Ndërlidhjet

Beogradi hap dyert për median ruse


Një emision i televizionit "Russia today"
Një emision i televizionit "Russia today"

Shtëpia mediale “Russia today” (“Rusia sot”), ka paralajmëruar se do të arrijë në Serbi.

Fillimisht është thënë se kjo shtëpi do ta hapë faqen e internetit në gjuhën serbe, ndërkaq që në pranverën e vitit të ardhshëm pritet edhe hapja e një radio stacioni.

Hulumtuesit e opinionit publik dhe njohësit e zhvillimeve në Serbi, e vlerësojnë se ky lajm vjen në kohën kur marrëdhëniet e Rusisë me perëndimin janë tensionuar.

Sërgjan Bogosavljeviq, drejtor i Agjencisë për hulumtimin e opinionit publik “Strategjik marketing”, lajmin për arritjen e “Russia today” në Serbi, e vë në kontekstin e rrethanave më të reja ndërkombëtare.

Ato, sipas tij, janë karakterizuar me raportet e tensionuara ndërmjet Moskës dhe qendrave politike perëndimore, para së gjithash, me Uashingtonin, si dhe ndikimin politik gjithnjë e më të madh të Rusisë në Serbi.

“Ky është momenti i tensioneve të reja. Rusia tash po tregon iniciativë më të madhe se sa në kohën kur ka pasur tranzicionin e saj. Ajo ka pasur ambicie të mëdha derisa ka qenë Bashkimi Sovjetik. Më pas, kur ka nisur shpërndarja, ata kanë pasur mjaft punë me vetveten dhe kanë qenë më pak agresiv në këtë plan".

"Ekzistojnë shtëpi mediale që promovojnë Rusinë, por kanë qenë të pranishme me agresivitet më të paktë në botë. Tash, si duket, ka ardhur momenti që përsëri mund të lëvizin në këtë drejtim”, tha Bogosavljeviq.

Sipas tij, arritja e “Russia today” në Serbi, do të thotë vetëm edhe një burim tjetër i informimit , por ende nuk mund të thuhet se a do të jetë ky informim i balancuar ose jo.

Por, megjithatë, siç thotë ai, kjo po ndodhë në momentin kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, sipas tij, për serbët është njeriu më i popullarizuar në botë.

“Mendoj se në fund të fundit, e rëndësishme është ajo, se ekziston edhe një këndvështrim i gjithë asaj që ndodhë në botë dhe kjo do të paraqitet në Serbi. Mendoj se megjithatë do të ketë ndikim, duke iu falënderuar atyre që e kanë të rëndësishme që të marrin informata”, tha Bogosavljeviq.

Por, çfarë thonë qytetarët në Serbi, lidhur me lajmin se “Russia today” do të jetë e pranishme edhe në vendin e tyre? Shumica e tyre e shohin si lajm pozitiv.

“Gjithçka që vjen nga Rusia, për neve është e nevojshme dhe e dobishme”, tha një qytetar serb.

Një qytetare tjetër, tha se në mesin e të gjitha medieve, duhet dëgjuar se çfarë thotë edhe “Russia today”.

“Duhet t’i dëgjojmë edhe ata. Por, është e dukshme që dikujt në botë, në atë anën tjetër që nuk është ruse, po i pengon që edhe ne të qëndrojmë në këmbë”, tha qytetarja serbe.

Mendim të ngjashëm ka edhe një qytetar tjetër serb. Ai thotë se është mjaft e rëndësishme që ta dëgjojë, siç e cilëson ai, anën tjetër të rrëfimit.

“Mendoj se për ne është mjaft e rëndësishme, si shtet dhe si popull, që të kemi edhe një medie dhe të mos mbështetemi vetëm në informacionet e medieve që vijnë nga perëndimi”, tha qytetari serb.

Ndryshe, Predrag Simiq, profesor në Fakultetin e shkencave politike në Beograd, thotë se depërtimi i Rusisë në hapësirat mediale të vendeve tjera, është logjik dhe se pikërisht do të pasojë ajo që në këtë fushë po e bëjnë Al Jazzera ose CNN amerikan.

“Para kësaj, diçka të ngjashme ka bërë CNN, BBC, apo ÇTV kineze. ‘Russia today’ është ky lloj i stacioneve globale që emitojnë përmes satelitit dhe që janë të ngjashme me Al Jazzera-n në botën arabe. Mendoj që këto janë veprime të një vendi që dëshiron të jetë fuqi botërore dhe të demonstrojë fuqinë e saj, të jetë rival i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është e ashtuquajtura ‘fuqi e butë’”, tha Simiq.

Pritet që të martën, në Moskë, “Russia today”, e njohur për shikueshmërinë e programit televiziv në gjuhën angleze, që emitohet nga Uashingtoni dhe Moska, do të publikojë hapjen e faqeve të internetit dhe radio stacioneve në gjuhët lokale të 29 vendeve të botës.

Tash për tash, programi televiziv nuk planifikohet të hapet për Serbinë dhe për vendet tjera.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG