy pikëkalimet kufitare në Merdare dhe Muçibabë.

Kjo marrëveshjeje, ishte parë si mundësi e mirë për luftimin e kontrabandës dhe fenomenet tjera negative që kanë ndodhur në kufirin ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Arbër Beka shpjegon se marrëveshja e IBM-së ka mundësuar qarkullim më të lehtë të qytetarëve që hyjnë dhe dalin nga Republika e Kosovës, por në të njëjtën kohë, siç thotë ai, ka pasur efekte pozitive në parandalimin e kontrabandës.

Në bazë të statistikave që Policia e Kosovës posedon ka rënie të kontrabandimit të mallrave, por kjo është edhe falë angazhimit të pjesëtarëve të policisë kufitare drejtpërdrejtë dhe njësive tjera siç janë njësit e krimeve ekonomike apo njësit e rendit dhe patrulluese”, thotë Beka.

Në veri, vendkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, për vite me radhe janë konsideruar si pika hyrëse të kontrabandës.

Pavarësisht rënies të kësaj dukurie, zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavilevci thotë kontrabanda po vazhdon dhe nuk mund të ndalet asnjëherë deri në 100 për qind.

Nuk përjashtohet mundësia që të këtë ende kontrabande përmes rrugëve sekondare, për ketë arsye dogana është duke bërë përpjekje që të zvogëlojnë këtë dukuri”, shpjegon Stavilevci.

Autoritetet e Doganave të Kosovës bëjnë të ditur se artikujt që më së shumti peshojnë në ekonominë joformale, janë ato me akcizë, siç janë nafta dhe derivatet e saj, pijet alkoolike dhe duhani.

Kalimi nga ekonomia joformale në atë formale ishte caktuar nga Qeveria e Kosovës në prioritetet e planit ekonomik 2011 - 2014.
XS
SM
MD
LG