Ndërlidhjet

Apel për mobilizim qytetar


“Ishim të gatshëm që të veprojnë në disa raste shumë serioze të korrupsionit. Dhe është fakt, dhe për të ardhur keq, që kur jeni të gatshëm të veproni do të ketë shumë ndërhyrje”, thotë ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen.

Ai po përshkruan në këtë intervistë se si ndërkombëtarët ia ndërprisnin punën në gjysmë kur donte të vepronte kundër krimit të organizuar në Kosovë, në kohën kur ishte në krye të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë-UNMIK.

Më merrnin në telefon, disa shtete të cilat e dinin se ishim në proces të ecjes përpara në një çështje, dhe shprehnin brenga serioze, duke më thënë se po që se veproni ashtu atëherë kjo do të ndikojë në stabilitetin. Mendoj se stabiliteti ndikohet nga mosveprimi”, shpjegonte ish-Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, që qeverisi me Kosovën deri në qershor të vitit 2006.

Rrëfimi i Soren Jessen-Petersen-it, u bë dëshmi për Organizatën Çohu që ta paraqes si shembull se në Kosovë është vështirë të ilustrohet mosndëshkueshmëria si kultura e cila ka zënë vend në Kosovë.

Sipas Lorik Bajramit, i cili prezantoi këtë analizë, ajo që thotë Jessen-Petersen është deklarimi më i qartë i një përfaqësuesi ndërkombëtar i cili, siç thotë ai, ka dëshmuar për sundimin e paradigmës së stabilitetit politik.

“Ne jemi dëshmitar që sundimi i ligjit, gjithmonë i është subordinuar deri më sot, paradigmës së stabilitetit politik”, tha Bajrami.

"Ajo çfarë ne kemi rënë në përfundim është që paradigma e stabilitetit politik, ka qenë ndoshta rregulli kryesor, ose ndër kryesorët, i cili ka mundësuar që të kemi një kulturë kaq të gjerë të politikës edhe të institucioneve të mosndëshkueshmërisë”, shtoi ai.

Punimi sipas tij, provon se rregulli i përgjithshëm që ka mundësuar përhapjen e kulturës së mosndëshkueshmërisë përveç faktorit ndërkombëtar, është edhe fal partive politike.

Për këtë temë u mblodh një audiencë prej 80 vetash në Prishtinë, të cilëve Luan Shllaku, drejtori i Fondacitionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, u tha se duhet një mobilizim shumë më i madh qytetar.

“Na duhet një qytetari më aktive mund të themi. Dhe, na duhen më shumë, më tepër fakte, për të mund të ndërtuar raste që do të përfundojnë në gjyqësi”, tha ai.

Për këtë heshtje kolektive ai tha se i kushtoi Kosovës, e cila tash do të përballet me një tribunal i cili do t’ia gjykojë të kaluarën.

"Shumë rrallë ndëshkuam kriminel dhe krime që e sollën nevojën eventualisht, që sot të bisedojmë për gjyqin special për Kosovën. Në përgjithësi, mund të themi se shumë oligarkë krijuan dhe më vonë përfituan nga kultura e pandëshkueshmërisë”, tha Luan Shllaku.

Në këtë panel për të debatuar gjetjet e analizës, ishin edhe dy përfaqësues politik, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje dhe Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Gashi tha se mosndëshkueshmëria është pasojë e së kaluarës, e cila është e ndarë në etapa të ndryshme zhvillimi, nga pas lufta në tranzicion të administrimit nga Kombet e bashkuara deri më 2008, dhe pas pavarësimit e tutje.

“Një kulturë e cila është krijuar, një kulturë e veçantë nga një traditë komuniste, një traditë e trajtimit të shtetit si armik i popullit 90-99, një traditë e privatizimit të shtetit për një periudhë një vjeçare në qeverinë e përkohshme, ku gjithçka më takon mua sepse unë isha luftëtar, një tradita të administrimit të ashpër ndërkombëtar”, tha Gashi.

Glauk Konjufca ndërkaq tha se në Kosovë nuk janë krijuar mekanizma të qëndrueshëm, të cilët e ndëshkojnë sjelljen e padrejtë, shkeljen e ligjit, pabarazinë, zhvatjen e parasë publike, apo favorizimin për përfitime.

“Mosndëshkueshmëria është gjithmonë inkurajim. Ti duke mos e ndëshkuar një veprim të caktuar, faktikisht bëhesh pjesë e inkurajimit të një veprimi të caktuar. Mosndëshkimi i krimit është trimërim, trimërim i krimit. Mosndëshkimi i korrupsionit është inkurajim i korrupsionit”, vlerëson ai.
XS
SM
MD
LG