E hënë, prill 21, 2014 Kosova 07:01

Bota

Optimizëm për çështjen bërthamore të Iranit

Pamje nga takimi dyditor në Almati, 27 shkurt 2013.
Pamje nga takimi dyditor në Almati, 27 shkurt 2013.
Madhësia e shkronjave - +
RFE /RL
Irani dhe fuqitë botërore kanë përfunduar takimin dyditor për aktivitetin bërthamor të Teheranit, me një dozë të kujdesshme optimizmi.

Dy palët janë pajtuar që të takohen sërish në Almati të Kazakistanit në muajin prill, për të dëgjuar përgjigjen e Iranit në propozimin e grupit E3+3.

Ky grup përbëhet nga Britania, Franca, Gjermania, Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara.

Negociatave politike, të planifikuara për datat 5 dhe 6 prill, do t’iu paraprijnë takime në nivel ekspertësh, të cilat do të mbahen muajin e ardhshëm në Stamboll.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka shfaqur shpresën për përgjigje pozitive ndaj ofertës.

Grupi E3+3 ka paraqitur një propozim të rishikuar, për të cilin besojmë se është i balancuar dhe ofron bazë të drejtë për bisedime konstruktive. Oferta adreson shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar mbi natyrën ekskluzivisht paqësore të programit bërthamor të Iranit, por po ashtu është përgjegjëse ndaj ideve të Iranit”, ka thënë Ashton.

Ajo nuk ka pranuar të zbulojë detaje nga propozimi, para se Irani t’i studiojë ato.

Por, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka thënë më herët se propozimi përfshin kushtin që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit në 20 për qind dhe të mbyllë objektin nëntokësor të pasurimit, Fordov.

Një zyrtar i lartë amerikan, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se propozimi përfshin lehtësimin e disa sanksioneve ndërkombëtare, por jo ato të naftës dhe financiare – dy zonat ku Irani është goditur më së rëndi.

Shefi i ekipit negociues të Iranit, Saeed Jalili, ka thënë se bisedimet kanë qenë pozitive, ndërsa propozimet e grupit E3+3 janë “shumë më reale” se në të kaluarën.

Ashton i ka bërë thirrje Iranit që të shqyrtojë me kujdes ofertën, në mënyrë që të ndërtojë besim të ndërsjellë.

Shpresoj që pala iraniane të shikojë pozitivisht në propozimet që i kemi dhënë. Ne punojmë jashtëzakonisht shumë në emër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili mandaton përpjekjet tona për të nxjerrë rezultate të prekshme”, ka thënë Ashton.

Duke folur në një takim në Vjenë, ministri i Jashtëm i Iranit, Ali Akbar Salehi, ka thënë se është optimist për arritjen e një marrëveshjeje eventuale.

Perëndimi druan se aktiviteti bërthamor i Iranit ka për qëllim krijimin e armës atomike, andaj edhe ka miratuar një varg sanksionesh kundër tij. Teherani zyrtar hedh poshtë akuzat.(v.tela)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum