Ndërlidhjet

New York Times: Turqia, aleat i padobishëm


Kufiri Turqi - Siri
Kufiri Turqi - Siri
"New York Times"

Qëllimi i deklaruar i Amerikës është të largojë presidentin Bashar al-Assad nga pushteti në Siri. Shtetet e Bashkuara këmbëngulin, gjithashtu, se çdo zgjidhje e krizës siriane, duhet të garantojë pluralizmin fetar dhe etnik. Megjithatë, ky vizion rozë për një Siri të moderuar dhe laike pas rënies së Assadit, nuk do të arrihet nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të varen nga aleatët rajonalë, të cilët kanë pak interesa për një përfundim të tillë.

Me këtë hyrje nis shkrimin e përditshmja amerikane “New York Times”.

Sipas gazetës, presidenti Obama i ka mbështetur shumë te Turqia përpjekjet e tij për të rrëzuar Assadin. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do të vizitojë po ashtu Ankaranë gjatë kësaj jave. Por, Turqia është pjesë e problemit. Ajo është duke acaruar grindjen sektare në Siri, në vend se të kontribuojë në një zgjidhje paqësore dhe pluraliste.

Administrata Obama ka nxitur një koalicion të gjerë të opozitës siriane, në të cilin ndikimi i islamikëve do të ishte i kufizuar, por Turqia nuk ka ofruar asnjë lloj ndihme. Në vend të kësaj, vijon artikulli, Qeveria turke ka vazhduar të hedhë peshën e saj pas Vëllazërisë Myslimane.

Për më tepër, me mbështetjen e kauzës sunite në Siri, Qeveria turke nuk ka bërë përpjekje të tregojë mirëkuptim për frikën e komuniteteve alavit, të krishterë dhe kurd. Alavitët dhe të krishterët kanë mbështetur qeverinë në masë të madhe dhe i druhen ndëshkimit nëse Assadi përmbyset.

Sipas gazetës, Turqia po ashtu ka ofruar strehim për rebelët sunitë, të cilët luftojnë Assadin, dhe ka ndihmuar në armatosjen dhe trajnimin e tyre. Për më keq, ajo ka mbyllur njërin sy ndaj pranisë së xhihadistëve në territorin e saj dhe i ka përdorur ata për të shtypur aspiratat e kurdëve në Siri.

Nëntorin e kaluar, kujton “New York Times”, rebelët islamikë nga grupi Jabhat al-Nusra, i cili ka lidhje me opozitën në Irak, kanë hyrë në qytetin Ras al-Ain të Sirisë përmes Turqisë dhe kanë sulmuar luftëtarët kurdë, të cilët kanë rrëmbyer kontrollin e disa pjesëve në verilindje të Sirisë.

Zoti Obama ka investuar kapital të konsiderueshëm politik në Turqi, duke kultivuar marrëdhënie të ngushtë me kryeministrin Recep Tayyip Erdogan.

Zyrtarët amerikanë dhe ata turq kanë mbajtur takime të rregullta që nga vera e kaluar, me qëllim që të përshpejtojnë rënien e Assadit. Së fundmi, në një intervistë për gazetën turke “Milliyet”, Obama ka falënderuar Qeverinë turke për përpjekjet që ka bërë për t’i dhënë fund dhunës në Siri dhe për të nisur tranzicionin politik. Por, ky lavdërim është i pamerituar, shkruan gazeta.

Amerika, megjithatë, nuk mund të presë nga autokracitë arabe sunite, të cilat kanë financuar kryengritjen në Siri, si për shembull Arabia Saudite dhe Katari, që ta ndihmojnë në fuqizimin e udhëheqësve të moderuar dhe laikë në Siri. Turqia, aleate e NATO-s, do të duhet të promovonte një Siri pluraliste, por nuk e ka bërë.

Gazeta shkruan se Turqia ka braktisur shpejt ambicien e saj për të pasur “zero problem me fqinjët” dhe ka vendosur t’iu bashkohet Shteteve të Bashkuara në konfrontimin me Iranin. Ajo është pajtuar për vendosjen e disa pjesëve të mburojës anti-raketore të NATO-s, e cila ka për qëllim të neutralizojë kërcënimin eventual të Iranit me raketa.

Kjo u është përshtatur Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni nuk ka përse të frikësohet se Turqia do të shkojë “drejt lindjes”, ashtu siç ka bërë gjatë afrimit jetëshkurtër të saj me Iranin, disa vite më parë.

Turqia, po ashtu, duket të jetë një aset amerikan për aq kohë sa ajo mund të mënjanojë ndikimin e fuqive më konservatore sunite, të tilla si Arabia Saudite.

Por, kriza e Sirisë ka pasur një efektet radikalizues në të gjitha palët, përfshirë qeverinë e moderuar islamike të Turqisë. Në rrethana më paqësore, zoti Erdogan mund të jetësojë pritjet e amerikanëve dhe të promovojë vizionin pluralist për Lindjen e Mesme.

Sipas gazetës, kjo nuk do të ndodhë nëse rajoni është gjithnjë e më i shqyer nga dhuna fetare dhe liderët e tij besojnë se loja me kartën sektare do të rrisë fuqinë e tyre.

Largimi i Saddam Husseinit nga pushteti në Irak, më 2003, ka pasur pasoja të padëshirueshme në fuqizimin e Iranit. Një dekadë më vonë, përpjekjet e Amerikës për të larguar Assadin janë pjesërisht përpjekje për të korrigjuar këtë pengesë gjeopolitike. Por, ajo ka pasoja të padëshirueshme ashtu si edhe në Irak. Për më tepër, politika e Amerikës në Iran është duke inkurajuar sunitët këmbëngulës, që kërcënojnë t’iu hakmerren shiitëve.

Shtetet e Bashkuara duhet të kenë kujdes në ofrimin e ofertave për pushtetet sunite, sidomos për Turqinë, të cilat avancojnë agjendat sektare, në kundërshtim me interesat e Amerikës për të promovuar pluralizëm dhe tolerancë. Rritja e sektarizmit mund të çojë në një luftë të rrezikshme rajonale, shkruan “New York Times”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG