Ndërlidhjet

Mitrovicë: Policë e protestues të lënduar në protestën e dhunshme


Protestë me tensione në Mitrovicë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:39 0:00

Protestë me tensione në Mitrovicë. Video Amra Zejneli

Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve, të cilët kishin dalë në jug të qytetit të Mitrovicës për të kundërshtuar rivendosjen e barrikadës në urën qendrore mbi lumin Ibër, nga ana e autoriteteve komunale të Mitrovicës së Veriut, në praninë e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë.

Raportohet se nga përplasjet ndërmjet protestuesve dhe policisë, janë lënduar të paktën 13 policë. Përderisa nuk ka konfirmime për numrin e të lënduarve nga protestuesit, por sipas policisë, besohet se janë mbi 10 veta.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës nga komanda në jug të Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë për Radion Evropa Lirë se përveç lëndimeve, si pasojë e dhunës janë shënuar edhe djegie të automjeteve të policisë.

“Si pasojë e protestës të së dielës, 13 pjesëtarë të Policisë janë të lënduar. Po ashtu, nga përdorimi i mjeteve ndezëse nga protestuesit, janë djegur katër vetura, dy të policisë së Kosovës, një e EULEX-it dhe një e UN-it (UNMIK-ut) ", ka konfirmuar Zahiti për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, policia ka arrestuar të paktën pesë persona.

Në anën tjetër, nuk është konfirmuar edhe numri i protestuesve të lënduar, por, sipas policisë, raportohet se më shumë se 10 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit.

Këtu mund të shikoni fotogalerinë me forca të shtuara të sigurisë, që në orët e para të pasdites të së dielës.

Protesta ka filluar rreth orës 15:00, kur masa po drejtohej drejt urës së Ibrit, që ndan jugun dhe veriun e qytetit në dy komuna.

Por, gjendja ka eskaluar pak minuta më vonë, kur një grup i protestuesve provoi të çajë kordonin e policisë me synimin që të shkojë drejt urës së Ibrit. Mbi urë, në pjesën jugore shiheshin pjesëtarët amerikanë të KFOR-it, kurse në veri, karabinierët italianë.

Ndërsa, Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it kanë përdorur gazin lotsjellës, KFOR-i kryesisht ka qëndruar në gjendje gatishmërie.

Me brohoritjet “UÇK, UÇK”, “S'duam barrikadë - duam urë”, “Liri e lëvizjes” e të tjera, protestuesit u ndanë disa herë nëpër grupe duke e sulmuar policinë me gurë.

Në mbështetje të Policisë së Kosovës është vënë edhe ajo e EULEX-it, e cila ka përdorur gazin lotsjellës. Gjatë gjithë kohës, KFOR-i ka qëndruar në gjendje gatishmërie.

Në orët e mbrëmjes, situata në Mitrovicë është qetësuar, ndërkohë që janë vërejtur patrullime të shtuara të organeve të rendit, si nga ato vendore ashtu edhe ndërkombëtare.

Protesta e së dielës, fillimisht ishte thirrur nga një grup i qytetarëve që kishin paralajmëruar të protestonin qetë. Por, më pas të njëjtit kishin alarmuar organet e rendit se ka grupe që do të infiltroheshin për të përshkallëzuar situatën. Në bazë të këtyre informacioneve, Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it dhe KFOR-it vepruan në bazë të një plani të përbashkët.

Ndërsa, në jug të Mitrovicës po protestohej, janë vërejtur tubime të qytetarëve serbë edhe në veri. Por, ata vetëm i kanë përcjellë qetë këto zhvillime.

Për dallim nga barrikada me rërë e gurë e korrikut të vitit 2011, e vendosur nga serbët lokalë mbi urën e Ibrit, kjo e fundit, e vendosur më 18 qershor, u quajt "Parku i Paqes" dhe u mbush me vazo prej betoni për të pamundësuar lëvizjet nga të dyja anët e qytetit me mjete motorike.

Për gjendjen e krijuar në Mitrovicë, kanë reaguar edhe presidentja Atifete Jahjaga dhe Qeveria në largim e Kosovës, duke ftuar qytetarët që të vetëpërmbahen.

Ndërsa, Jahjaga përmes një komunikate me shkrim, ka thënë se problemi i Mitrovicës nuk zgjidhet me dhunë, në komunikatën e qeverisë thuhet se qytetarët duhet të përmbahen ngase barrikada do të largohet së shpejti.

Duke qenë dëshmitar i zhvillimeve të së dielës në Mitrovicë, forca e KFOR-it ka vlerësuar pozitivisht angazhimin e Policisë së Kosovës.

Sipas një komunikate të KFOR-it, Policia e Kosovës “ka qenë në gjendje që të frenojë një protestë të madhe, duke treguar profesionalizëm të madh, efektivitet dhe aftësi në menaxhimin e situatës në mënyrën e duhur”.

Sipas komandantit të KFOR-it, gjeneralit Salvatore Farina, përpjekja kryesore ishte që të evitohet përleshja ndër-etnike dhe eskalimi i dhunës.

XS
SM
MD
LG