Ndërlidhjet

Ndahet nga jeta deputeti i PD-së, Sokol Olldashi


Sokol Olldashi
Sokol Olldashi
Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sokol Olldashi, ka humbur jetën të mërkurën në orën 21:18 të mbrëmjes, si pasojë e një aksidenti të rëndë, në moshën 41-vjeçare.

Aksidenti ka ndodhur në zonën e quajtur “Lapidari” në aksin rrugor Tiranë – Elbasan.

Olldashi udhëtonte me makinën e tij personale dhe e ngiste vetë atë.

Shkak i aksidentit mendohet se ka qenë humbja e kontrollit të automjetit si pasojë e kohës së keqe, të shoqëruar me shira të rrëmbyeshëm.

Automjeti nuk ka mundur të hyjë në një kthesë të fortë dhe është rrëzuar në një rrëpirë rreth 15 metra të thellë.

Skuadrave të shpëtimit u është dashur më shumë se 1 orë për të nxjerrë trupin nga automjeti i dëmtuar rëndë gjatë përplasjes.

Në vendngjarje kanë mbërritur emra të njohur të jetës politike, si kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kryetari i PD-së, Lulëzim Basha, ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, si dhe deputetë e personazhe të tjera të njohura të spektrit politik në Shqipëri.

Policia e ka shoqëruar trupin e pajetë të Olldashit në morgun e qytetit të Tiranës, ku janë kryer edhe verifikimet e rastit.

Sokol Olldashi ka qenë ndër emrat më të spikatur e me peshë në Partinë Demokratike, i angazhuar pranë kësaj partie që në vitin 1990.

Që nga viti 2001 e në vazhdim, Olldashi ka qenë deputet i PD-së në Parlamentin shqiptar.

Në vitet 2005 – 2007, ai ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm, ndërsa nga viti 2009 e deri në vitin 2013 ka qenë ministër i Punëve Publike dhe Transportit.

Si një prej zërave më me ndikim në Partinë Demokratike, ai ka garuar në korrik të këtij viti për kreun e PD-së, pas dorëheqjes së Sali Berishës.

Olldashi ka qenë i martuar dhe ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë.
XS
SM
MD
LG