Ndërlidhjet

Situatë e brishtë në Shkup


Përshkallëzimi i protestës në Shkup
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:33 0:00

Përshkallëzimi i protestës në Shkup

Gjendja në Çair të Shkupit në orët e pasdites të së premtes ishte më e qetë, por ende e brishtë pas protestave në kryeqendrën e Maqedonisë, të cilat eskaluan në dhunë.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për 20 policë të lënduar, ndërkohë që nuk e ka kumtuar numrin e saktë të protestuesve të lënduar.

“Nga informacionet, me të cilat deri më tani disponojmë, mësohet se 20 policë janë lënduar, një pjesë e të cilëve kanë dhe lëndime të rënda trupore, ndërkohë që deri më tani janë arrestuar gjashtë protestues”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski.

Ai ka shtuar se pas shqyrtimit të video-incizimeve, do të vazhdojnë me identifikimin dhe kapjen e pjesëmarrësve në protesta.

Ndryshe, protesta e së premtes ka filluar rreth mesditës në Shkup, me ç’rast disa mijëra qytetarë u drejtuan drejt gjykatës, për të shprehur revoltën lidhur me dënimin me burgim të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve, lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovcë të Shkupit, që kishte ndodhur më 12 prill të 2012.

Protestuesit pasi arritën në ndërtesën e Gjykatës së Shkupit, një grup prej tyre të revoltuar, brohoriste: “Ne nuk jemi terroristë, duam drejtësi”, “Jankullovska terroriste”, “UÇK”, “Stop Rasteve të montuara” dhe filloi të gjuajë me gurë mbi ndërtesën e këtij institucioni, ku edhe u shqiptua dënimi për të akuzuarit për rastin “Monstra”.

Në momentin kur një pjesë e protestuesve filluan të tërhiqen nga Gjykata, pjesa tjetër e protestuesve tentoi të shkojë drejt ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë, me ç’rast ka intervenuar policia me të ashtuquajturat granata tronditëse, gjegjësisht shufra çorientuese, të cilat shkaktojnë detonime të fuqishme dhe nxjerrin tym të bardhë. Policia tërë kohën ka përdorur dhe gaz lotsjellës.

Forcat policore për disa orë kanë tentuar të shpërndajnë protestuesit duke shtyrë turmën deri në hyrje të lagjeve Çairçanja dhe lagjen Serovë, gjithnjë nën zhurmën dhe tymin e granatave tronditëse, si dhe ujit, me ç’rsat një numër i madh i qytetarëve kryesisht të moshuar dhe fëmijë, kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë siç thonë qytetarët e këtyre lagjeve, nga shpërthimi mjeteve eksploduese të hedhura nga policia.

Nga spitali i Shkupit ku gjinden në kurim policët, por edhe protestuesit e lënduar, nuk kanë dhënë informacione. Por, familjarët ankohen për forcë të përdorur nga ana e policisë.

”Po e kanë rrahur me shufra gome , e kanë goditur disa herë në kokë. Nipi im kishte shkuar të falë ‘xhumanë’, më pastaj është nisur kah qendra tregtare ‘26 Korriku’, unë nuk e di, po si më treguan shokët e tij, pasi e ka kapur policia, e ka goditur disa herë në kokë”, thotë Ekrem Asani, duke rrëfyer rastin e nipit të tij 22-vjeçar.

Ndryshe gjatë orëve të pasdites deri në mbrëmje policia kishte bllokuar të gjitha hyrje-daljet që çojnë kah lagja Çair e Shkupit, por tani lëvizja edhe në këtë pjesë është normalizuar.

XS
SM
MD
LG