Ndërlidhjet

Një vit pa lëvizje domethënëse kulturore


Zhvillimi i kulturës dhe artit në vend, në masë të madhe varet nga mbështetja institucioneve qeveritare përgjegjëse për kulturën, të nivelit qendror dhe lokal, vlerësojnë përfaqësuesit e komunitetit të artistëve kosovarë.

Por, siç thonë ata, ndonëse mbështetja nuk ka qenë në masë më të madhe në vitin 2013, se sa në vitet paraprake, megjithatë janë shënuar suksese në disa fusha, e disa tjera kanë vendnumëruar.

Kinematografia e Kosovës, gjatë vitit 2013 ka lëvizur, por me hapa krejtësisht të njëjtë ashtu si edhe në vitet paraprake, me investime të vogla dhe produkt gjegjës, vlerëson regjisori Isa Qosja.

Ai thekson se tashmë ka përfunduar xhirimin e një filmi të metrazhit të gjatë, të titulluar “Tri dritare dhe një varje”, i cili pritet të jetë i gatshëm në janar të vitit 2014. Ndërkohë, sipas tij, janë xhiruar edhe një numër i filmave të metrazhit të gjatë nga regjisorë të ndryshëm të Kosovës.

Regjisori Qosja vlerëson se krahasuar me vitet e kaluara, viti 2013 për kinematografinë kosovare nuk ka sjellë diçka të veçantë në drejtim të lëvizjes para, por as lëvizje prapa.

“Një vit i përsëritur, sa i përket numrit të projekteve dhe, natyrisht, ajo që mund të shënohet si arritje kinematografike, nuk mund të figurojë në kalendarin që e lamë. Nga ana tjetër, kemi pasur disa festivale që tashmë janë shndërruar në festivale të traditës, në kinematografi të dobishme, gjithsesi, të rëndësishme po se po, me prurje të reja. Prandaj, nëse duhet të lavdërohemi, atëherë mund të lavdërohemi për faktin se kemi arritur të shohim filma që i kanë punuar të tjerët, të cilët i japin rëndësi kinematografisë të tyre”, shprehet Qosja.

Edhe dramaturgu Arian Krasniqi vlerëson se viti 2013 nuk mund të veçohet nga vitet e mëparshme, në aspektin e zhvillimeve kulturore në përgjithësi dhe sipas tij, trendi i ngecjeve kulturore ka vazhduar edhe në këtë vit. Ai thekson se, madje, ka pasur tendenca nga ana e politikës për të ndërhyrë në institucionet kulturore, ndërkaq që, sipas tij, aktivitetet teatrore, përveç në Prishtinë, në qytetet tjera kanë qenë, siç thotë ai, të pavërejtura.

“Kemi pasur tendenca të ndërhyrjeve, nëse mund të quhen politike, të Ministrisë (së Kulturës) në këto institucione kulturore, për të ndikuar edhe në menaxhimin dhe aspektet tjera të politikave artistike".

"Sa i përket teatrit, mund ta them me përgjegjësi që viti 2013 ka qenë ndoshta një ndër vitet me më së paku të arritura në fushën e teatrit, sepse, bazuar në amendamentimin e Ligjit për teatrin që është bërë para dy viteve, teatror e qyteteve kanë mbetur nën kompetencat e komunave. Prandaj, ato nuk kanë arritur ta kenë mbështetjen e duhur materiale, duke qenë në mëshirën e komunave (përkatëse)”
, thotë Krasniqi.

Por, Baki Jashari, kompozitor dhe aktualisht edhe drejtor i Filarmonisë së Kosovës, vlerëson se gjatë vitit 2013, në fushën e muzikës janë shënuar përparime vetëm në ngritjen e cilësisë, si dhe janë zhvilluar një varg festivalesh ndërkombëtare të muzikës.

“Mendoj që viti 2013 ka shënuar një rritje në kuptimin e kualitetit, sa i përket zhvillimeve muzikore. Natyrisht, gjithnjë duke iu referuar institucionit të Filarmonisë së Kosovës në relacion me ngjarjet tjera muzikore, posaçërisht me festivalet ndërkombëtare muzikore në Kosovë, duke filluar nga festivalet: DAM, Shophen-fest, Kamerfest, Remuzika, si dhe tashmë edhe me Shoqatën e Kompozitorëve të Kosovës, përkatësisht me festivalin tradicional që ata organizojnë, Ditët e muzikës kosovare”, vlerëson Jashari.

Artistët presin më shumë mbështetje institucionale në 2014-n

Por, çfarë presin këta përfaqësues të komunitetit të artistëve në Kosovë se mund ose duhet të sjellë viti 2014 për kulturën dhe artin?

Regjisori Qosja pret që prodhimtaria e filmit në Kosovë të shtohet dhe sipas tij, duhet insistuar që kjo të ndodhë nëse pretendohen rezultatet e mira.

“Ndryshe, me një film është shumë vështirë të arrijmë majat e mëdha. Them se duhet investuar në kinematografi gjithnjë, sepse shumë pak po investohet dhe natyrisht atëherë edhe mund të ketë sukses. Po qe se nuk bëhet kjo, atëherë vështirë. S’mund të llogarisim në ecjen përpara në kinematografi”, konsideron Qosja.

Sa i përket vitit 2014, pritje të ngjashme, për kulturën në përgjithësi, ka edhe dramaturgu Krasniqi:

“Gjithmonë mbetem me shpresë se viti 2014 do ta gjejë Kosovën me një mbështetje më të madhe të institucioneve kulturore dhe me një produktivitet më të madh, si dhe me një gjallëri më të madhe të jetës kulturore në vendin tonë, në të gjitha sferat e kulturës dhe artit, natyrisht edhe me suksese dhe prezantime më të mëdha jashtë vendit”.

Prezantimet i vlerave të kulturës dhe artit jashtë vendit, janë pritje edhe të kompozitorit Jashari, për vitin 2014.

“Mbetet për t’u dëshiruar që kuantiteti të rritet dhe posaçërisht lëvizja e vlerave kulturore muzikore të Kosovës jashtë vendit, meqë ne e dimë fare mirë që imazhi i Kosovës më së miri prezantohet dhe përmirësohet me vlerat tona kombëtare dhe ato krijuese, si dhe ato interpretuese”, thekson Jashari.
XS
SM
MD
LG