E martë, shtator 02, 2014 Kosova 03:54

Rajoni

Kriza në Maqedoni, 7 ditë afat për t'u zgjidhur!

Flamuri i Maqedonisë
Flamuri i Maqedonisë
Partitë në pushtet dhe opozitë kanë vazhduar konfrontimet verbale lidhur me krizën politike duke dalë si njëra ashtu edhe tjetra me propozime për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, edhe atë në emër të interesave nacionale dhe mosrrezikimit të procesit eurointegrues.

Së fundi, VMRO-DPMNE-ja në pushtet, i ka ofruar opozitës shtatë ditë afat për të dorëzuar listat për zgjedhjet vendore si dhe për formimin e një komisioni për hetimin e ngjarjeve të 24 dhjetorit në Kuvend, ku edhe filloi kriza politike.

Por, një propozim i të tillë jo vetëm që është refuzuar, por edhe është quajtur si dyfytyrësi nga Lidhja social-demokrate.

Është marrëzi të pretendohet një gjë e tillë pasi LSDM-ja nuk i paraqiti listat më 16 shkurt jo se nuk kishte kohë të mjaftueshme për një gjë të tillë, por meqë vlerëson se pas suspendimit të demokracisë, rrahjes së gazetarëve dhe deputetëve opozitarë në Kuvend, është e domosdoshme marrëveshja politike për zgjidhjen e krizës".

"Prandaj, në njoftimin e një ditë më parë të VMRO-DPMNE-së, nuk e shohim si propozim por si çështje teknike që fare nuk ka të bëjë me esencën e problemit në fjalë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Andrej Petrov, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.

Nga VMRO-DPMNE-ja, thanë se propozimi i tyre është në drejtim të zgjidhjes së krizës politike dhe ruajtjes të procesit eurointegrues, i cili, sipas saj, “do të rrezikohet nëse opozita vazhdon që interesat personale dhe të liderit të saj Branko Cërvenkovski t'i vendosë mbi interesat kombëtare dhe shtetërore.”

Por, opozita mbetet në qëndrimin jo vetëm për bojkotimin e zgjedhjeve, por edhe për zhvillimin e fushatës për sensibilizimin e qytetarëve për të mos dalë në votime.

I pyetur nëse thirrjet e këtilla janë në kundërshtim me të drejtën e garantuar me kushtetutë për të votuar, Andrej Petrov u përgjigj:

Përkundrazi, qytetarët e Maqedonisë do të kenë mundësinë që të bëjnë zgjedhjen më të madhe, nëse duan t'i japin legjitimitet pushtetit aktual apo nëse me mospjesëmarrjen e tyre do t'i bëjnë me dije pushteti se është koha për të shkuar”, tha Petrov.

Analistët politikë thonë se konfrontimet e këtilla mes pushtetit dhe opozitës bëhen vetëm për përfitimet politike pasi propozimet për zgjidhjen e krizën nuk publikohen në mediume.

Albert Musliu thotë se sikur të kishte ka gatishmëri mes palëve kriza do të zgjidhej.

Nëse ka vullnet për kapërcimin e krizës propozimet nuk publikohen nëpër mediume. Kjo më shumë është pjesë e skenës politike ditore ku të dyja palët tentojnë të tregojnë gatishmëri për bashkëpunim, por, një gatishmëri e tillë realisht nuk ekziston pasi nuk kemi probleme për të cilat nuk mund të merren vesh. Gjithsesi përgjegjësi më të madhe ka pozita, por shohim se në vend që të tejkalohen këto çështje, kemi radikalizim më të madh të skenës politike”,  thotë Musliu.

Sipas ekspertëve bojkoti i zgjedhjeve nga ana e opozitës do të vinte në pikëpyetje legjitimitetin e tërë procesit zgjedhor.

Ata thonë se zgjedhjet do të ishin legale, por jo edhe legjitime nëse pjesëmarrja në zgjedhjet do të ishte nën 30 për qind.

Ndërkohë, procesi zgjedhor që do të zhvillohet më 24 mars, do të mbikëqyret nga 300 vëzhgues të OSBE-së.

Shefi i misionit, Gert Arens, ka thënë se ata nuk do të ndërhyjnë në procesin zgjedhor, por vetëm do të mbikëqyrin mbarëvajtjen e tij, por vlerësime do të jepen edhe për efektet që mund të ketë bojkoti i opozitës.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum