E shtunë, prill 19, 2014 Kosova 16:53

Kronika

Dy interpretimet për asociacionin e komunave serbe

Mitrovicë
Mitrovicë
Madhësia e shkronjave - +
Krijimin i një asociacioni të komunave veriore serbe, duhet të prodhojë rehati për jetën e bashkësisë serbe në Kosovë.

Por, serbët që bëjnë politikë në jug dhe veri të lumit Ibër, kanë vlerësime të ndryshme nëse të gjithë serbët e Kosovës do të përfitojnë nga një marrëveshje e tillë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviq, thotë se dialogu ndërmjet dy shteteve është i rëndësishëm për gjeneratat e ardhshme, kurse shpreson se marrëveshja eventuale ndërmejt Prishtinës dhe Beogradit të mos jetë në dëm të njërës palë, në veçanti jo të asaj që jeton në jug.

“Sa i përket komunitetit serb, duam që serbët, të cilët janë më në numër në jug të Ibrit, që në çfarëdo aspekti të mos jenë viktima kolaterale. Dhe, kjo është diçka shumë e rëndësishme. Asnjë nga aktivitetet tona, nuk duam që asnjërit qytetar të Kosovës, pavarësisht emrit dhe mbiemrit, të jetë i dëmtuar nga ky proces”, thotë Petroviq.

Kosova dhe Serbia janë në prag të arritjes së një marrëveshjeje për lejimin e asociimit të katër komunave në veri të vendit, të cilat vazhdojnë të financohen nga Beogradi, e të fillojnë t’i japin llogari Prishtinës.

Mirëpo, përgjegjësitë që do t’i ketë ky trup, ende nuk janë detajizuar. Pala kosovare thotë se nuk do t’i japë këtij asociacioni pushtet ekzekutiv, kurse pala serbe këmbëngul se pa një fuqi të tillë, nuk ka vend për marrëveshje.

Ish-sekretari shtetëror i Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, argumenton se Beogradi me arsye po kërkon pushtet real për këtë bashkësi komunash. Ai sqaron se gjithçka lidhet me frikën që kanë serbët e Kosovës, e që ndërlidhet me mosbesimin nga shqiptarët shumicë
.
Oliver IvanoviqOliver Ivanoviq
x
Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq
“Komuniteti serb, me shumë mosbesim, po i ndërton marrëdhëniet në raport me institucionet e Prishtinës. Po kërkon institucione të caktuar, të cilat do t’i japin një lloj autonomie të caktuar në aspektin politik, në kuadër të kufijve ekzistues, gjegjësisht vijës administrative të Kosovës”.

“Kjo është shumë me rëndësi, sepse mosbesimi është motiv pse serbët po kërkojnë institucione shtesë, si garanci shtesë, për mbijetesën e tyre, gjegjësisht për mbrojtjen nga margjinalizimi dhe mbivotimi në të gjitha çështjet e rëndësishme”,
shprehet Ivanoviq.

Dy serbët, edhe pse me orientime të ndryshme politike, përmendin Planin Ahtisaari, si një mjet që ofron zgjidhje për bashkësinë serbe në Kosovë.
Mirëpo, interpretimet e tyre dallojnë në substancë.

Sllobodan Petroviq, nga ana e tij, si zyrtar i Qeverisë së Kosovës, sqaron se marrëveshja për asociacionin eventual të komunave serbe të veriut, është e definuar me ligje të vendit, dhe se nuk ka dyshim se si mund të duket ajo.

Sllobodan PetroviqSllobodan Petroviq
x
Sllobodan Petroviq
Sllobodan Petroviq
“Çështja rreth asociacionit gjithsesi se ekziston në Kushtetutën e Kosovës, dhe gjithçka që do të jetë produkt i marrëveshjes së Beogradit dhe Prishtinës, do të jetë lehtësim për jetën e qytetarëve tanë. Ne mirëpresim çfarëdo marrëveshje që arrihet”, thekson Petroviq.

Por përderisa zëvendëskryeministri i Kosovës, thotë se Asociacioni i përshkruar në Kushtetutë derivon nga Plani i Ahtisaarit, Oliver Ivanoviq thotë se propozim vazhdon të mos zbatohet si duhet.

“Madje edhe Plani i Ahtisaarit, parasheh mundësinë dhe të drejtat e serbëve, që ata vetë të vendosin për shëndetësinë, arsimin, kulturën, mediat etj. Kjo është e drejtë e cila, tani në mënyrë shumë dredharake po minimizohet, ose pakësohet për serbët, nga periudha 2008 e tutje, që te serbët forcon bindjen që nëse do të lejonin që të mos kenë asnjë lloj instrumentesh mbrojtëse, rreziku nga kjo gjë, që të drejtat aktuale do të zvogëloheshin ose do të zhbëheshin krejt, është shumë i madh”, potencon Ivanoviq.

Zëvendëskryeministri Sllobodan Petroviq, ndërkaq, paralajmëron një rol më aktiv në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, për të arritur një zgjidhje sa më të mirë për serbët në terren. Kjo meqë, sipas tij, në dialogun teknik, janë arritur marrëveshje, të cilat kanë qenë të dëmshme për komunitetin.

Fatmir Aliu

fatmir.aliu+gmail.com

Fatmir Aliu nisi të punojë si gazetar në vitin 2003. Fillimisht u angazhua në agjenci lajmesh, pastaj kaloi në gazetë, televizion, e tani në radio. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një vajzë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum