Ndërlidhjet

Shkup: Protestat përfundojnë qetë


Në Shkup ka përfunduar qetë protesta e disa mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilët dolën për të shprehur revoltën e tyre kundër vendimeve të gjykatës në rastin "Monstra".

Grupi i protestuesve u nis nga Qendra Tregtare “Çairçanja” në afërsi të Xhamisë së Jahja Pashës, po ende pa arritur para ndërtesës së Gjykatës së Maqedonisë, u ndalua nga policia, e cila kishte vendosur kordonin e mbyllur para Qendrës Tregtare "Mavrovka".

Gjatë tërë kohës protestuesit kanë brohoritur “Duam drejtësi”, “Stop proceseve të montuara gjyqësore ”, “Jankullovska terrorist”, “Ali tradhtari” etj.

Protestuesit të premten kanë dalë dhe me kërkesa konkrete. Në deklaratën e lexuar nga njëri prej organizatorëve është kërkuar që t`u jepet fund proceseve të montuara politike.

“Kërkohet të shpallet pafajësia për të dënuarit në rastin ‘Monstra’, lirimi i tyre dhe dëmshpërblimi. Gjithashtu, kërkohet shkarkimi i gjykatëses Gordana Geshovska, dorëheqja e ministres Gordana Jankullovska dhe lirimi i të gjithë të ndaluarve gjatë protestave të mëparshme në Shkup dhe në Tetovë”, ka theksuar Daim Luçi, një nga organizatorët duke shtuar:

Ju drejtohemi edhe të gjitha partive politike shqiptare që në këto momente të jenë me popullin e tyre dhe jo ata me ata, të cilët diskriminojnë popullin shqiptar në Maqedoni. Po ashtu, u bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtar, veçanërisht SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, që të jenë më aktivë në instalimin e shtetit të së drejtës dhe njëkohësisht të dëshmojnë rolin e tyre se janë për afirmim e drejtësisë dhe vlerave universale pozitive edhe në Maqedoni”.

Masës së tubuar i është drejtuar edhe kryetari i komunës së Strugës, Zijadin Sela, duke potencuar se shqiptarët nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa të trajtohen nga institucionet e shtetit në formë të barabartë.

Ndërsa, nuk është mbajtur kundër-protesta e paralajmëruar nga maqedonasit në rrjetet sociale, si përgjigje e protestave të shqiptarëve. Para ndërtesës së Qeverisë, kanë qenë të pranishme vetëm forcat e rendit dhe gazetarët.

Ndërkaq, në rrugët e qytetit vërehej një prani e theksuar e forcave policore të Maqedonisë të stacionuara kryesisht para objekteve të institucioneve shtetërore.

Ndryshe, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare edhe të premten kanë ripërsëritur qëndrimin për përmbajtje nga dhuna gjatë protestave.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, ka thënë se "dhuna minon legjitimitetin e qëllimeve dhe zvogëlon vëmendjen nga përpjekjet produktive për zgjidhjen e çështjeve".

“E përsërisim thirrjen tonë për shprehje paqësore të qëndrimeve dhe përmbajtje nga dhuna. Askush nuk ka të drejtë të minojë legjitimitetin e qëllimeve dhe të zvogëlojë vëmendjen nga përpjekjet produktive për zgjidhjen e çështjeve”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Shkup, dhënë Radios Evropa e Lirë, lidhur me protestat dhe kundër-protestat në Shkup.

XS
SM
MD
LG